“Bojkoti na ka ndihmuar të rikuperojmë energjitë”, Avdyli: Ju tregoj prioritetin e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 23:37

“Bojkoti na ka ndihmuar të rikuperojmë energjitë”, Avdyli: Ju tregoj prioritetin e Teutës

Teuta ndihet gati për startin e sezonit të ri, ku kampionatin e nisin me duelin ndaj Skënderbeut. Në përgjithësi drejtuesit kanë ruajtur grupin, por gjatë merkatos e kanë përforcuar me disa lojtarë të rëndësishëm.

avdyli-florent

Florent Avdyli, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh i kënaqur për përgatitjet e skuadrës në këtë fazë, si dhe shpalosi edhe objektivat e Teutës për këtë sezon.

Futbolli do të nisë më në fund. Sa të kënaqur jeni për këtë fakt?

Është normale që të jemi të kënaqur, pasi presim që puna e të gjithëve të shpërblehet. Tani besoj se jemi aty ku kemi dashur. Ishte një periudhë stresuese, pasi vetëm me miqësore nuk e arrin dot formën. Të gjithë e dimë se sa e vështirë është të ruash ritmin pa garë.

Mendoni se bojkoti i kampionatit ishte në dëmin tuaj?

Bojkoti do të sjellë ndryshime te të gjithë. Na ka ndihmuar të rikuperojmë energjitë dhe të rifitojmë disa lojtarë, të cilët kanë pasur probleme. E rëndësishme është që kur të rikthehemi në fushë të jemi të plotë në organikë.

Pra, prisni një ecuri pozitive të Teutës që në start?

Teuta që në nisje të sezonit do të jetë për objektiv madhor dhe pjesëmarrje në Europë. Ecuria nuk është diçka që konceptohet, por fitohet. Çdo gjë vjen si rezultat i punës së kryer javë pas jave dhe të gjithë së bashku po punojmë me rigorozitet dhe me përkushtim në çdo aspekt që ecuria të jetë sa më e mirë.

A ka ardhur momenti që Teuta të synojë akoma më lart?

Ne do t’i marrim hapat me radhë dhe ndeshjet po ashtu. E rëndësishme është të zhvillojmë ndeshje të mira, të jemi të përqendruar në punën tonë dhe detyrat, sepse vetëm kështu mund të vijnë rezultatet, nëse vijnë rezultatet. Atëherë edhe arritjet vijnë gjithashtu. Le t’ia lëmë të ardhmes dhe puna jonë të na tregojë se ku mund të arrijmë. Për momentin, mund të them që presim me padurim startin e kampionatit.

Konkurrenca në ekip është e madhe, si do të ndikojë kjo gjë?

Konkurrenca është e fortë dhe kampionati është shumë i gjatë. Të gjithë janë të rëndësishëm dhe nuk mund të ketë ndarje. Te Teuta ka frymë grupi dhe dëshirë për sukses. Në dy muaj që kemi qenë larg fushave edhe afrimet e reja kanë arritur të përshtaten dhe tashmë jemi si një familje dhe do të bëjmë më të mirën për klubin.

Keni folur vazhdimisht për kampionatin dhe objektivat, si mbajtëse e trofeut cilat janë synimet e Teutës këtë vit në Kupën e Shqipërisë?

Si fillim do të fokusohemi te kampionati, por e vërteta është që nuk e harrojmë as Kupën. Mendoj se për Kupën mund të flasim kur të vijë momenti. Ajo ka një specifikë ndryshe nga kampionati, por edhe aty duam të bëjmë sa më mirë, të shkojmë sa më larg.

Meqë mendoni për kampionatin, çfarë prisni në start ndaj korçarëve?

Ne nuk duhet të lëmë pikë rrugës, sidomos në startin e sezonit dhe kjo gjë do të tregojë forcën tonë. Jemi rritur shumë dhe tani shohim vetëm përpara. Kemi filluar të minimizojmë gabimet e të jemi më të kujdesshëm në lojën tonë.

Si e shihni kundërshtarin e javës së parë, Skënderbeun?

Ne e respektojmë Skënderbeun dhe mund të them se ka një ekip të mirë dhe nuk do të jetë aspak i lehtë. Ka zhvilluar miqësore të mira dhe ka treguar rritje, por ne shkojmë në këtë takim për të treguar vlerat tona dhe për të marrë maksimumin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"