CHAMPIONS/ Çelsi, në Rusi për…patinazh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2021 | 15:57

CHAMPIONS/ Çelsi, në Rusi për…patinazh

Çelsi ka humbur kreun e renditjes në Premier Ligë, pas disfatës me Uest Hemin në fundjavë dhe pa dyshim që për trajnerin Tomas Tuhel diçka e tillë nuk ka qenë aspak e bukur për t’u pranuar. Gjithsesi, blutë e Londrës do të kenë shansin që të kundërpërgjigjen në fushë, mbrëmjen e sotme ndaj Zenitit, në Shën Pjetërburg.

celsi

Ndeshja në fjalë vlen vendin e parë në grup, ku kampionët në fuqi të Champions-it duhet të fitojnë me çdo kusht, për të mos i dhënë shans Juventusit që të kualifikohen përpara tyre. Por ky mision nuk do të jetë shumë i lehtë, sepse pavarësisht faktit se Zeniti nuk ka se çfarë t’i kërkojë më shumë kësaj aventure europiane, është “nëna natyrë” ajo që ia vështirëson punët bluve të Londrës.

Pikësëpari lidhur me faktin se në Shën Pjetërburg ndeshja e sotme pritet të luhet në ngrica, me temperaturat e parashikuara që do të prekin -15 gradë celcius. Ky nuk është një lajm aspak i bukur, duke menduar edhe dëmtimet e shumta që kanë kapluar skuadrën e Tomas Tuhelit, por akoma më keq edhe lajmin se COVID-i është rikthyer në skuadër, duke prekur dhe infektuar mesfushorin kroat, Mateo Kovaçiç:

“Më e vështirë se kaq transferta në Rusi nuk mund të niste për ne. Kovaçiç është infektuar sërish me Koronavirus dhe është karantinuar në Londër. Ndërkohë, temperaturat e acarta që priten në Rusi do të na vënë përpara rrezikut të ndonjë dëmtimi të mundshëm, ndaj duhet të tregohemi shumë inteligjentë në fushë dhe të bëjmë kujdes. Duam të fitojmë ndaj Zenitit, por fatkeqësisht kam edhe mjaft lojtarë të kontraktuar, të cilët nuk mund t’i rrezikoj.

Një prej tyre është Kante, i cili edhe pse po bën çmos që të rikthehet me grupin, ka ende dhimbje. Ngolo është një djalë fantastik dhe më tha që nëse duheshe ishte gati të shtrëngonte dhëmbët, por nuk dua ta rrezikoj. Edhe Zhorzhinjo nuk do të jetë, pasi ka dhimbje në shpinë, ndërsa siç e dimë Çilluell është i dëmtuar, por edhe Shalobah ka shqetësime. Ndaj, për Zenitin më duhet të shpik diçka në formacion”, përfundoi trajneri i Çelsit, Tomas Tuhel.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"