Dalipi është optimist për Lushnjën: Ishim seriozë, mendjen te kampionati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 16:48

Dalipi është optimist për Lushnjën: Ishim seriozë, mendjen te kampionati

Trajneri i Lushnjës, Klevis Dalipi, pranoi për “Panorama Sport”, se qëllimi i skuadrës së tij nuk ishte Kupa, por kampionati. Më saktë, shpëtimi prej rënies nga kategoria. Pas ndeshjes me Tiranën ai analizoi situatën te lagunarët.

Dalipi

“Mendoj që edhe me lojtarët të cilët aktivizuam, e që nuk kanë luajtur shumë këto kohë, u paraqitëm mirë. Ne kemi qëllim kampionatin dhe rezultati i ndeshjes së parë nuk na favorizonte. Gjithsesi, kjo nuk ka lidhje, sepse ne, siç e thashë, kemi objektiv tjetër. Edhe ata lojtarë që u aktivizuan, dhanë maksimumin dhe ishim seriozë. Edhe pse u mundëm treguam veten tonë, duke e vlerësuar takimin në maksimum”, tha trajneri i Lushnjës.

Nga ana tjetër, ai foli edhe për ndeshjen e radhës në kampionat. “Objektivi i Lushnjës është i qartë. Ne të gjithë së bashku do të bëjmë të pamundurën që të kalojmë këtë periudhë të vështirë që kemi. Duhet të mbijetojmë. Për më tepër që gjatë gjithë kësaj kohe që unë drejtoj Lushnjën ka shumë seriozitet.

Sigurisht ne na nevojiten pikët. Stërvitja e mirë apo loja e mirë nëse shoqërohet me pikë do të ishte ideale. Ama ne na duhen pikët. Prandaj e thashë që ky takim i shërbeu një stërvitjeje të mirë dhe që të jemi në tonus dhe seriozë për takimin me Burrelin”, mbylli Klevis Dalipi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"