Cungu, apel tifozëve: Mos bëni presion te skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2017 | 11:12

Cungu, apel tifozëve: Mos bëni presion te skuadra

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, kërkon që të mbajë skuadrën e tij larg presionit për ndeshjen ndaj Luftëtarit. “Është një ndeshje e rëndësishme. Nuk dua të krijoj presion dhe tension tek ekipi, këtë gjë do t’ia kërkoja edhe opinionit sportiv. Besoj se është një ndeshje e radhës, shumë e rëndësishme për ne dhe do ta kërkojmë me ngulm fitoren, por jo me presione.

Nuk na çon askund presioni, sepse pastaj nuk arrijmë të shprehemi si duhet në fushën e lojës.Do të tentojmë si në çdo ndeshje të radhës për ta fituar dhe çdo ndeshje me pastërti. Siç edhe duhet të bëjmë kujdes për të mos u ndëshkuar”, ka thënë Cungu.

cungu

Vendi i katërt – Në lidhje me vazhdimësinë dhe mundësinë e kapjes së vendit të katërt, Cungu flet me optimizëm që Vllaznia do të luftojë fort për një gjë të tillë.

“Përpara se të flas për vendin e katërt, dua të them se për ata që kanë sy për të parë realitetin, duhet thënë se kemi bërë një paraqitje të mirë gjatë këtij kampionati. Besoj se kjo Vllazni ka treguar një nivel loje në rritje të vazhdueshme. Duke qëndruar në këtë kontekst, natyrshëm duke e parë veten edhe në pozita të tilla, na erdhi si një mundësi, ose si një objektiv, nuk na e ka falë askush, por e kemi marrë me shumë djersë dhe mund për ta kapur edhe vendin e katërt që mund të jetë edhe një shans për të dalë në Kupat e Europës.

Cungu konference

Gjithmonë mund të jetë një shans, sepse nuk varet direkt nga ne, por edhe nga rezultatet dhe aktorë të tjerë që të gjithë e dinë në futbollin shqiptar, por më kryesorja që Skënderbeu duhet të fitojë Kupën e Shqipërisë. Shanset, të them të drejtën, deri në ndeshjen me Korabin ishin shumë të mëdha, një rezultat që ka qenë ‘vdekjeprurës’ nëse mund ta them kështu, gabim që nuk duhej bërë, gjëra që ndodhin në futboll”, ka mbyllur Cungu.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"