Briken Calja fitoi dy medalje në Europian, reagon presidenti Meta: Një ngjarje e madhe, faqezinjtë e politikës sonë nuk kanë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 10:04

Briken Calja fitoi dy medalje në Europian, reagon presidenti Meta: Një ngjarje e madhe, faqezinjtë e politikës sonë nuk kanë…

Briken Calja vijon ta ngjisë flamurin tonë kombëtar në podiumet e aktiviteteve madhore ndërkombëtare. Peshëngritësi shtërmenas i dhuroi Shqipërisë një medalje argjendi dhe një bronzi në Kampionatin Europian që po mbahet në Rusi, duke shënuar një tjetër paraqitje historike për shtangën kuqezi.

briken calja

Medaljet mund të ishin tri, por Calja ishte i pafat pasi për vetëm 100 gram peshë trupore humbi bronzin në stilin shkëputjes. Ndonëse na ka mësuar “keq” me medalje të arta të përvitshme në Europian, rezultati i djeshëm mbetet një arritje e shkëlqyer për peshëngritësin shtërmenas dhe për vendin tonë, pasi bëhet fjalë për një event ku marrin pjesë shtangistët më të mirë të kontinentit, që përfaqësojnë shtete me infrastrukturë dhe investime shumë herë më të mira se Shqipëria.

ilir-meta-675x450

Kampioni shqiptar ka marrë ditën e sotme bekimet e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, i ka shprehur mirnjohje të thellë Caljes, për suksesin e arritur. “Duhet t’u jemi përherë mirënjohës dhe mbështetës të gjithë sportistëve elitarë kuqezinj si Brikeni, të cilët e lartësojnë flamurin dhe imazhin e Shqipërisë, aty ku faqezinjtë e politikës sonë nuk kanë arritur dot”, shkruan ndër të tjera presidenti Meta.

POSTIMI I PLOTË:

Kënaqësi e veçantë të uroja nëpërmjet një bisede telefonike Kampionin kuqezi, Briken Calja për fitoren e Medaljes së Argjendit në shtytje dhe të Bronzit në dygarësh, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Moskë.  Një tjetër sukses i merituar personal dhe një ngjarje e madhe për peshëngritjen tonë, që për të pestin vit radhazi siguron medalje në garat ndërkombëtare konkurruese, falë talentit, punës e përkushtimit të Kampionit Calja dhe trajnerit të tij të madh Gerald Toska. Sportistë të kalibrit të tij na lumturojnë, na nderojnë dhe na bëjnë krenarë të gjithëve.

Ata janë jo vetëm model frymëzimi për gjeneratat e reja, por edhe ambasadorët tanë më të mirë në botë.  Duhet t’u jemi përherë mirënjohës dhe mbështetës të gjithë sportistëve elitarë kuqezinj si Brikeni, të cilët e lartësojnë flamurin dhe imazhin e Shqipërisë, aty ku faqezinjtë e politikës sonë nuk kanë arritur dot.  Jam i bindur se sukseset më të mëdha të Kampionit tonë të peshëngritjes do të jenë ato të radhës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"