Bomba nga Spanja, Mesi refuzon rinovimin dhe do largohet nga Barcelona. Grizman gjithashtu do të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 3, 2020 | 23:55


Bomba nga Spanja, Mesi refuzon rinovimin dhe do largohet nga Barcelona. Grizman gjithashtu do të…

Lajm i papritur dhe i befasishëm në Barcelonë. Lionel Mesi ka bërë një frenim të papritur në bisedimet për rinovimin e kontratës së tij me katalanasit dhe dëshiron që të largohet sezonin e ardhshëm. Raportimi i lajmit “bombë” që ka tronditur kampin katalanas pak minuta pas mesnatës erdhi nga Manu Karrenjo, gazetar i “El Largueros”. Ai thotë se sulmuesi argjentinas nuk ka asnjë dëshirë që të vazhdojë të qëndrojë te Barcelona dhe është i lodhur nga gjithçka po ndodh në këtë skuadër në muajt e fundit. Disa ditë më parë u përfol se babai i Mesit dhe katalanasit po hidhnin hapat për arritjen e marrëveshjes për zgjatjen e kontratës edhe për 2 vite të tjera, por Leo nuk dëshiron ta bëjë këtë gjë për momentin. Ai kërkon ta mbyllë këtë kontratë në qershorin e vitit 2021 dhe pastaj të largohet si lojtar i lirë për të nisur një tjetër aventurë.suarez grizman mesi

GRIZMAN- Antuan Grizman është i tërbuar dhe nuk e kupton pse Kike Setien e injoroi në atë mënyrë gjatë ndeshjes Barcelona-Atletiko Madrid, duke e aktivizuar vetëm 2 minuta nga fundi i ndeshjes. Nuk e di pse është i vetmi nga reparti i sulmit që zëvendësohet. Kjo situatë e shqetëson shumë, por publikisht preferon që të qëndrojë i heshtur dhe të mos krijojë polemika në një moment delikat të këtij sezoni. Është i zhgënjyer dhe i acaruar me situatën që po kalon në përgjithësi te Barcelona, por mbi të gjitha me veprimin e trajnerit në minutën e 90-të.

Lojtari për të cilin Barcelona pagoi 120 milionë euro një vit më parë po kalon një moment të vështirë, por nuk ka ndërmend të rrijë duarkryq dhe të humbasë kohë. Ai dhe njerëzit që e rrethojnë e dinë shumë mirë që orët e Kike Setienit te Barcelona mund të jenë të numëruara dhe për këtë arsye nuk ka ndërmend që të bëjë polemika të mëdha, por sigurisht që do të takojë klubin. Motra e Grizmanit, e cila është menaxherja e tij, ka planifikuar një takim me klubin spanjoll për të kërkuar informacione se çfarë po ndodh dhe cili është qëllimi i këtyre vendimeve të trajnerit. Duhet theksuar se Grizman nuk ka ndërmend që të largohet nga Barcelona dhe dëshiron të fitojë në “Camp Nou”, por as katalanasit nuk duan ta ndërpresin raportin me të. Por pavarësisht ideve që kanë dy palët, e ardhmja mund të ndryshojë shumë shpejt dhe në “dritare” po vëzhgojnë tri skuadra: Interi, PSG-ja dhe Juventusi. Në një merkato ku shkëmbimet do të kenë rol të rëndësishëm për shkak të krizës ekonomike të skuadrave nga pandemia “COVID-19”, Grizman mund të përdoret si mall shkëmbimi për të arritur objektivat.mesi grizmann

Dhe objektivat e mëdha të Barcelonës janë dy në këtë merkato: Lautaro Martinez dhe Nejmar Xhunior. Argjentinasi prej kohësh është i përzgjedhuri i Mesit dhe i skuadrës si pasardhësi i Luis Suarezit, por Interi nuk i ka pranuar ofertat duke refuzuar futbollistët që kanë ofruar katalanasit. Mirëpo njëri nga ndërmjetësit që po shtron bisedimet mes skuadrave është gati që të ofrojë edhe Grizmanin për skuadrën zikaltër. Në ditët e fundit ka pasur zhvillime edhe në Paris, ku PSG-ja është e gatshme që t’i hapë dyert largimit të Nejmarit për një rikthim te Barcelona. Në këtë mënyrë, Grizman mund të përdoret për të amortizuar vlerën e lartë që ka në treg braziliani. Por kujdes, edhe Juventusi është në skenë. Pas përfundimit me sukses të shkëmbimit Pjaniç-Artur Melo, palët kanë raporte të shkëlqyera dhe mund të vazhdojnë bashkëpunimin. “Zonja e Vjetër” pretendon Grizmanin duke i ofruar Barcelonës Duglas Kostën dhe Rabionë në shkëmbim. Në ditët e ardhshme priten zhvillime.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com