Buxheti i Lushnjës, 43.5 milionë lekë për shtatorin/ Nga rrogat tek uji, ja si shpërndahen shpenzimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2021 | 17:39

Buxheti i Lushnjës, 43.5 milionë lekë për shtatorin/ Nga rrogat tek uji, ja si shpërndahen shpenzimet

Lushnja financohet nga bashkia, e megjithatë është ndër ato klube që vetëm për para nuk vuan. Me buxhetin vjetor që kanë mund të përballojnë me sukses një edicion, por edhe të pretendojnë. Vetëm për muajin shtator, kur starton edhe kampionati, janë parashikuar 43,5 milionë lekë (të vjetër) për t’u shpenzuar, me një mesatare 1 milion e 450 mijë lekë (të vjetër) në ditë.

Lushnja

Vlerën më të madhe e kapin pagat e personelit, ku veç zyrtarëve, specialistëve dhe punonjësve, përfshihen edhe 10 trajnerë dhe 25 futbollistë. Më tej janë shpenzimet operative dhe investimi në fushën e Plugut. Gazeta “Panorama Sport” sjell të plotë tabelën e shpenzimet koherente për muajin shtator.

VIZITAT DHE FEDERIMET

Ndërkohë, klubi ka federuar deri më tani 23 futbollistë. Afati i fundit është data 5 shtator, por drejtuesit i kanë mbyllur këto llogari që në ditën e parë të muajit. Gjithçka është gati te verdhejeshilët, aq sa lojtarët kanë kryer edhe kontrollet mjekësore: analiza e EKG. Të gjithë lojtarët janë nën kontratë 1-vjeçare me Bashkinë e Lushnjës.

VONOJNË PUNIMET

Bashkia e Lushnjës nuk e ka nisur ende investimin në fushën sportive të Plugut. Edhe pse Këshilli Bashkiak në mbledhjen e qershorit miratoi një shpenzim në vlerën 6,582,266 lekë (të rinj) për riparimin e fushës së Plugut, të shtrirë në 4 muaj (gusht-nëntor), punimet nuk kanë filluar. Kjo fushë është jashtë funksionit prej 13 vjetësh.

Më parë ka qenë nën juridiksionin e Komunës së Golemit, por me reformën administrativo-territoriale kaloi nën juridiksionin e Bashkisë së Lushnjës. Për të zgjidhur problemin e mungesës së një terreni stërvitor, për skuadrën e Lushnjës, anëtarët e asamblesë miratuan këtë fond prej 66 milionë lekësh, brenda subvencionit prej 400 milionë lekësh (të vjetër) që jep Bashkia e Lushnjës për futbollin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"