Çudira shqiptare! Autobusi lë skuadrën e Kategorisë së Parë në mes të rrugës, lojtarët ecin 2 kilometra në këmbë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2020 | 10:33

Çudira shqiptare! Autobusi lë skuadrën e Kategorisë së Parë në mes të rrugës, lojtarët ecin 2 kilometra në këmbë

Korabi dhe Tomori u përballën sërish dje në miqësore. Javën e kaluar barazuan 2-2 në Berat, kurse dje Tomori triumfoi 0- 2, me gola të Qatos dhe Cankës. Pati edhe një koincidencë. Në ndeshjen e Beratit minibusi i Korabit pësoi defekt, ndërsa dje kjo i ndodhi autobusit të Tomorit, që e la gjysmën e skuadrës në rrugë, rreth dy kilometra larg fushave të Kamzës dhe lojtarët u detyruan të ecnin në këmbë.

Tomori

NDESHJA – Loja zhvillohet e bukur, me beratasit që shënojnë shpejt. Canka jep një asist për Qaton, i cili mposht Birjan dhe 0-1. Reagimi i Korabit është i vakët dhe beratasit e shfrytëzojnë këtë situatë, duke dyfishuar në të ’20-ën me Cankën. Pepa 3 minuta më pas mund të trefishonte, por vetëm rrjetë e jashtme. Dibranët tentojnë me Mziun nga distanca, pret Haremi, i cili i mohon më vonë edhe Çaços një gol të sigurt. Pjesa e dytë nis me ndërrime, trajneri Dalipi hedh në fushë sulmuesit Taulant Marku dhe Xhulio Skuka. Loja ka ritëm dhe Skuka i afrohet golit, por pret portieri.

Ka dhe ndërhyrje të rënda nga beratasit. Hida me kokë Canka kanë raste të mira, por pret Birja. Beratasit që fitojnë pastër 0-2. Pas ndeshjes, trajneri Sinella tha: “Ishte provë gjenerale dhe jam shumë i kënaqur me skuadrën. Jemi gati për kampionatin, megjithëse kemi favorin që javën e parë jemi pushim. Jam i kënaqur me merkaton, pasi janë lojtarë që i kam zgjedhur vetë”. Kurse kolegu i tij, Dalipi, u shpreh: “Jemi ekip profesionist dhe miqësoret i konsiderojmë si zyrtare. Këtë ndeshje nuk e nisëm mirë, pësuam dy gola që ndikuan më pas. Lojtarët që japin minuta duhet t’i zëvendësojnë ata të formacionit më së miri, përndryshe nuk bëhet fjalë për konkurrencë”.

BUJAR BALLIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"