Çudia e “finales” për titull në Premier Ligë, Arsenali me një formacion më të shtrenjtë se Siti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 12:54

Çudia e “finales” për titull në Premier Ligë, Arsenali me një formacion më të shtrenjtë se Siti

Arsenali dhe Mançester do të për plasin brirët të dielën në “Etihad” në një përballje që do të thotë jo pak për garën e ardhshme për titull në Angli. Përpara duelit mes Guardiolës dhe Artetës, “SunSport” ka analizuar sesa shumë klubet kanë shpenzuar për të ndërtuar formacionin e tyre të mundshëm titullar.

city arsenal

Siti akuzohet shpesh se është klubi që nuk ngurron ta fusë dorën thellë në xhep për të shpenzuar. Por në mënyrë të pabesueshme, formacioni i mundshëm që Pep Guardiola mund të hedhë nga minuta e parë në “Etihad” kushton më pak se skuadra me të cilën pritet të luajë Arsenali. Skuadra titullare me të cilën Siti luajti në betejën e tyre të fundit për titull kundër Liverpulit, pak para pushimit ndërkombëtar, u kishte kushtuar 413.4 milionë paund.

Megjithatë, me portierin titullar Ederson (34.9 milionë paund) jashtë fushës për përballjen e kësaj fundjave, që me siguri do të zëvendësohet nga Stefan Ortega i ardhur me parametër zero në Mançester, do bëjë që formacioni i mundshëm titullar i “qytetarëve” të zbresë në 378.5 milionë paund. Kësaj i duhet shtuar edhe i dëmtuari Xhek Grilish, për të cilin Siti pagoi 100 milionë paund. Por çmimi relativ i ulët i Erling Halandit prej 51.4 milionë paundësh e mban koston e skuadrës së Sitit të ulët, ndërsa një numër transferimesh me kosto të ulët, kompensojnë 62.5 milionë paundët e shpenzuara për Rodrin. Foden (0), Alvarez (14 milionë paund) dhe Akanzhi (15.1 milionë £) e kanë forcuar veten si titullarë të rregullt në sistemin e Pep, pavarësisht se i kushtojnë klubit vetëm “qindarka” në krahasim me yjet e tjerë.

Por Mançester Siti do të ketë në stol një sasi monstruoze talentesh, që do të rrisin çmimin e pankinës së tyre të luksit të dielën, me yje si Diaz, Gvardiol, Doku dhe Nunjez. Vetëm këta të katërt i kushtuan kampionëve të Anglisë 250 milionë paund së bashku dhe janë aktivizuar shpesh me rotacion këtë sezon.

ARSENALI – “Topçinjtë” kanë të ngjarë të rreshtohen në “Etihad” me një skuadër që i ka kushtuar në total 12.5 milionë paund më shumë se Mançester Siti. Titullarët e Mikel Artetës pritet të arrijnë një shifër 391 milionë paund. Një pjesë e madhe e kësaj tarife shtohet prej transferimit më të shtrenjtë të historisë së klubit në verë, Deklan Rajsit për 105 milionë paund nga Uest Hemi.

Edhe Kai Haverc ishte gjithashtu një transferim i kushtueshëm i verës së fundit nga Çelsi, për 65 milionë paund. Saka (0), Saliba (27 milionë), Magalhaesh (27 milionë) dhe Odegard (30 milionë paund) janë të gjithë emra që do të vlenin shumë më tepër nëse do të shiteshin sot. Gabriel Martineli i kushtoi Arsenalit vetëm 6 milionë paund dhe do të ulte koston e tyre fillestare nëse do të ishte në gjendje të luante titullar këtë fundjavë. Megjithatë, ka dyshime që Arteta do të luajë me Trosardin në krahun e majtë të sulmit nga minuta e parë. Belgu i kushtoi londinezëve 26 milionë paund nga Brajtoni dhe rrit koston e formacionit të tyre të mundshëm titullar me 20 milionë sterlina.

Por pak rëndësi kanë këto shifra për tifozët e skuadrës. Për ta ka rëndësi sesi do të shkojnë gjërat në fushë, në një ndeshje që konsiderohet si një finale për nga rëndësia në garën e ngushtë për titull këtë sezon në Angli.

siti

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"