Calja lë pas krahëve dëmtimin: Në top formë për Botërorin, synoj medalje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2022 | 19:14

Calja lë pas krahëve dëmtimin: Në top formë për Botërorin, synoj medalje

Me medalje ari në Kampionatin Botëror, kampion i trefishtë Europe, vendi i katërt dhe barazim rekordi në Lojëra Olimpike, peshëngritësi Briken Calja regjistron rezultatet më të larta që ka arritur ndonjëherë një sportist shqiptar. Por ky vit nuk ka shkuar ashtu sikurse shpresonte kampioni nga Shtërmeni, pasi një dëmtim në shpatull i kushtëzoi garën në Europianin e mbajtur në Tiranë, në një kohë kur po kalonte një formë të shkëlqyer.

calja

Dëmtim që e mbajti edhe jashtë Lojërave Mesdhetare. Megjithatë, Calja po i lë pas krahëve problemet, teksa vijon rikuperimin për t’u rikthyer edhe më i fortë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon gjendje e tij aktuale dhe objektivat, ku sigurisht në fokus kryesor është Botërori që do të mbahet në dhjetor në Kolumbi. 32-vjeçari flet gjithashtu edhe për ndryshimet ligjore për sportin.

Si paraqitet gjendja juaj sot dhe si po ju shkon rikuperimi?
Momentalisht jam një fazë rikuperimi dhe falë zotit jam mirë. Nuk kam dhimbje dhe kjo është shumë e rëndësishme e më kryesorja. Besoj që do t’ia dal, sepse edhe nga ana fizike jam shumë mirë. Por tani duhet t’ia lemë edhe kohës, por besoj që do të jemi në top formë përsëri.

Dëmtimi i Europianit ju la edhe jashtë Lojërave Mesdhetare, një tjetër garë ku ju ishit favorit për medalje…
Realisht që të vjen keq, sepse ishin rezultate shumë të prekshme për mua, pasi isha edhe më lart sa aq. Para Europianit ku kisha një formë jashtëzakonisht të mirë, si në Kampionatin Kombëtar, apo në një test që bëra para garës, në të cilin theva edhe rekord europian. Pra isha në një superformë dhe të vjen keq, por ky është sporti dhe duhet t’i pranosh edhe këto situata të vështira.

Pas Kampionatit Europian, ndonëse ishit në një moment të vështirë, premtuat se do të riktheheni edhe më i fortë. A po rikthehet Briken Calja?
Pa diskutim që po, siç e thashë nga ana fizike jam shumë mirë dhe ky është lajmi më i mirë. Shpresoj dhe besoj që do t’ia dal ashtu sikurse kam bërë gjithmonë.

Cili është objektivi që i keni vendosur vetes?
Objektivi është thyerja e rezultateve të mia personale, qoftë edhe me 1 kg. Pra përmirësimi qoftë edhe me 1 kg do të thotë minimalisht një vend mes 5 sportistëve më të mirë të botës. Po flasim për rezultate dhe medalje dhe jo thjesht për pjesëmarrje në Botëror.

Qeveria bëri një ligj të mirë për shpërblimet e peshëngritjes, por nga ana tjetër kolegët tuaj janë shprehur se kemi një ngërç me ligjin e punësimit. Cili është opinioni juaj?
Në fakt unë personalisht kam dy vite që jam punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa për kolegët nuk kam shumë informacion, di vetëm që e kanë futur dokumentacionin. Është shumë mirë që i jepet vëmendje sportit dhe kanë ndryshuar shumë gjëra e kjo duhet pranuar. Unë kam pasur kritika ndaj qeverisë dhe normalisht do të ketë sërish nëse nuk do të vazhdojnë të përmirësojnë kushtet, por duhet pranuar që ka pasur ndryshime dhe duhen përshëndetur. Po përmend ligjin për peshëngritjen, por edhe për të gjitha sportet, për shembull edhe atletika, ku në rastin e Luiza Gegës, e cila mund të garojë si në 3000 metra, por edhe në 5000 metra dhe paguhet për të dyja rezultatet.

Një diçka tjetër, që është edhe një ndër ligjet më mira që është bërë, ka të bëjë me gradën që përfitojmë për të gjithë jetën. Kjo është edhe ajo që ne kemi kërkuar, që të punojmë dhe të marrim diçka, mos të rrimë rrugëve sepse kemi dhënë jetën në sport. Sipas rezultatin le të marrim edhe mbështetjen, sepse nuk mund ta marrim të gjithë njësoj. Ky është një ndër ligjet që i përshtatet më së miri sportit dhe që ja vlen të sakrifikosh. Ne e dimë shumë që një ditë do të lemë sportin dhe do të kemi problem, kështu që kjo është ndër gjërat më të mira që është bërë. Ndërsa plotësimin përfundimtar e bën ligji i sponsorizmit. Na kanë thënë që do të bëhet, tani shpresojmë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"