Berluskoni: Jam i tërbuar, shpenzova 150 mln, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2015 | 10:11

Berluskoni: Jam i tërbuar, shpenzova 150 mln, por…

Silvio Berlusconi in una recente immagine d'archivio. ANSA/ZIPI

Silvio Berlusconi in una recente immagine d’archivio. ANSA/ZIPI

Prapaskenat e bëra publike nga media italiane nënvizuan se Sinisha Mihajloviç ishte i shkarkuar pas pjesës së parë me Frozinonen, të cilën e mbylli në disavantazh, por përmbysja me goleadë në 45 minutat e dyta jo vetëm i shpëtoi pankinën trajnerit serb, por me sa duket i lejon që këto dy javë pushime të gjithë në “Milanelo” t’i kalojnë disi më qetë.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se atmosfera në klubin kuqezi është e bukur, përkundrazi, pavarësisht fitores, presidenti Silvio Berluskoni ka qenë i tërbuar. Një tjetër prapaskenë nënvizon se në një nga darkat e organizuara të hënën me pjesëtarë të partisë së tij “Forza Italia”, ish-kryeministri italian e ka komentuar me tone të ashpra sezonin që po bën Milani. “Unë jam gjithmonë i dashuruar me këtë skuadër, aq sa edhe sivjet shpenzova 150 milionë euro.

Këto parà po i vë unë nga xhepat e mi, jo nga klubi, por ndërkohë jam shumë i tërbuar me situatën tonë. Edhe pse vazhdoj që të hedh parà, sërish nuk kam një siguri se kur do të rikthehemi të fitojmë sërish. Ju në vendin tim nuk do të ishit i nervozuar?!”, u drejtohej Berluskoni një prej bashkëpunëtorëve të tij politik.

Ky fakt i zbuluar nga uebsajti “ilveromilanista” tregon se miliarderi italian nuk i ka fshehur dhe vazhdon t’i shprehë hapur pakënaqësitë e tij për situatën në të cilën endet skuadra e tij, sepse rezultatet nuk janë ende bindëse, duke parë që Milani pas 17 ndeshjesh renditet i gjashti, me 8 pikë larg kreut dhe 7 pikë larg zonës Champions.

Pa dyshim që distanca nuk është e parikuperueshme, por kur mendon se në muajin e fundit kuqezinjtë kanë lënë 6 pikë në tre barazimet kundër Empolit, Veronës dhe Karpit, kjo është ajo që irriton edhe më shumë “bosin” milanez. Pa dyshim që janari do të jetë muaji i provës për Milanin dhe Mihajloviçin, por nëse situata nuk ndryshon pozitivisht, atëherë Silvio Berluskoni nuk do të ngurrojë që të ndryshojë sërish drejtuesin e pankinës së skuadrës së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"