Debuton me barazim ndaj Korabit, Skënderbeu i Ahmatajt e nis nga zero

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2020 | 14:50

Debuton me barazim ndaj Korabit, Skënderbeu i Ahmatajt e nis nga zero

Trajneri Julian Ahmataj ka debutuar në krye të Skënderbeut, me një miqësore kundër Korabit. Korçarët janë ndalur në barazim pa gola, ndërkohë që drejtuesit do të kenë goxha punë për përforcimin e skuadrës. Largimet kanë qenë të shumta dhe duhen shumë përforcime. Miqësorja e organizuar në minutat e fundit mes Korabit dhe Skënderbeut përfundoi me rezultatin 0-0.
Skenderbeu festa e golit ndaj Vllaznise
Ky takim është luajtur në Durrës, në fushën e “Tropikal Resort” dhe i ka shërbyer trajnerit Ahmataj për të parë se deri në çfarë pike është gjendja e skuadrës dhe domosdoshmëritë për ndërhyrje në merkato nga bardhekuqtë. Për sa i përket miqësores, ka qenë një takim me raste për shënim nga të dyja skuadrat, por gjithçka ka përfunduar me rrjeta të paprekura. Edhe pse ishte thjesht një miqësore, ndeshja pati një ritëm të kënaqshëm. Marku shënoi për Korabin, por goli i tij u anulua për pozicion të parregullt. Me kalimin e minutave Skënderbeu fiton terren, por pa konkretizuar, gjë që vjen edhe për shkak të mungesës së eksperiencës së lojtarëve të aktivizuar, pasi largimet e shumta e kanë dobësuar ndjeshëm ekipin.
Ahmataj
Trajneri i korçarëve, Julian Ahmataj, provoi të aktivizonte shumë lojtarë të rinj, mbi të gjitha ata që janë afruar së fundi nga ana e akademisë për të plotësuar numrin e lojtarëve të nevojshëm pas largimeve. Ai bëri disa vlerësime të nevojshme, duke ditur se ka pak ditë që është ulur në stol.
dALIPI
Nga ana tjetër Korabi ka ruajtur grupin dhe deri më tani ka luajtur miqësore me Partizanin dhe Kastriotin. Kjo ishte e radhës për ekipin e drejtuar nga Klevis Dalipi. Ndërkaq, duhet theksuar se korçarët e kanë pasur mjaft të vështirë për të gjetur një kundërshtar për të bërë testin e parë miqësor. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kanë qenë të shumta ekipet e kontaktuara nga Skënderbeu që nuk kanë pranuar zhvillimin e një testi me korçarët duke kërkuar një ekip më të fortë dhe më të kompletuar se bardhekuqtë. Në momentet e fundit është mbyllur testi me Korabin, që është edhe i pari për Julian Ahmatajn si trajner i Skënderbeut. Pas miqësores së luajtur dje në mesditë, korçarët janë rikthyer në Juglindje ku do të kenë disa ditë pushimi para se të rinisin grumbullimin në Durrës ditën e premte.

SKENDERBEU

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"