Bëri prapaktheu pasi u tërhoq nga futbolli, Bajrami: Trajneri më mbushi mendjen të luaj për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 16:29

Bëri prapaktheu pasi u tërhoq nga futbolli, Bajrami: Trajneri më mbushi mendjen të luaj për Elbasanin

Brenda një viti Dorian Bajrami i provoi të gjitha. E nisi sezonin te Turbina në Kategorinë e Parë, vijoi me Bylisin në Superiore dhe në fund vendosi ta linte përfundimisht futbollin e luajtur.

bajrami

Mirëpo, një projekt dhe një ribashkim me trajnerin e tij Anxhelo Suta, me të cilin ka punuar edhe më herët, bëri që t’u rikthehej sërish fushave të blerta, tanimë në Kategorinë e Dytë për të mbrojtur ngjyrat e ekipit të Elbasanit.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi pohon se ishte trajneri ai që e bindi të rikthehej sërish në futbollin e luajtur dhe shpreson të japë kontributin e tij për të arritur objektivat me skuadrën elbasanase. “Nuk e pata të lehtë ta lija futbollin para disa muajsh dhe sërish në të njëjtën situatë ndodhesha edhe kur e rifillova. Ishte këmbëngulja e trajnerit Suta që më bëri të luaj sërish futboll, edhe pse me një skuadër të Kategorisë së Dytë, por që ka një emër të madh mbi supe dhe një histori.

Erdha në këtë klub pasi më bindën me projektin që kanë dhe tani do të përpiqem t’ua shpërblej sa të mundem me paraqitjet e mia. Synimet janë të qarta dhe ngjitja në të Parën është një detyrim. Jam i bindur se në fund do t’ia dalim. Në skuadër ka një ndërthurje të lojtarëve me eksperiencë dhe të rinj, duke na dhënë garanci për realizimin e objektivave”, u shpreh në prononcimin e tij 25- vjeçari, i cili brenda një sezoni la futbollin e luajtur dhe i provoi të tria nivelet e futbollit shqiptar.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"