Çyrbja merr krahun: Kemi synime të qarta, gati të thyejmë Laçin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 18, 2020 | 20:01

FB Kategoria Superiore Të fundit Teuta

Çyrbja merr krahun: Kemi synime të qarta, gati të thyejmë Laçin

Arbër Çyrbja është një nga lojtarët më të mirë të Teutës. Rikthimi i tij pas dëmtimit në muajin dhjetor, e qetëson jo pak stafin teknik. Në një bisedë për “Panorama Sport” ai flet për përgatitjet në prag të ndeshjes me Laçin, si dhe synimet madhore që ka klubi këtë sezon.

cyrbja

Arbër, si po shkojnë përgatitjet? 

Atmosfera në ekipin tonë është shumë e mirë. Jemi në prag të një ndeshjeje mes skuadrave të të njëjtit nivel dhe duhet të bëjmë mirë.

Si e prisni takimin ndaj Laçit? 

Me Laçin është gjithmonë e fortë dhe kështu do të jetë edhe të martën. Po përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi do të përballemi me një skuadër të vështirë. Ne kërkojmë të bëjmë gjithmonë më të mirën, por jo gjithmonë ia dalim të shprehemi ashtu siç duhet dhe ashtu si përgatitemi në stërvitje. Megjithatë, shoh te të gjithë shokët një gatishmëri maksimale për të dhënë gjithçka në fushë.

cyrbja

Llogarisni vetëm tri pikë ndaj Laçit?

Do bëjmë ndeshjen tonë, duam të marrim tri pikët gjithmonë. Pas ndeshjes bëhen analizat se sa kemi dhënë dhe sa kemi merituar. Ne dëshirojmë të luajmë futboll të mirë dhe të fitojmë.

Cila është pika e fortë e kundërshtarit? 

Në sezonin e fundit Laçi ka qenë shumë efikas kundër nesh. Na ka shënuar në shanset që ka pasur. Ky është meraku im. Uroj të mos kemi atë fatin e keq që Laçi të shënojë nga ndonjë gabim yni. Ata kanë mesfushë dhe sulm të mirë.

Si është gjendja juaj dhe a mund të themi se e keni kaluar dëmtimin? 

Kam rinisur stërvitjen dhe mendoj se jam në gjendje të mirë. Edhe në miqësoren e fundit që u aktivizova ndihesha mirë. Jam stërvitur me grupin dhe mezi po pres të rinisë kampionati.

teuta

Sa e mundur është Europa? 

Shanset janë të mëdha për të arritur këtë objektiv. Të gjithë lojtarët po bëjnë një punë të mirë dhe skuadra është në rrugën e duhur. Nuk kam frikë, objektivat i kemi të palëvizshëm, luftojmë për të hyrë në Europë, për Kupën e Shqipërisë dhe jemi optimistë për këtë.

Mendohet për titullin te Teuta apo është ende shpejt?

Mendohet edhe titulli te ne, por e dimë shumë mirë që është shumë e vështirë. Duhet të rregullojmë problemet që kemi pasur.

ZAMIR QYPI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com