Daja: Fitorja na jep besim, tani mund të përballemi me këdo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2016 | 19:37

Daja: Fitorja na jep besim, tani mund të përballemi me këdo

Trajneri Ilir Daja e cilëson fitoren ndaj Skënderbeut si shumë të rëndësishme për moralin e Tiranës. Në prononcimin për “SuperSport”-in pas ndeshjes, kreu i stolit bardheblu tha se ekipi i tij i ka të gjitha mundësitë për t’u përballur me çdo kundërshtar.

Daja

Për fitoren

“Edhe pse Skënderbeu vinte pas gjashtë fitoresh, ne kishim një motiv shumë më të madh për të treguar atë që mund të bëjmë. Zhvilluam një pjesë të parë shumë më të mirë të kundërshtarit, deri nga minuta e 60’-70’. Pastaj pësuam një rënie jo për fajin tonë, por më shumë për meritë të presionit të kundërshtarit. Gjithashtu e vuajtëm disi edhe problemin psikologjik nga fakti që nuk e kishim mundur dot Skënderbeun më vitet e fundit. Mendoj se është një fitore e merituar që na ngre psikologjikisht dhe na bën të vetëdijshëm se tani e tutje mund të përballemi me çdo kundërshtar”.

Për objektivat

“Duhet të rrimë me këmbë në tokë, pasi sot thjesht kemi marrë tri pikë në javën e shtatë. Për ne është i rëndësishëm fakti që kemi marrë fitoren e tretë radhazi. Ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe ta përgatisim me kujdes secilën prej tyre”.

Për taktikën

“Taku ka gjashtë javë që po luan shumë mirë në krahun e djathtë, kurse Muzaka e merr shumë mirë thellësinë dhe shfaqet i rrezikshëm para portës. Gjithashtu i jep frymëmarrje edhe lojës së Takut, duke tërhequr një nga qendrat e mbrojtjes kundërshtare e duke i krijuar hapësirë sulmuesit tonë. Mendoj se janë dy alternativa të mira që mund të ndërrohen në vazhdimësi. Kjo i jep shpejtësi dhe thellësi lojës sonë”.

Tirana feste pas Skenderbeut

Për shpërqendrimin

“Nuk patëm nisje të mirë, pasi rrezikuam të pësojmë që në minutën e tretë. Kurse presioni në fund ishte meritë edhe e kundërshtarit, që nuk do të pajtohej kurrsesi me rezultatin. Humbëm përqendrimin që në linjën e dytë, jo në mbrojtje. Lejuam kundërshtarin të vepronte me top pa i bërë presion të mjaftueshëm. E theksoj që ishte meritë edhe e kundërshtarit”.

Nga festa në festë

“Kjo fitore është për Gentin, pasi të gjithë donim t’ia bënim më të bukur këtë ditë të veçantë. Muça është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"