“Besuam edhe kur na tradhtuan”, administratori Barushi: Ju tregoj planin elitar të Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2020 | 11:48

“Besuam edhe kur na tradhtuan”, administratori Barushi: Ju tregoj planin elitar të Dinamos

Dinamo synon me çdo kusht rikthimin në elitë dhe kjo pranohet nga vetë drejtuesit e klubit blu. Është administratori Ermal Barushi, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” flet pas startit të mirë në Kupë dhe kampionat. Ai thekson se skuadra është ndërtuar me një projekt të qartë fitues. “E kemi nisur mirë këtë sezon, dy ndeshje të fituara dhe 4 gola të shënuar. Pas kalimit të turit në Kupë kundër një ekipi me traditë si Flamurtari, më pas kemi bërë një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë të kampionatit në një fushë të vështirë si Erzeni. Në përgjithësi skuadra është mirë, por grupi është i ri dhe ka nevojë për konsolidim. Mendoj se pas javës së 6-të mund të shikojmë Dinamon e vërtetë, me gjithë kualitetet që ka brenda. Jam i kënaqur, sepse po skuadra tregon karakter dhe mentalitet fituesi”, ka thënë fillimisht Barushi, i cili preku edhe kohën e gjatë pa futboll.

Ermal Barushi

“Ka qenë një periudhë stresuese, sepse programi ndryshonte javë pas jave. Kemi pasur komunikime të vazhdueshme me sektorin e garave në FSHF dhe kemi pasur mbështetjen e tyre. Ishim të vetëdijshëm për atë që ndodhte se në thelb kishim dhe ne interesat tanë”, deklaroi administratori.

SYNIMET – Klubi blu kërkon që të ketë në funksion të gjitha strukturat, duke funksionuar sipas modelit më të mirë europian. “Kemi një projekt që do kohën e vet. Lojtarët janë me kontrata 2-3- vjeçare, tregues i qartë për objektivin. Objektivi është rikthimi në Superiore dhe ndërtimi i një grupi konkurrues për vazhdimësinë: ndërtimi i një akademie solide dhe konkurruese, por natyrisht rritja e brendit në aspektin komercial.

Në aspektin personal jam një njeri që nuk dorëzohem kollaj, më pëlqejnë sfidat. Natyrisht, bashkë me presidentin Pontreli, jam i lumtur që kam mundësinë të drejtoj këtë klub legjendar, i cili ka bërë histori në futbollin shqiptar. Jam i qetë në punën time dhe i pashqetësuar. Normalisht po përpiqem të fus idetë e mia, kam dorë të lirë në përcaktimin e skuadrës dhe në politikat e klubit, kështu që më ngelet vetëm të punoj për të arritur qëllimet. Mora drejtimin kur besimi kishte humbur. Njerëz dhe bashkëpunëtorë na tradhtuan, ndërsa Dinamon e quanin ekip të rënë në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, në fund ka rëndësi objektivi, i cili u arrit. Dua të falënderoj zotin Pontreli për mbështetjen dhe besimin, ndërsa për të tjerat t’ia lëmë kohës”, përfundoi administratori i klubit blu.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"