Bënë sezon fantastik, bashkia s’e mban fjalën. Vijon problemi i rrogave te Mirdita

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 13:01

Bënë sezon fantastik, bashkia s’e mban fjalën. Vijon problemi i rrogave te Mirdita

Vonesa apo mosdhënia e rrogave është kthyer në një “normalitet” në vendin tonë dhe si në të gjitha fushat, këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar as sporti. Rreth një muaj më parë skuadra e Mirditës në volejboll për femra denoncoi pranë gazetës se klubi (bashkia) u detyrohej një rrogë. Lojtaret ishin tepër të shqetësuara pasi po u hidhej poshtë djersa dhe nuk merrnin asnjë përgjigje për të drejtën e tyre. Një grup vajzash që rikthyen edhe entuziazmin në qytetin verior, duke bërë që pallati i sportit në Rrëshen të mbushej plot sa herë që kishte ndeshje.
mirdita-volley
Një ecuri fantastike që nisi me fitimin e Kupës së FSHV-së, për të vijuar më pas me kryesimin e kampionatit deri në momentin e ndërprerjes për shkak të pandemisë. Mirëpo impenjimi dhe profesionalizmi i treguar nga lojtaret u “shpërblye” me mbajtjen e rrogës së muajit prill, për të vijuar më pas me shmangien e përgjegjësive. “Problemi qëndron te sponsori” apo “fajin e ka bashkia”, ishin përgjigjet që merrnin vajzat për pagën e padhënë.
unnamedLidhur më këtë problem gazeta kontaktoi disa javë më parë me Bashkinë Mirditë, teksa vetë kryetari i bashkisë, z. Ndrec Dedaj premtoi zgjidhjen. “Bashkia Mirditë u jep volejbollisteve trajtim ushqimor, sipas rëndësisë që ka çdo lojtare. Ne kemi mbetur një muaj pa i paguar, sepse firma sponsorizuese e këtij trajtimi nuk na i ka sjellë. Por tani na ka ardhur edhe njoftimi nga sponsori dhe pagat do të kalojnë nesër (12 gusht) në numrin e llogarisë së bashkisë, ndërsa brenda pak ditësh, sapo të bëhen të gjitha procedurat, të gjitha lojtaret do të marrin atë që u takon. Mendoj që lojtaret janë nxituar që janë ankuar për këtë gjë, pasi ne kemi qenë gjithmonë shumë të rregullt për sa u përket pagesave”, ishte shprehur kryebashkiaku Dedaj për gazetën më 11 gusht. Megjithatë edhe sot, kur data shënon 4 shtator, asgjë nuk ka ndryshuar. Lojtaret ende nuk e kanë marrë pagën që u takon. Vërtet për të ardhur keq, ndërkohë që Bashkia nuk e ka mbajtur ende premtimin e bërë publikisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"