Daja e nis me fitore: E merituam, trepikësh shprese, kështu do ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2015 | 16:25

Daja e nis me fitore: E merituam, trepikësh shprese, kështu do ia dalim

dajaNjë fitore qetësie në debutim. Ilir Daja e ka nisur më së miri aventurën e tij si bardheblu dhe këtë trepikësh ai e cilëson tejet shpresëdhënës për të ardhmen. Tekniku e priste edhe një gol të tretë, megjithatë në kompleks ka mbetur i kënaqur nga ekipi i tij. Gjatë intervistës së dhënë në fund të takimit, ai kthesën ua dedikoi tifozëve dhe shpreson që në vazhdim raportet të forcohen.

E nisni me fitore aventurën si bardheblu….

Jam pa dyshim i kënaqur, pasi është një trepikësh i çmuar. U kërkova lojtarëve që të ishin të motivuar sot (dje). Kjo ndeshje nuk fitohej vetëm teknikisht dhe taktikisht, por duke dhënë maksimumin. Fitorja u shkon fillimisht lojtarëve dhe sigurisht tifozëve. Një mesazh kam edhe për ta: duhet të krijojmë një klimë sa më të mirë. Natyrisht ata kërkojnë më shumë nga ne, por pa ata nuk bëjmë dot. Kështu që le të jetë ky hapi i madh që të na afrojë më shumë me tifozët.

U pa një Tiranë e motivuar në fushë, por mos ndoshta ishte dhe një kundërshtar i dobët përballë?

Po ta ndajmë lojën në dy pjesë, në të parën kemi bërë gjithçka mirë. Nuk i lamë hapësirë kundërshtarit, që të na krijonte situata të rrezikshme. Në pjesën e dytë patëm probleme. Po të shihet stoli, kuptohet që nuk kishim asnjë mesfushor të rolit natyral. Na u desh të operonim me këtë kontingjent që kishim. Duhet të tregoheshim pragmatistë që të merrnim tri pikët dhe të rikuperonim diçka në renditje, duke qenë se Kukësi është një rival direkt.

U aktivizuan Kavdanski e Domgjoni, elementë që në 8 javë s’kanë pasur hapësira. Jua krijoi luksin Kukësi që t’u jepnit mundësi këtyre futbollistëve?

Mendoj se ishte meritë e 11- shes sonë bashkë me lojtarët e tjerë të stolit. Madje, dua të rrëfej se në grumbullim ishte i gjithë ekipi dhe vepruam kështu për të qenë më kompaktë me njëri-tjetrin.

Kjo fitore është e mjaftueshme për të thënë që Tirana e ka lënë pas krizën e rezultateve?

Janë shumë pikë në lojë. Ashtu siç mund t’i rikuperojmë, ashtu edhe nëse nuk do të kemi këtë lloj motivimi, mund të bëjmë hapa falsë. Mendoj që ky trepikësh është një shenjë e mirë për momentin që po kalojmë.

Skuadra pati raste me bollëk, e pritët edhe një gol të tretë?

E prisja një gol qetësie në fakt. Kishim raste, por çaluam në pjesën e mbështetjes së aksioneve dhe në finalizim.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"