Çoçlli e shikon si detyrim triumfin ndaj Flamurtarit: Ta vlerësojmë si vendimtarin e kësaj periudhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2020 | 10:33

Çoçlli e shikon si detyrim triumfin ndaj Flamurtarit: Ta vlerësojmë si vendimtarin e kësaj periudhe

Për trajnerin e Luftëtarit, Nikolin Çoçlli, fitorja me Flamurtarin është detyrë shtëpie. Trepikëshi me vlonjatët do amortizonte ndjeshëm pozitat në klasifikim. Ky është konkluzioni i trajnerit Çoçlli, dhënë për “Panorama Sport” një ditë para sfidës me Flamurtarin, teksa nuk heziton të shprehet edhe për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë.coclli-2

Ju vjen keq që nga Kupa ju eliminoi një ekip i Kategorisë së Parë?

Keq të vjen, por ekipi tregoi nivelin e duhur në lojë, duke pasur parasysh rezultatin e thellë në ndeshjen e parë. Ishim të kushtëzuar nga humbja 3-0 në Fier, por provuam me gjithë forcën dhe dëshirën e lojtarëve të rinj. E konsideruam si ndeshje Kupe dhe nuk kam asnjë merak.

Luani ndaj Flamurtarit, a mund të themi se fitorja është detyrim?

Jo vetëm detyrim, por është angazhim i çdo lojtari e pjesëtari të skuadrës që Flamurtarin ta vlerësojmë si vendimtarin e kësaj periudhe, aq më tepër që është një kundërshtar që ka lidhje me renditjen në klasifikim. Kemi synuar gjithmonë të mbajmë këtë distancë për ta mbajtur sa më larg Flamurtarin. Shpresoj të jetë dita e duhur për ne, që këtë distancë ta thellojmë dhe të mos largohemi nga vendi i tetë.

Keni diçka që ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje?

Absolutisht jo. Kemi punuar gjatë gjithë javës, edhe pse pak të sforcuar me ndeshjet e Kupës. Lojtarët kanë shprehur gatishmëri, kemi krijuar një konkurrencë në grup. Mund të ketë ndonjë luhatje, por them se konkurrenca do të sjellë zhvillim brenda skuadrës. Këtë kam synuar që në fillim. Të gjithë janë të barabartë dhe gëzojnë formë të mirë sportive, ndaj nuk na lejohet asnjë hap fals me Flamurtarin.

 A besoni ende se Luftëtari mund të mbijetojë në Superiore?

Për të mbijetuar, unë kam opsionet e mia. Mendoj se mbijetesa do të jetë e kushtëzuar, matematikisht është pak e vështirë. Por, ne do t’i bëjmë hyzmetin, do të japim gjithçka që kemi në fushë. Nuk do të tolerojmë askënd dhe do të bëjmë më të mirën për të treguar nivelin e skuadrës dhe lojtarëve. Në sezonin që do të vijë, Luftëtari do të jetë trampolinë për elementët e rinj, ndaj çdo strategji do kohën e vet.

Tomor Shehu

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"