“Çdo sfidë e mbetur është si finale”, Hallaçi: E njohim mirë Erzenin, kam lojtarë fantastikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2023 | 13:02

“Çdo sfidë e mbetur është si finale”, Hallaçi: E njohim mirë Erzenin, kam lojtarë fantastikë

Kukësi e ka lënë pas eliminimin nga Kupa e Shqipërisë dhe tani të gjitha forcat do t’i përqendrojë në kampionat.

Hallaci Kukesi

Përballë do të kenë sot skuadrën e Erzenit në 17:00 në Durrës, që qëndron dy pikë mbi ta, por një fitore do t’u jepte shansin t’i parakalonin dhe të ngjiteshin edhe më tej në klasifikim. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Rraman Hallaçi është optimist përpara kësaj sfide, teksa thekson se do të bëjnë maksimumin si në çdo ndeshje. Sipas tij, lojtarët po i përgjigjen mirë në fushë, duke i konsideruar ata edhe si fantastikë, ndaj besimi për një rezultat pozitiv nuk i mungon. Sakaq, me ndeshjet që verilindorët kanë zhvilluar me të në krye, sot do të ishin në vendin e parë, duke treguar ecurinë mbresëlënëse të bluve në 12 javët e fundit.

Si e prisni ndeshjen me Erzenin?

E njohim Erzenin mirë. Vlerësimi ndaj tyre do të jetë si ndaj çdo kundërshtari të radhës. Të gjithë skuadrat i kemi vlerësuar maksimalisht. Do ta luajmë ndeshjen si gjithmonë duke thënë që të gjitha sfidat e mbetura do t’i shohim si finale.

Një ndeshje që ju jep mundësinë të konsolidoni pozitat në tabelë në rast fitoreje dhe në të kundërt të rrezikoheni sërish për mbijetesën…

Do të luajmë dhe më pas të shohim si janë gjërat. Rëndësi ka që ne të bëjmë lojën tonë si në ndeshjet e fundit, duke krijuar presion në të gjithë fushën te kundërshtari.

Mendoni se eliminimi nga Kupa do të bëjë që Kukësi të jetë më i fokusuar tani në kampionat?

Kupa është mbyllur dhe nuk flasim më për të. Përqendrimi është te kjo ndeshje, që është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë. Patjetër do të japim maksimumin që të arrijmë më të mirën.

Në transferta Kukësi thuajse pëson gjithnjë gol, keni diçka për të rregulluar në këtë aspekt?

Kemi shumë gjëra për të përmirësuar të gjithë si skuadër. Deri tani është e dukshme që skuadra ka bërë progres dhe duhet të vazhdojmë duke u ngritur.

E dini që Kukësi do të ishte në krye të renditjes nëse llogariten këto 12 javë që ju jeni në krye? Si ndiheni?

Faleminderit për pyetjen pozitive ndaj meje. Jemi munduar të bëjmë më të mirën për skuadrën. Më besoni, më duhen 4 orë të plota që të vendos për çdo seancë stërvitore, jam shumë i fokusuar te stërvitja. Nuk dua të gaboj në asnjë stërvitje, mendoj në detaje kur duhet ngarkesa fizike dhe kur duhet ulur ritmi. Me kualitetet që kam në skuadër, ashtu e ndërtoj edhe stërvitjen. I shoh me shumë kujdes gjërat. Shpresoj dhe kam besim që me këta lojtarë që më kuptojnë të gjitha idetë dhe më vlerësojnë në çdo zgjedhje taktike që bëj, besoj që do ta mbyllim mirë sezonin. Kam një grup lojtarësh fantastikë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"