Çudia e futbollit shqiptar, Qarku i Elbasanit me 6 ekipe në kategoritë inferiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2017 | 18:41

Çudia e futbollit shqiptar, Qarku i Elbasanit me 6 ekipe në kategoritë inferiore

Një Prefekturë e tërë në krizë. Bëhet fjalë për Qarkun e Elbasanit, i cili po “lëngon” në ditët më të vështira të tij, ndoshta që nga dita kur lindi futbolli në vendin tonë. Kur është në pozita aspak komode skuadra kryesore dhe më e madhe e qarkut, Elbasani, rrjedhimisht edhe ekipet e tjera e ndiejnë këtë krizë në kampet e tyre.

Elbasani stervitje

Nga gjashtë skuadra të kësaj Prefekture, asnjë prej tyre nuk është pjesë e Superiores, si rrallëherë në futbollin shqiptar. Për më tepër, në “maxhorancë” janë klube që militojnë në Kategorinë e Dytë, plot katër, ku vetëm dy janë pjesë e Kategorisë së Parë.

KRIZA – Vetëm Shkumbini dhe Turbina janë dy skuadrat e kësaj Prefekture që mundohen sadopak të mbajnë lart “flamurin” e futbollit në Qarkun e Elbasanit.

Fakti që janë në Kategorinë e Parë është sërish shumë pak, por të paktën nuk janë degdisur në nivelin më të ulët të futbollit profesionist në vendin tonë.

Elbasani

Kur sheh që Elbasani nga sezoni i ardhshëm do t’i bashkohet Domosdovës, Gramshit dhe Sopotit, Kategoria e Parë të duket një luks. Një krizë e thellë kjo për futbollin elbasanas, nga e cila nuk dihet se kur do të mbarojë.

Në fakt, kriza e futbollit nisi para disa vitesh, kur Elbasani filloi të mos e kishte më të sigurt qëndrimin në Superiore, ku shpesh binte në të Parën. Mirëpo, tani arriti kulmin me rënien në Kategorinë e Dytë, aty ku askush nuk e mendonte se do të shkonte një ditë.

sopoti

Nëse vijohet me këtë ritëm dhe kjo krizë do të vijojë gjatë, nuk duket aq e pamundur “fshirja” nga harta e futbollit të një qyteti, apo edhe të një Prefekture. Situata duket gjithandej e rënduar dhe ka pak gjasa që të ketë zhvillime pozitive, për më tepër që futbolli në këtë Qark nuk shihet më si prioritet.

Elbasani stervitje

 

Klubi i Elbasanit nuk ka më mundësi të mendojë për skuadrat e tjera të Qarkut, sepse duhet të mendojë fillimisht për veten e tij dhe, për aq kohë sa do të jetë në këtë gjendje, kriza do të vijojë gjatë.

Për momentin, banorët e kësaj Prefekture duhet t’i gëzohen faktit që Shkumbini dhe Turbina do të luajnë në Kategorinë e Parë dhe të shpresojnë të mos kenë fatin e Elbasanit. Nëse për fat të keq do të ndodhte e kundërta, shumë mirë gjashtë skuadra mund të luanin një kampionat më vete.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"