Bombastike, Ronaldo ikën nga Juventusi pa Champions-in. E mbyll karrierën te…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 19:30

Bombastike, Ronaldo ikën nga Juventusi pa Champions-in. E mbyll karrierën te…

Kristiano Ronaldo do të largohet nga Juventusi në fund të sezonit, nëse skuadra dhe ai nuk do të arrijnë të fitojnë Ligën e Kampioneve”. Është ky lajmi bombastik që vjen nga Eduardo Inda, drejtori i “OK Diario”, i cili ishte njëkohësisht edhe i pari (ose ndër të parët) që lajmëroi edhe blerjen e shekullit nga ana e “Zonjës së Vjetër”, pas një interviste për “Chiringuito” në verën e vitit 2018.

ronaldo.juve.2019.20.milan.750x450

Por Inda rikthehet në skenë duke sjellë tri lajme brenda një të vetmi, me deklaratën e tij: “Ronaldo e kupton që vitet po kalojnë dhe duke qenë ende shumë i lidhur me Mançester Junajtidin, ai e ka vendosur se nëse nuk arrin që të sjellë Champions-in në Torino, atëherë do të kërkojë që të luajë edhe një ose dy sezone me ‘Djajtë e kuq’, një fanellë me të cilën mund të vendosë të mbyllë edhe karrierën.

kristiano ronaldo

Drejtuesit e Juves janë lajmëruar për këtë gjë dhe sigurisht që kartoni i Ronaldos do të paguhet nga ana e anglezëve, ndonëse shuma nuk do të jetë më 100 milionë euro, – vazhdon gazetari spanjoll. – Kampionët e Italisë ndërkohë kanë nisur që të marrin masat, edhe pse pa dyshim që ata janë të përqendruar te sezoni aktual për të gjetur zëvendësuesin ideal të Kristianos. Andrea Anjeli e tha qartë disa javë më parë, Juventusi do të kërkojë një tjetër profil ‘alla Ronaldo’, por më të ri në moshë, dhe dy emrat mbi të cilët po punohet në Torino janë Pol Pogba ose Kilië Mbape. Tashmë, Juventusi ka para mjaftueshëm për të synuar cilindo futbollist në botë dhe pa dyshim që mes dy emrave të mësipërm, Pogba duket më i lehti për t’u arritur.

ronaldo

Por sigurisht që nëse edhe Mbapesë i garantohen 30 milionë eurot në vit të Ronaldos dhe duke futur në marrëveshje një ose dy futbollistë si Paulo Dibala apo Emre Xhan, tratativa nuk është e pamundur, ndonëse në Torino tifozët dhe klubi kanë dalë disa herë hapur duke nënvizuar se është rikthimi i Pogbasë dëshira e madhe bardhezi”, deklaroi Eduardo Inda, drejtori i “OK Diario”.

GARANCIA E ELKANIT 

Me të drejtë Inda risjell në skenë fjalët e Andrea Anjelit, presidentit të Juves, që në mbledhjen e fundit të aksionerëve konfirmoi se “shumë shpejt do të bëjmë një tjetër blerje të stilit ‘Ronaldo’, por më të ri në moshë”, ndërkohë që klubi garantoi edhe një fuqizim të bilancit me 300 milionë euro të tjera, që do të vijnë nga “Exor”, kompania që mbulon ekonomikisht klubin e Juventusit. Dhe si për të bërë më të besueshme edhe “bombën” apo edhe planet e “Zonjës së Vjetër” për Pogbanë apo Mbapenë, ditën e djeshme, Xhon Elkan, në një ceremoni për të festuar 10- vjetorin e themelimit të kompanisë “Exor”, e cila mbron dhe administron pasurinë e familjes Anjeli si dhe të gjitha asetet e saj, mes të cilave edhe Juventusin, “financiari” i familjes garanton për shpenzime të tjera faraonike në vitet në vazhdim.

FBL-ITA-SERIEA-JUVENTUS-FIORENTINA

“Juventusi është tashmë një prej skuadrave dhe markave lider në Europë dhe në botë. Tashmë kjo markë është jo vetëm shumë e kërkuar, por shumë e pushtetshme, prandaj ne vendosëm që të bëjmë një shtim kapitali prej 300 milionë eurosh për sezonin aktual e në vazhdim, pasi kemi planifikuar ndryshime të mëdha dhe një zgjerim të mëtejshëm në botë. Ne ia kemi siguruar dhe do të vazhdojmë që t’i sigurojmë Juves burime ta pashtershme, pasi në këtë mënyrë Juventusi do të vazhdojë të ketë qindra miliona euro për të bërë merkaton dhe për të afruar futbollistët më të mëdhenj në qarkullim, por mbi të gjitha do të vazhdojë të jetë edhe një prej skuadrave më të forta në botë, dje, sot, por mbi të gjitha në të ardhmen”, u shpreh Elkan përpara analistëve. Dhe kaq mund të mjaftojë që populli bardhezi të vazhdojë të ëndërrojë për “Ronaldo” të tjerë në vazhdim dhe mbi të gjitha të mos i trembet një divorci të mundshëm me Kristianon… ‘

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"