“Bomba” e Idrizit: FSHF kërkon të ndajë Shqipërinë, ja plani i Dukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2017 | 12:52

“Bomba” e Idrizit: FSHF kërkon të ndajë Shqipërinë, ja plani i Dukës

Sinan Idrizi akuzon Armand Dukën se po përpiqet të bëhet president vetëm i Kombëtares Shqiptare duke e ndarë nga FSHF-ja kampionatin e Kategorisë Superiore. I ftuar në televizionin “6+1 Vlora”, administratori i Flamurtarit bëri të ditur se Duka nuk shkon dot në asnjë stadium të Shqipërisë me përjashtim të Skënderbeut, pasi shahet nga A-ja në Zh.

idrizi-dhe-fino

Idrizi deklaroi se do të largohet nëse nuk do të realizohet privatizimi i klubit. Më tej, ai akuzoi lojtarët vlonjatë të Flamurtarit se kanë ndikuar vetëm në dëmtimin e tij, ndërsa tha se do të hedhë në gjyq ish-trajnerin Gjoka, FSHF-në dhe Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në institucionin e futbollit.

Si e shikoni këtë Flamurtar?

Kemi ekipin më luftarak gjatë kohës që unë jam te Flamurtari. Respektohet fanella dhe kemi një respektim nga futbollistët që nuk janë vlonjatë, por janë më shumë se vlonjatë.

Çfarë ka ndryshuar këtë sezon te Flamurtari?

Botëkuptimi për fanellën. Kjo është merita e Duros si trajner.

Përpara nisjes së sezonit bëtë dy faza përgatitore, përse?

Ka qenë e gjitha strategjia e Duros. Ai nuk ka dëshirë të merret me gjeneralë, por të punojë me ushtarë. Unë i kam thënë për disa lojtarë më të shtrenjtë për t’i marrë në verë, por ai nuk ka pranuar. Ka qenë i kufizuar në anën financiare. Ishte një lojtar që mund të vinte në verë dhe që bënte diferencën, por Duro nuk e pranoi për të mos prishur balancat dhe për të mos shpenzuar shumë.

Bushiç kapiten, pse vendosët për të?

Mungesa më e madhe e Flamurtarit ka qenë lideri në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Nuk ka pasur lider Flamurtari. Të gjithë ata që kanë pasur shiritin, kanë qenë kapitenë për shirit jo për ekip. Bushiç është profesionist që i del zot fanellës së tij.

Por, Flamurtari nuk ka shumë vlonjatë. Ju shqetëson ky fakt?

Edhe unë kam dëshirë që t’i kemi vlonjatët në ekip, por ku t’i gjejmë?! Nëse ju cilësoni vlonjatë ata që quraviten në dyert e FSHF-së për të dënuar Flamurtarin për 1 milion dhe 5 milionë lekë, punë për ju. Ka një ngjarje shumë fantastike vjet. Padrejtësisht na janë hequr 6 pikë për luftën kundër ilegalitetit. Kemi pasur tre lojtarë vlonjatë, këtu fut edhe lojtarin e sotëm, ish-kapiteni ynë Veliu, që shkuan dhe kërkuan heqjen e pikëve.

Kemi pasur dhe një lojtar jo vlonjat, si Vucaj, i cili tha se nuk e çoj Flamurtarin në DHZK. Po sikur aksidentalisht rrugës të humbnim ndonjë ndeshje, sot do të ishim në Kategorinë e Parë. Unë kam 4 vjet dhe nuk kam tërhequr asnjë lek nga FSHF që po përdoret për likuidimin e të këtyre.

Pagesa e fundit që është bërë, më thanë, dje (pardje) ka qenë 26 mijë euro të zotit Gjoka. Për një kontratë ilegale të tij. Para një jave na ka ardhur përgjigja nga Ministria e Financave që na konfirmon atë që ne kemi thënë, që kontratat tona që janë bruto duhet të ekzekutohen me 29.7% pranë Zyrave të Tatimeve. Vlonjat të mirë kemi në ekip Lejdi Liçajn dhe të riun Deliaj apo të tjerë.

Çfarë do të bëni në këtë rast?

Ministria na konfirmon se pagat e Gjokës, Veliut dhe ‘tre musketierë’ të tjerë, tashmë janë konform ligjit. Në këto kushte, ne do të hapim një çështje penale kundrejt FSHF-së, Gjokës, avokatit të tij dhe anëtarëve të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve. Ata kanë ndërtuar me vetëdije një çetë grabitësish dhe një bandë gjobëvënësish.

Armand Duka pritet të rikandidojë sërish për president të FSHF. Shqetësoheni nga ky fakt?

Nuk fiton kurrë në bazë vlerash. Mund të jesh në pushtet derisa të marrë zoti frymën e fundit, por nuk fiton gjë. Duka nuk shkon dot në stadium, pasi tifozët e Kombëtares e shajnë nga A-ja në Zh. Ai nuk ka një stadium të Shqipërisë ku të shikojë një ndeshje. Mund të shikojë vetëm një ndeshje të Skënderbeut dhe kjo falë meritës së drejtuesve të atij klubi për rezultatet e mira.

Unë e sfidoj atë të shkojë te Partizani, apo ku të dojë. Ai nuk do që të ndërtosh një fushë me fondet e tua. Do që ta paracaktojë ai ndërtuesin, kush do të jetë. Ne i prishëm sistemin zotërisë. Ai do kapitalizëm plus kontrabandë. Ky është një njeri që të bën gol. Sot (dje) një miku im nga Tirana më tha edhe planin e fundit të zotit Duka.

Ai do të bëhet president i Kombëtares, pasi do të krijojë Ligën. Të ndajë FSHF mënjanë dhe Ligën mënjanë. Të marrë Kombëtaren, të shesë edhe fanella, të ndërtojë ca këngë kuqezi e të bëjë ca biznese. Nëse Duka do të rikandidojë për FSHF-në, nuk do të jetë një FSHF me Superiore. Do ta heqë Superioren, pasi nuk ka para. Lekë ka vetëm Kombëtarja dhe atë do ai.

Çfarë po bëhet me çështjen e privatizimit të klubit?

Nëse nuk ka dritë jeshile për privatizimin, unë do të tërhiqem. Kryeministri ka caktuar disa anëtarë të kabinetit që të merret Flamurtari si model. Kryetari bashkisë, Leli, më tha se po përshpejtohen procedurat.

Mendoni se do të arrihen Kupat e Europës?

Do të jetë një gjë shumë e mirë që ne të shkojmë në Kupat e Europës.

Keni diçka për të thënë për tifozët?

Nëse tifozët e Flamurtarit nuk kanë çfarë të këndojnë, ky është turp. Tifozët ultras e duan pa interes Flamurtarin. Nuk do të shiten bileta në ndeshjen me Vllazninë, do të jenë nxënës të shkollave.

Ndeshja e radhës në kampionat me Luftëtarin. Keni ndonjë koment?

Luftëtari është ekipi njësoj i persekutuar si Flamurtari. Ka ndodhur edhe vjet. Por, ka një luftë. Çfarë duan të bëjnë këta zotërinj me jugun e Shqipërisë?! Këta duan të ndajnë Shqipërinë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"