Braziliani Xhunior: Bëra mirë që u largova nga Kukësi, ja pse festova si Ronaldo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 15:05

Braziliani Xhunior: Bëra mirë që u largova nga Kukësi, ja pse festova si Ronaldo

Kastriotit i ikën nga duart dy pikë në minutën e fundit 2 në ndeshjen e së dielës ndaj Laçit, kjo pasi kurbinasit arritën të barazonin në limitet e kohës së rregullt. Golin e Kastriotit e shënoi mesfushori brazilian, Roxher Xhunior, i cili mbërriti në Shqipëri si një afrim i bujshëm te Kukësi. Bëhet fjalë për në fillimet e merkatos së verës, kur trajner ishte Peter Pakult, që personalisht kishte kërkuar që pjesë të skuadrës së tij të kishte edhe brazilianin Xhunior.

bandicam 2018-09-23 17-26-22-886

Mirëpo, duke qenë se braziliani ishte një afrim i ri, i papërshtatur ende mirë me skuadrën, nuk u grumbullua në listën për ndeshjet europiane të Kukësit. Lëvizjet në pankinën e  skuadrës së verilindorëve e lanë Xhunior jashtë planeve, e më pas për të u interesua Kastrioti. Palët ranë dakord dhe braziliani u transferua në Krujë në formë huazimi. Të dielën Xhunior luante takimin e tretë me fanellën e Kastriotit, ku dhe ia arriti të shënonte. Në lidhje me transferimin e tij në Shqipëri, lëvizjen nga Kukësi te Kastrioti, festën e golit si Ronaldo dhe ambientin që gjeti në Krujë, braziliani i rrëfen të gjitha në prononcimin e tij ekskluziv për “Panorama Sport”.

RRËFIMI – “Në Shqipëri kam ardhur nga ‘Fusion Group Agency’ dhe më vjen mirë që kam zgjedhur një vend të mrekullueshëm si Shqipëria për të vazhduar karrierën. Si te Kukësi, ashtu edhe këtu te Kastrioti, kam gjetur një ambient me të vërtetë shumë miqësor. Nëse në Kukës pati ndryshime, kalimi im te Kastrioti besoj se ishte një vendim i drejtë që unë kam marrë. Këtu jam ambientuar shpejt dhe po ndihem si në shtëpinë time.

Mbase përshtatja me skuadrën nuk ka qenë e shpejtë dhe kjo është vënë re në ndeshjet e mëparshme, por besoj që në atë të fundit ndaj Laçit, deri diku dhe jo vetëm unë, por e gjithë skuadra, erdhi më ndryshe në lojë. Goli? Jam i lumtur që shënova, por jo dhe aq i gëzuar me barazimin. Do të doja që ai gol të kishte vlerën e tri pikëve. Ky gol ishte fryt i punës së palodhur të të gjithëve neve që ishim në fushë, i trajnerit Plori që na ka përgatitur gjatë gjithë javës.

Dhe si dedikim shkon për të gjithë skuadrën dhe tifozët e pranishëm. Uroj që ky gol të jetë një pikë kthese për ekipin, për të vazhduar me rezultate pozitive edhe në ndeshjet e radhës. Festimi si Ronaldo? Ishte diçka e momentit. Ronaldo është një djalë që i pëlqen të duket, punon dhe kujdeset për veten e tij çdo ditë. Kjo e identifikon atë. Festimi i tij është një nga më pëlqyerit edhe për mua”, deklaroi 25-vjeçari, emri i plotë i të cilit është Roxher Xhunior Rodrigez.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"