Coppi dhe Bartali: dy Italitë e Curzio Malaparte-s

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2019 | 21:29

Coppi dhe Bartali: dy Italitë e Curzio Malaparte-s

CURZIO MALAPARTE

kurzio malaparte

Kam qenë gjithmonë i hipnotizuar prej jetës së yjeve të çiklizmit dhe të fatit të tyre të paracaktuar. Qysh në fëmijërinë e hershme, ata e dinë se një ditë do të bëhen kampionë. Ata kanë ëndrra, vizione. Që në moshën gjashtë, tetë apo dhjetë vjeç, secili prej tyre e di se do të bëhet një jashtëklase dhe se një ditë do të fitojë Milan-San Remo, Giro d’Italia, Paris-Roubaix, një Tour de France apo një Sei Giorni. Secili prej tyre, në moshën gjashtë, tetë vjeç, tashmâ e di se do të ketë një rival, një armik vëllazëror. Çdo Oreste, edhe para se të prekë biçikletën e parë, e di se tashmâ ai do të ketë Pilade-n e tij.

Çdo Girardengo e di se do të ketë Ganna-n e tij, çdo Binda Guerra-n e tij, çdo Coppi Bartali-n e tij. Por Gino Bartali, nuk është si çdo njeri tjetër. Qysh në moshën gjashtë vjeç, ai jo vetëm që kishte, si të tjerët, ëndrra dhe vizione: ai dëgjonte edhe “zëra” . Gino i mirë zemërohej kur përflitej për marrëdhëniet e tij të pastra të miqësisë, ose për ta thënë më mirë, ta përcaktoje si një të afërt me shêjtorët e parajsës. Gino Bartali zemërohej kur i kujtoje me maturi afërsinë e tij me engjëjt e qiellit, gjëra për të cilat fliste përherë, në çdo çast, në çdo rrotullim pedaleje. Apo kur po me maturi aludohej për ndrikullën e tij, dua të them për Virgjëreshën e Shêjtë. Gino skuqej prej zemërimit kur njerëzit i thoshin se për t’i dhënë një dorë Galibieri-t në vitin 1948, me siguri e kishte urdhëruar Shën Mëria apo Shën Rita da Cascia, Shën Kristofori i tij.

Curzio_Malaparte_3

Gino skuqej prej zemërimit kur e pyesnin nëse ishte e vërtetë se Ati i Shêjtë ka parashikuar për vitin 1949 një seri fitoresh madhështore, me kusht që ai të rrëfehej dhe të lidhej me Zotin çdo javë. Sepse besimi i Gino-s është i sinqertë dhe i flaktë, e, atij nuk i pëlqen të bëhet humor për këtë temë. “Unë jam një katolik i mirë”, thotë ai, si të dëshironte të na bindte se vetëm me këtë kusht mund të jetë një kampion i madh. Bartali zotëron besimin naiv, të thellë të torerove spanjollë. Çdo herë, para se t’i kundërvihet demit, ai ulet në gjunjë dhe lutet: çdo kohë, mbasi ka dhënë goditjen, ai ulet dhe lutet për të falënderuar Zotin që ia ka blatuar fitoren kundër rrugës, kundër kronometrit dhe kundër demit me emrin Coppi. Unë kam lindur në Saint Lucia, një fshat mbi kodrat e Chianti-t, me pamje nga Ponte Ema, vendlindje e Gino Bartali-t. Kohët e fundit, ndihmësfamilltari më tha se gjatë Giro d’Italia të fundit, një vajzë nga famullia e tij kishte parë një engjëll duke e shtyrë Bartali-n gjatë ngjitjes! Ky prift i mirë është krenar për Gino-n e tij, po aq sa Gino është për engjëllin e tij.

“A mund të ketë në botë një tjetër kampion i cili vrapon duke pasë mbi shpinë një engjëll?”, më thoshte ndihmësfamilltari i Saint Lucia-s. Natyrisht se nuk ekziston! Ose të paktën unë mendoj kështu dhe po kështu mendon edhe Fausto Coppi, rivali i Bartali-t. Coppi është piemontez dhe vjen prej atij lloji të njerëzve që nuk besojnë fort në ndihmën hyjnore. Unë do të thosha se ai është një volterian i pandërgjegjshëm. S’ka dyshim se ka diçka filozofike në rivalitetin sportiv që i kundërvihet Bartali-t, çka përfaqëson një nga aspektet më moderne të mosmarrëveshjes mes besimtarëve dhe njerëzve liberalë. Gino është biri i besimit. Fausto është biri i mendimit të lirë. Të dy bij të popullit – pasardhës prej pjesëve më të mira të italianëve (toskanët dhe piemontezët janë konsideruar me të drejtë, më inteligjentët midis italianëve) – në njëfarë mënyre ata përfaqësojnë dy rrymat më të mëdha të mendimit italian të kohës.

Bartali u përket atyre që besojnë në traditat dhe në pandryshueshmërinë e tyre, Coppi atyre që besojnë në përparimin. Gino është me atë që beson në dogmë, Fausto është me atë që refuzon besimin, në sport dhe në politikë, si në çdo fushë tjetër. Bartali beson tek e përtejmja, te parajsa, te shpengimi, te ringjallja, te çlirimi prej fajit, për të gjithë atë çka përbën thelbin e besimit katolik. Coppi është një racionalist, një shpirt kartezian, një shpirt skeptik, një njeri i mbushur me ironi dhe dyshime i cili i beson vetëm vetes së tij, muskujve të tij, mushkërive, fatit të mirë. Ah, fati! Bartali nuk beson në fatin. Fati i tij quhet Zot. Është ai që qeveris çdo gjë mbi Tokë, e pra edhe në rrugët. Gino është një i frymëzuar, Fausto është një skeptik.

“Shtëpia e Bartali-t është shtëpia e Zotit të mirë, – shkruante së fundmi Pierre About. – Në shtëpinë e tij, tryeza është e shtruar. Kuzhina është gjithmonë e populluar, furnelat punojnë pa pushim, dhomat e miqve nuk janë kurrë bosh. Vetëm altari ku ai thotë lutjet e tij është i paprekshëm. Gino lidhet gjithmonë me Shën Therese-n e Lisieux, teksa i ruan një statujë të bukur”. Fausto Coppi nuk është i mbrojtur nga një shêjtore. Ai nuk ka askënd në qiell që të kujdeset për të. Menaxheri i tij nuk arrin ta bëjë me krahë. Ai është vetëm. I vetëm mbi biçikletën e tij. Nuk udhëton duke pasur një engjëll në krah të djathtë. Ai është një njeri. Një “njeri” në kuptimin më modern dhe shkencor të fjalës. Bartali është një njeri në kuptim antik, klasik dhe metafizik të fjalës. Ai është një asket i cili në çdo çast e dorëzon dhe harron trupin, një mistik i cili beson vetëm në shpirtin e tij dhe në Shpirtin e Shêjtë. Gino e di që, nëse motori i Zotit ndal qoftë dhe prej një goditje të vetme, ai mund të pësojë humbjen. Bartali lutet duke pedaluar. Ai ngre kryet vetëm për të pa qiellin. Dhe u buzëqesh engjëjve të padukshëm. Fausto Coppi, përkundrazi, është një mekanik.

Ai beson vetëm te motori që i është besuar, që është trupi i tij. Gjatë gjithë etapës është ai që drejton: është vetëm ai që drejton makinën, trupin e tij. Qysh nga nisja deri te mbrrijtja e garës, ai nuk heq dorë asnjëherë së mbajturi nën kontroll këtë motor të pagabueshëm, delikat dhe të përsosur që është trupi i tij. Pedalon me krye ulë, me sytë e ngulitur në manometrat e padukshëm. Ai e di se një humbje sado e vogël e “vajit”, një goditje e vetme në krye, një çast i vetëm i mosfunksionimit të karburatorit, fikja e vetëm një qiriu, mund t’i kushtojë atij fitoren. Coppi nuk i trembet ferrit: ai i trembet vendit të dytë në mbërritje të etapës. Ai e di se ndoshta Bartali do të mbërrijë më parë në parajsë.

Por ç’rëndësi ka kjo? Fausto Coppi para së gjithash kërkon të mbërrijë i pari, këtu, në Tokë. Këta dy atletë të përsosur, nga më të mëdhejtë që ekzistojnë, kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri, mund të jenë dy përfaqësime të ndryshme të botës, dy mënyra të ndryshme të konceptimit të universit dhe ekzistencës. Dueli midis këtyre dy rivalëve, midis këtyre dy armiqve vëllazërorë, është më i bukuri, më i pastërti, më fisniku i cili kurrë nuk është parë deri më sot. Dhe sporti ndërkombëtar ndoshta kurrë nuk do të shohë më përballë njëri-tjetrit, dy kampionë që të mëshirojnë kësisoji, dy pamjet thelbësore të botës moderne. Edhe ndryshimi në moshë midis Coppi-t dhe Bartali-t mund të shpjegojë shumë gjëra në lidhje me rivalitetin e tyre. Gino ka lindur në 1914, Fausto në 1919. Bartali e ka realizuar pjesën e parë të karrierës së tij të mrekullueshme sportive Paraluftës së 1939.

Shpërthimi i parë i Coppi-t daton mû në 1939. Bartali tashmâ është një kampion i botës së shkuar, i vetmi i mbijetuar prej një qytetërimi të vrarë nga lufta: ai përfaqëson atë romantizëm shqetësues dhe tronditës që arriti kulmin në mes të luftrave dhe që e mbështolli botën moderne me shpirtin heroik të Europës së vjetër. Coppi është kampion i botës së re i lindur prej luftës dhe çlirimit: ai përfaqëson frymën racionale, shkencore, cinizmin, ironinë, skepticizmin e Europës së re, mungesën e imagjinatës të brezit të ri, kredon e tyre materialiste. Te Bartali, i cili ka lindur në një familje bujqish toskanë, mbizotëron bujku, me mistiken e tij elementare, me besimin e tij te Zoti, me mbështetjen e vlerave tradicionale të tokës.

Te Coppi, përkundrazi, ka përparësi punëtori, megjithëse edhe ai ka lindur në një familje fshatari. Por ndërsa Bartali kaloi nga parmenda te çiklizmi, Coppi, kur u martua me biçikletën, e kishte braktisur tokën. Bartali është biri i një zone të Toskanës që ka mbetë fshatarake, Coppi i një zone të Piemontit ku fshatari të duket i njomur me frymën “proletare”. Për të qenë edhe më i saktë, shtoj se Bartali vjen nga një familje bujqish me kontratë, Coppi nga një familje që punon me mëditje. Fausto është një njeri, Gino është një bujk. “Misteri” fizik i Bartali-t do të ishte i paspjegueshëm nëse do të harronim që virtyti themelor i fshatarëve toskanë është rezistenca, e shkrirë drejt një kahu ekonomik, qoftë ky fizik apo moral, që mandej shndërrohet në art. Humanizmi është më i pranishëm te Bartali se sa te Coppi. Bartali është një njeri, Coppi është një robot.

1949

(E përktheu BESNIK DIZDARI)

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"