Çështja “Eriksen”, Marota dhe Auzilio tratativë me “video-call” deri në mesnatë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 24, 2020 | 8:18

Bota FB LAJMI KRYESOR Seria A Të fundit

Çështja “Eriksen”, Marota dhe Auzilio tratativë me “video-call” deri në mesnatë

Pas zyrtarizimit dhe kompletimit të dokumentacionit për Viktor Mozesin, por edhe një takimi me drejtuesit e Napolit për çështjen “Politano”, dy njerëzit e merkatos së Interit janë vënë në punë për të mbyllur sa më shpejt dhe për të mos zgjatur më edhe afrimin e Kristian Eriksenit në Milano. 

Eriksen

Administratori i deleguar, Xhuzepe Marota, dhe drejtori sportiv, Piero Auzilio, kanë pasur një maratonë të gjatë deri pranë mesnatës. Në orën 19:35 të pasdites, të dy janë parë që fillimisht t’i drejtohen restorantit të hoteli milanez, ku fillimisht kanë darkuar dhe më pas kanë zgjedhur nga një ambient privat për të nisur bisedimet me anë të “video-call”-it. Në një anë të ekranit ishte Piero Auzilio me menaxherin e Eriksenit, Martin Skots, ndërsa Xhuzepe Marota ishte në bisedë me mediatorin Frenk Trimboli, mediatori i transferimit dhe zëri i presidentit të Totenhemit, Daniel Levi.

Marota Ausilio

Maratona nuk ka qenë sigurisht aspak e lehtë: nëse komunikimi i kapur nga gazetarët italianë në terren nënvizon se në orën 20:05 kanë nisur bisedimet, në 20:55 ka ardhur edhe oferta e parë zikaltër, por që është refuzuar: 15 milionë euro, plus 5 milionë euro bonuse. Por pikërisht bonuset kanë ndarë palët, duke qenë se 3 milionë Interi i ofronte nëse fantazisti danez do të luante 80 për qind të ndeshjeve të mbetura sezonale (mes Serisë A, Ligës së Europës dhe Kupës së Italisë), ndërsa 2 milionë në rast të kualifikimit në Champions.

Eriksen.Tottenham.2020.serio.750x450

Por pikërisht këta 3 milionët “e vështirë”, kanë bërë Totenhemit të thotë “jo”. Ndërkohë, pas bisedimesh e rivlerësimesh, në orën 22:14 ka ardhur edhe oferta e dytë e Interit: 16 milionë euro, plus 3 milionë bonuse pa kushte për Kristian Eriksen. Kjo ofertë e dytë, e bërë nga Xhuzepe Marota duket se josh Totenhemin, ndonëse mes Auzilios dhe menaxherit të lojtarit, Skots, janë konfirmuar bazat e akordit ekonomik me lojtarin, prej 7.5 milionë eurosh neto, plus 2.5 milionë euro bonuse. Me pak fjalë, edhe pse bisedimet zgjatën thuajse deri në mesnatë (Auzilio e Marota u larguan nga hoteli në orën 23:11) akordi me yllin e Totenhemit është fare pranë për Interin.

/PANORAMASPORT.AL/




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com