Bomberat jashtë mode? Jo për Juven e Milanin. Nga Reali te Bajerni e PSG-ja, zero euro për sulmin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 14, 2018 | 22:51

Bomberat jashtë mode? Jo për Juven e Milanin. Nga Reali te Bajerni e PSG-ja, zero euro për sulmin

Tendenca e sezonit të merkatos së këtij viti 2018 duket sikur ka nxjerrë jashtë mode bomberin e kohëve të vjetra. Skuadrat e mëdha europiane duket sikur kanë hequr dorë nga “pykat” e sulmit. Dhe jo sepse ato nuk ekzistojnë më, përkundrazi, por sepse shumë prej klubeve nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga lojtarët e tyre të talentuar dhe alternativat apo zëvendësuesit e mundshëm që kushtojnë shumë. Në një verë si ajo e Botërorit, në të cilën edhe portierët kanë kushtuar nga 60 e deri në 80 milionë euro, apo mesfushorët e qendrës dhe anësorët ofensivë kapën kuotat 60-70 milionë euro, mes tyre spikati CR7.

Cristiano-Ronaldo-1002667

GJITHMONË KRISTIANO

Po, gjithmonë Kristiano Ronaldo, “delja e zezë” e sulmuesve që dukeshin të pashitshëm. Sepse pa “mërgimin” e tij nuk do të kishte lëvizur askush, duke krijuar një miniefekt domino deri tani, i cili përfshiu edhe Milanin, që ishte shumë i lumtur për të mirëpritur Higuainin, në kushtet financiare më komode të mundshme. Shpenzime “top” për futbollistët “top” nga ana e Juventusit, por çfarë vështirësie për të lëvizur bomberat nga ekipet e tyre. Në rrethin e skuadrave të mëdha europiane (në disa për meritë, ndërsa në disa të tjera për histori), ndoshta vetëm Milani ishte skuadra që duhej të provonte të blinte një sulmues të madh dhe ia doli, edhe kjo gjithmonë falë Kristiano Ronaldos.

NË SPANJË, PAK LËVIZJE

Reali i Madridit, prej disa sezonesh, duke përjashtuar ndryshimet në modul, luante me dyshen Ronaldo-Benzema. Largimi i portugezit nuk përfshinte qëndrimin e sigurt të francezit, por që sërish u konfirmua pavarësisht shumë zërave të merkatos rreth tij. Edhe Barcelona ka një numër 9 të sajin, ndonëse ai nuk është ylli i skuadrës: Luis Suarezin, krahun e djathtë të Lionel Mesit. Të gjithë në vendet e tyre edhe tek Atletiko Madrid, ku përkundrazi shtuan edhe një tjetër sulmues, Nikola Kaliniç nga Milani, por që nuk është një “top player”, me Antuan Grizmanin dhe Diego Kostën që nuk i shqetësohet roli i titullarit. Ndoshta, në lidhje me bomberat e zonës mund të përmendim edhe Sevijën, e cila bëri goditjen Andre Silva nga Milani, por fakt është që ky klub nuk hyn në elitë dhe akoma më shumë portugezi që ata kanë blerë, i cili nuk dha sinjale pozitive në Serinë A, për të shpërblyer 38 milionët që u paguan për të.

KAPITULLI LEVA-KAVANI

Mes Robertit dhe Bajernit u duk sikur kishte hyrë Reali, por më pas… zero, asgjë… Levandovski qëndroi te Bajerni i Mynihut, pavarësisht kërkesave të qarta të polakut për t’u larguar në drejtim të Madridit. Por pa shitjen e Benzemasë, kufij për transferimin nuk kishte. Pak a shumë e njëjta gjë që i ndodhi edhe Edinson Kavanit te PSG-ja, i cili ende sot formon një tredhëmbësh të frikshëm me Mbapenë dhe Nejmarin. Dhe të mendosh që as konfliktet brenda repartit nuk bënë që divorci të ndodhte…

ANGLEZET NUK NDRYSHOJNË

Mançester Siti vazhdon të shijojë dhe t’u besojë dy numrave “9” që ka në skuadër, edhe pse numra “9” të stilit të vjetër nuk janë: Gabriel Zhezus dhe Serxho Aguero. Njësoj si Zhoze Murinjo, i cili nuk i shtoi skuadrës së tij një “top player”, por të paktën as e humbi atë, duke qenë se Romelo Lukaku qëndroi. Njësoj si Roberto Firmino, në një Liverpul që ka derdhur disa thasë me parà, por jo për një bomber.

Në Premier Ligë, “top player”-i mbetet ai: Herri Kejn. Fenomeni anglez, kryegolashënuesi i Botërorit “Rusi 2018”, nuk u afrua kurrë realisht nga një prej klubeve të mëdha europiane, pavarësisht sondazheve apo ëndrrave në sirtar dhe që nuk dolën kurrë prej aty të skuadrave si Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit. Dhe nëse kjo ishte një mungesë besimi kundrejt Kejnit apo një blindim total nga ana e Totenhemit, gjithkush, skeptik apo admirues, mund të thotë mendimin e tij… Ata që e mbyllin panoramën e bomberave të vërtetë të Premier Ligës janë Pierr-Emerik Obamejang i Arsenalit dhe Alvaro Morata i Çelsit.

Capture

NDRYSHON VETËM ITALIA

Pikërisht kështu… Në “pellgun” e sulmuesve të merkatos së verës 2018 del në sipërfaqe Italia. Seria A u shndërrua në protagoniste e vetme të lëvizjeve të mëdha, me Juventusin dhe Milanin, të cilat bënë të tyret dy prej lojtarëve ofensivë më të fortë në qarkullim. Sigurisht, që të dyja operacionet lidheshin ngushtë me njër-tjetrin, me Kristiano Ronaldon nën petkun bardhezi dhe Gonzalo Higuainin te Milani. Një “biznes” pozitiv për të gjithë, por i vetmi në Itali. Kjo, sepse nga ana tjetër Interi blindoi Mauro Ikardin, ashtu sikurse Roma e ka mbajtur fort Edin Xhekon, ndërsa te Napoli “bomberi” kryesor mbetet Dris Mertens, në mos të ndonjë shpërthimi të papritur të Arkadiuz Milikut, apo Patrik Shikut në ngjyrat verdhekuqe.

Përgatiti: JETON STAMOLLA





www.minuta90.com