De Jong: Jam për notën 6, kam ardhur për Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 19:23

De Jong: Jam për notën 6, kam ardhur për Champions-in

Frenki De Jong nuk është aspak i kënaqur me ecurinë e tij të deritanishme te Barcelona, por shpreson që një ditë të fitojë Ligën e Kampioneve me katalanasit. Në një intervistë për gazetën “Sport”, ai e vlerëson veten me notën 6 dhe mohon zërat që është penduar për kontratën me blaugranët. 

de jong

Sapo keni mbushur një vit nga momenti kur u bë zyrtar kalimi te Barcelona. Është gjithçka siç e prisnit?

Jam duke e shijuar shumë. Ëndrra ime që fëmijë ishte të luaja te Barcelona. Jam i lumtur që ndodhem këtu. Mund të përmirësohem shumë dhe në disa aspekte, por për momentin po e shijoj.

Në disa momente u tha që ju ishit penduar që firmosët për Barcelonën… 

Jo. Nuk është e vërtetë. Nuk jam penduar fare që kam ardhur te Barcelona, asnjë sekondë. Jam i lumtur, sepse gjithmonë kam dashur të luaj këtu. Po luaj me lojtarë që janë legjenda dhe po mësoj shumë prej tyre. Jam në klubin më të mirë në botë dhe në një qytet të mrekullueshëm.

frenki de jonggg

Çfarë ju ka surprizuar më shumë nga ato që keni gjetur në Barcelonë? 

Nuk e di. Asgjë konkrete. Unë thjesht erdha dhe i lashë gjërat që të rridhnin vetë. Fillova të njihja klubin, edhe pse e dija që ishte një klub madhështor. Edhe tek Ajaksi kishte shumë tifozë, por këtu flitet gjithë ditën për klubin. E gjithë bota flet për Barçën.

Kur u transferuat ju, u tha se ishit një blerje strategjike dhe një lojtar që mund të bëheshit legjendë e klubit. E menduat këtë?

Nuk është diçka që mund ta them. Unë do të tentoj të jap më të mirën nga vetja për të kaluar vite të mrekullueshme te Barcelona, shumë vite. Tani jam i përqendruar për t’u stërvitur mirë dhe për të treguar versionin më të mirë. Shpresoj që të kujtohem si legjendë, por mjaftohem që të më kujtojnë edhe si lojtar i mirë.

barcelona

Krojf luajti 5 vite si lojtar i Barcelonës. Ju do të qëndroni më shumë apo jo?

Shpresoj shumë. Ndoshta mund të qëndroj këtu deri në fundin e karrierës.

Ter Shtegen thotë se ndonjëherë më shumë ndihet katalanas sesa gjerman. Juve ju ndodh e njëjta gjë?

Unë ende ndihem pak holandez (qesh), por më pëlqen qyteti dhe njerëzit. Të gjithë po më ndihmojnë dhe njerëzit në rrugë më thonë se jam një lojtar i mirë.

Prej pak ditësh Barcelona ka ndryshuar trajnerin. Është lajm i mirë apo lajm i keq? 

Nuk e di. Normalisht kur ndryshon trajnerin nuk është një sinjal i mirë. Unë mendoj se mund të luajmë më mirë, por nga ana tjetër nuk po bëjmë shumë keq. Jemi të parët në kampionat, jemi në fazën e 1/8-ave të Champions-it dhe u kualifikuam në Kupë. Nuk luajtëm siç duhet, por u kualifikuam. Kemi bërë mirë me Valverden dhe do të bëjmë me Setienin.

 Shpresoni që të luani gjatë gjithë sezonit? 

Jam i kënaqur nëse vazhdoj kështu siç e kam nisur, por dua të përmirësohem. Jam duke luajtur mirë deri tani, por nuk jam i kënaqur me veten.

Çfarë note i vendosni vetes nga 0 në dhjetë?

Një gjashtë. Për momentin një gjashtë ose gjashtë e gjysmë. Kam luajtur shumë minuta dhe i kam luajtur pak a shumë mirë. Nuk jam i kënaqur, por e di që rendimenti im mund të jetë më i mirë.

barcelona

Champions-i është shndërruar në një fiksim për Barcelonën, po për ju? 

Champions-i është kompeticioni më emocionues, sepse të gjitha ekipet e mëdha janë aty. Është e dukshme që Barcelona ka shumë dëshirë ta fitojë. Kjo vihet re në ambientin e klubit dhe në qytet. Kur flas me njerëzit më thonë: “Duam Champions-in”.

 Kjo ju vendos në presion… 

Nuk do të thotë më shumë presion, por shërben për t’u motivuar për këta njerëz që duan Champions-in. Unë dua t’i fitoj të gjithë trofetë, por nëse më thoni të zgjedh një, atëherë do të zgjedh Champions-in.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"