Çfarë kampioni, Kante refuzon pagesat e fshehta nga Çelsi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 11:38

Çfarë kampioni, Kante refuzon pagesat e fshehta nga Çelsi

Nuk është hera e parë që N’Golo Kante i bën të gjithë për vete. Shpërthyes në fushë dhe i turpshëm jashtë saj. Këtë herë ka përfunduar sërish në një situatë që përbën lajm. Të gjithë prozhektorët janë drejtuar nga kampioni i botës me Francën për një sjellje… normale.

Kante-1-750x430 (1)

Sepse në fakt në kontratat dhe investigimet e “Football Leaks” përfundojnë futbollistët që fshehin të ardhurat, përfitojnë klauzola të çmendura, etj. Por, Kante përbën lajm për thjeshtësinë e tij dhe për refuzimin që u ka bërë pagesave në llogari bankare të fshehta. Kante nuk ka pranuar dhe ka thënë se është mjaftuar me pagën e tij.

ÇFARË KAMPIONI- Sipas uebsajtit francez “Mediapart”, 6 muaj përpara se Kante të largohej nga Leiçesteri në vitin 2016 një kompani e quajtur “NK Promotions” regjistrohet në Xhersi me tentativën për të paguar 10 për qind të të ardhurave të imazhit të lojtarit në mënyrë që të shmangte taksat.

ngolo-kante-france_smge7yh0pzha1ik8if67ue003

“Mediapart” është e paqartë nëse kjo kompani është krijuar nga Çelsi apo nga të afërmit e mesfushorit. Në fillim, avokati i lojtarit kishte dhënë lejen për miratimin e këtij transaksioni, por vitin e kaluar Kante këmbënguli që të refuzonte çdo pagesë “offshore”. “Ngolo Kante është i qartë, kërkon vetëm një pagë normale”, ka shkruar konsulenti ekonomik në një e-mail të vitit 2017, i cili i drejtohej skuadrës së Çelsit.

Në një futboll që shifrat e çmendura po bëjnë ligjin, ka edhe futbollistë që duhen marrë shembull. Ai është Kante. Imagjinojeni, kishte turp të kërkonte Kupën e Botës për të bërë foto, pasi u shpall kampion…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"