Bushi e la jashtë Shpresave, Greqia gati të rrëmbejë talentin tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 21:50

Bushi e la jashtë Shpresave, Greqia gati të rrëmbejë talentin tjetër

Rezart Rama, ishkapiteni i Kombëtares shqiptare U19, mund të luajë për Greqinë në të ardhmen.

rama-1

Mbrojtësi i djathtë që luan te Notingem Forest në Championship (Kategoria e Parë) në Angli, por që është në pronësi të Olimpiakosit, duket se është mërzitur që trajneri i Shpresave, Alban Bushi, e ka lënë për herë të dytë jashtë.

Sipas “Sportime.gr”, futbollisti është në negociata me federatën helene dhe mund të ndjekë rrugën e Dyrmishajt dhe Vrushajt. Ja çfarë shkruhet në artikullin për talentin shqiptar: “Rezart Rama është një hap më afër bashkimit me shpresat e Greqisë. Trajneri i përfaqësueses të Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi, njoftoi listën zyrtare të U-21, në prag të ndeshjes me Kosovën, por Rezart Rama është për të dytën herë radhazi jashtë.

Mbrojtësi i djathtë 18- vjeçar po luan te Notingem Forest U-23 dhe në 7 ndeshjet e para është aktivizuar si titullar në Angli. Aktualisht, ata janë të parët në klasifikim. Gjatë kësaj kohe kanë shfaqur interes për Ramën edhe shpresat e Greqisë. Sidoqoftë, ai vazhdonte të priste ftesën e Shqipërisë, duke vonuar përgjigjen e tij te pala greke. Kujtojmë se Rama ka qenë kapiteni i Shqipërisë me U-15, U-17 dhe U-19, por Alban Bushi e ka lënë për herë të dytë jashtë listës dhe kjo gjë po ia bën më të lehtë zgjedhjen Ramës, në mënyrë që ai të ndërrojë kombëtare.

Me sa duket, Shqipëria nuk beson tek ai. I njohur nga e kaluara e tij greke në Levadhiakos dhe Kalamaria, Bushi ishte gjithashtu trajneri i Durmishajit dhe Vrushajt në Kombëtaren shqiptare. Të dy ata përfundimisht zgjodhën Greqinë. Me këta precedentë dhe duke parë trajtimin e Ramës, nuk është çudi që edhe Rezart Rama (lindur në Greqi, 4.12.2000), të marrë së shpejti të njëjtën rrugë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"