“Bomberi” brazilian: Ngjisim Dinamon, dua të shënoj në çdo ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 23:20

“Bomberi” brazilian: Ngjisim Dinamon, dua të shënoj në çdo ndeshje

Dinamo ka një “bomber” në ekip dhe ai quhet Diogo da Silva. Ka ardhur gjatë merkatos së verës, por direkt dëshmoi cilësitë e tij si golashënues. Këtë e dëshmojnë më së miri 5 rrjetat e shënuara, çka e bëjnë kandidat për “Këpucën e Artë”. E megjithatë, vetë braziliani nuk është shumë i kënaqur me këtë shifër. Ai premton shumë më shumë, ndonëse prioritet i jep veçse ngjitjes në elitë. Këtë e pohon edhe gjatë intervistës së dhënë enkas për “Panorama Sport”.

Almeida dhe Da Silva Dinamo logo

Dinamo kryeson e vetme Grupin A, i kënaqur me ecurinë e fazën e parë?

Dinamo nuk kënaqet kurrë. I njohim mirë cilësitë tona. Vërtet jemi të parët, por ndonjë pikë më shumë mund ta kishim. Këtu kam parasysh dy ndeshje, ku mund të fitonim dhe të barazonim.

Po vetë Diogo, a mjaftohet me 5 golat që ka shënuar?

Një sulmues dëshiron të shënojë sa më shumë. Kjo është edhe detyra jonë në fund të fundit. E megjithatë, rëndësi ka që të shkojë topi në rrjetë dhe marrim pikët.

Sa gola premtoni deri në mbyllje të sezonit?

Misioni im është që të shënoj sa më shumë gola. Shifër nuk jap dot, por nëse ia dal në çdo ndeshje, do të ishte OK.

A ju ka ardhur ndonjë ofertë tunduese gjatë merkatos?

Unë jam në kontratë me Dinamon dhe nuk kam pasur asnjë propozim. Jam i qetë për këtë dhe i përqendruar i gjithë tek ekipi im.

Do ta linit Dinamon për ndonjë ekip të Superiores?

Jo. Synimi dhe dëshira jonë e vetme është të arrijmë objektivin. Jam në kontratë me Dinamon dhe më pëlqen skuadra e shokët e ekipit, drejtuesit e me radhë.

Nuk jeni i vetmi kandidat për “Këpucën e Artë”, a i shihni si rivalë Kainën e Besës dhe Skukën e Korabit?

Besoj që të tre jemi sulmues të mirë. Kainën e ndjek në mediat sociale, por ende nuk kemi pasur ndonjë kontakt. Skukën e njoh nga afër, pasi kemi luajtur si kundërshtarë. Fizikisht jemi të fortë e kemi fizionomi të mirë, sepse jemi të gjatë. Kam respekt për ta, por unë shoh vetëm punën time, ekipin tim dhe objektivin tonë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"