Besëlidhja kërkon rikthimin në Superligë, veterani Sheta: Presim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2020 | 0:09

Besëlidhja kërkon rikthimin në Superligë, veterani Sheta: Presim…

Besëlidhja mbetet në pritje të serbëve. Nën urdhrat e Elvis Plorit edhe dje ishin 20 futbollistë, në një kohë që ende nuk kanë ardhur Milan Gjorgjeviç dhe Dimitrie Çokiç. Që të dy kanë marrë disa ditë më shumë leje, e megjithatë pritet që të mërkurën në mbrëmje të marrin rrugën drejt Shqipërisë. Ata nuk do të vijnë vetëm, por me përforcime.

Beselidhja-Kastrioti

Bëhet fjalë për një portier dhe një sulmues, emrat e të cilëve mbahen ende “mister” prej drejtuesve. E megjithatë, gazeta ka mundur të zbulojë se portieri prej tri sezonesh është pjesë e ekipit të Sindjeliç të Beogradit, ndërsa sulmuesi është prodhim i Crvena Zvezdës dhe aktualisht luan në Ligën e Parë në Bosnjë. Klubi mendon se me ta do të blindojë organikën dhe do të jetë gati për të tentuar ngjitjen në Kategorinë Superiore. Ka domosdoshmëri për afrime, në një kohë që dihet që janë larguar tre futbollistë në këtë merkato. Portieri Bajri dhe mesfushorët guineas Kamara e Soumah nuk do të jenë më pjesë e Besëlidhjes, ndaj me ardhjen e lojtarëve nga Serbia do të mbushen edhe boshllëqet.

SHETA

Arian Sheta është optimist për të ardhmen e Besëlidhjes. Mbrojtësi në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” shprehet i bindur për realizimin e objektivave. Grupi ekzistues i përmbush pritshmëritë e klubit, e megjithatë 38-vjeçari shpreson se edhe dy serbët që pritet të vijnë si përforcime në merkato, të bëjnë diferencën.

“U mbyll si u mbyll gjysma e parë e sezonit, por duhet të nxjerrim mësime nga gabimet. Janë shumë faktorë që na lanë në vendin e dytë të renditjes, në pjesën e parë të këtij sezoni. Ne duhet që të pranojmë gabimet tona, për të tjerat shpresoj të ketë reflektim. Besoj se edhe fati tani do të na bashkëngjitet si aleat. Pozitive është se edhe nga janari grupi ka mbetur i pandryshuar, me përjashtimin e dy-tre lojtarëve. E megjithatë, përforcimet që do të bëhen do të na plotësojnë. Shpresoj shumë që edhe dy futbollistët serbë që do të vijnë, besoj se brenda dy ditësh do t’i bashkohen skuadrës në stërvitje, të kenë kualitet. Si portieri që kemi aq shumë nevojë, po ashtu edhe sulmuesi.

Nëse janë ashtu siç flitet, do të blindohet më së miri formacioni. Kjo minifazë përgatitore është mjaft e shkurtër, por nuk ndikon shumë. Skuadra ka pushuar për pak ditë, ndaj është e tepruar. Për dy javë nis zyrtarisht gjysma e dytë e sezonit, si fillim me ndeshjen e xhiros së dytë të Kupës së Shqipërisë dhe pas tri ditësh nis java e 14-të e kampionatit. Që të dyja janë shumë të rëndësishme, pasi ne kemi pretendime në të dyja kompeticionet. Shpresoj shumë se ky do të jetë viti i Besëlidhjes, ndaj do të luftojmë fort. Nuk na mungon gjë për të shkuar larg, ndaj me vullnet, këmbëngulje e grintë mund t’ia dalim përballë çdo kundërshtari”, përfundoi “veterani” i mbrojtjes lezhjane.

Preng Gjikola 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"