“Çudira” te Besa, ikën lojtari që erdhi në huazim nga Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2019 | 12:26

“Çudira” te Besa, ikën lojtari që erdhi në huazim nga Kukësi

Pas vetëm tri ndeshjesh me fanellën e Besës, largohet mesfushori nga Shkupi, Armend Çajani. “Panorama Sport” mëson se lojtari nuk është paraqitur në stërvitjet e ditëve të fundit, ndërsa nga ana e klubit kavajas nuk jepet zyrtarisht një arsye e këtij “divorci” të parakohshëm.

cajani

Burime në klub tregojnë se futbollisti ka thyer disiplinën me mosparaqitje disa herë në stërvitje, ndërkohë që mendohet se mosaktivizimi si titullar ka bërë që të vetëlargohet. Në tri ndeshje me Besën ai luajti vetëm si zëvendësues. Çajani erdhi në muajin gusht te verdhezinjtë në formë huazimi nga Kukësi. Mesfushori 21-vjeçar ka qenë pjesë e klubit Genç Kalemler në Ligën e Dytë maqedonase. Tashmë me siguri do të rikthehet të stërvitet me Kukësin.

KUPA – Verdhezinjtë luajnë sot kundër Egnatias për Kupën e Shqipërisë, teksa në ndeshjen e parë kanë arritur fitore minimale 1-0. Shorti, në rast kualifikimi, i rezervon Besës përballjen me Skënderbeun në turin tjetër. Takimi i sotëm do të zhvillohet në aneksin e stadiumit “Besa”. Për ndihmësin e Maganit, peqinasin Klodian Dervishi, ekipi është i përqendruar për të kaluar turin e parë.

“Vijmë pas asaj humbjeje vërtet dramatike dhe të papranueshme për ne ndaj Lushnjës. Të udhëheqësh 0-2, e për më tepër 1-2 deri në minutën e 87-të, e më pas të humbësh, të vjen vërtet keq. Ishin gabimet tona që na çuan në atë rezultat. Tani gara vazhdon, kampionati është i gjatë dhe na mbetet të nxjerrim mësime nga ajo humbje. Sot do të luajmë me Egnatian, një ndeshje që duam ta fitojmë. Në takimin e parë shpërdoruam raste ideale dhe kualifikimin duhet ta kishim mbyllur atje. Ndeshja e nesërme (e sotme) pritet të jetë më e vështirë, sepse Egnatia nuk ka se çfarë humbet. Në këto situata, ua bëmë të qartë lojtarëve se duhet të nisin ndeshjen sikur të ishte takimi i parë dhe ta harrojnë se kanë fituar. Vetëm në këtë mënyrë mund të kualifikohemi”, ka deklaruar numri dy i pankinës.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"