Begeja: Ja pse ngjitet Besa, peng humbja në Pogradec

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 23:05

Begeja: Ja pse ngjitet Besa, peng humbja në Pogradec

Për trajnerin durrsak, përvoja e parë në krye të stolit të Besës ka rezultuar mjaft pozitive. Gentjan Begeja mori drejtimin e verdhezinjve në korrik dhe pas mbarimit të fazës së parë e sheh ekipin e tij kryesues në Grupin B. Durrsaku i pankinës verdhezi renditet ndër trajnerët e rinj që po dëshmon vlera e profesionalizëm në drejtimin e një ekipi me emër si Besa. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, Begeja analizon paraqitjen e ekipit në fazën e parë të kampionatit, duke veçuar ndeshjen më të dobët dhe më të mirë të ekipit.

begeja besa
Gjithashtu, ai tregon edhe armët e forta dhe të dobëta që ka skuadra. Këtë sezon në Kavajë mendojnë vetëm rikthimin në elitë. Ndërkaq, verdhezinjtë do të zhvillojnë sot në stadiumin Besa miqësore, duke qenë se kampionati është ndërprerë. Kundërshtari i skuadrës kavajase do të jetë Kombëtarja U-21 e Kosovës që drejtohet nga Rafet Prekazi, emër i shquar i futbollit kosovar si ish-lojtar e trajner. Takimi do të startojë në orën 14:00.

E prisnit që mbas fazës së parë të kryesonit Grupin B, duke parë që ka shumë ekipe të forta që synojnë ngjitjen?

Sigurisht që e prisja. Është kurorëzimi i djersës së gjithë ekipit, natyrisht edhe punës së stafit dhe mbështetjes së fuqishme të bashkisë dhe presidentit që gjej rastin t’i falënderoj. Po ju citoj arsyet. E para dhe kryesorja, ne e nisëm fazën përgatitore para të tjerëve dhe e zhvilluam atë në kushte komode. Së dyti, presidenti Bizhdili afroi ata lojtarë që kërkova unë, kuptohet edhe të tjerë të rinj të perspektivës. Zhvilluam disa miqësore në prag të startit dhe isha i bindur se brumi ekzistonte, thjesht duhej pak kohë për harmonizimin e grupit. Rezultatet e javëve të para më dhanë të drejtë.

E nisët me humbje në Pogradec dhe e mbyllët me fitore në Cërrik. Si do ta komentoni këtë fazë të parë?

E citova më lart se javën e parë lojtarët akoma nuk njihnin lojën e njëri-tjetrit. Në javën e parë ishim në pritje të Onuh dhe Diksonit, pra nuk ishim të plotë. Pastaj, siç e dini, nuk njohëm më humbje vetëm 2 barazime dhe 6 fitore. Në Cërrik kishim besim e bindje që do fitonim dhe këtë objektiv e bëra publik para ndeshjes në gazetën tuaj.

Cila është ndeshja më e dobët gjatë kësaj faze? Parë në rezultate teknike, ajo në Pogradec. Po parë në lojë siç pyesni ju, Besa në asnjë ndeshje nuk ka luajtur dobët. Pavarësisht se vërtet humbëm javën e parë, por loja dhe rastet për shënim nuk munguan as në këtë takim.

Po ndeshja më e mirë?

Nuk mund t’i veçoj, por di të them se ndeshjet me ekipet rivale ishin më të mirat. Bie fjala fitoret me Bylisin, Apoloninë, Egnatian dhe ndeshja në Orikum. Me lojën që zhvilluam dhe rastet ideale që krijuam, nuk duhet ta humbitnim atë takim, me gjithë respektin për debutuesit vlonjatë.

Atëherë, a ka ndonjë pikë të dobët kjo Besë?

Sigurisht, duke e parë në këndvështrimin e objektivit, jo çdo gjë e kemi bërë mirë. Kemi gabuar në disa ndeshje ku mund të kishim më shumë pikë sot. Dobësia më e madhe qëndron në moshën mjaft të re të shumë lojtarëve, nëse mund të quhet dobësi, pasi ata janë rritur e po rriten javë pas jave. Kjo shtron nevojën për disa përforcime në të tria repartet. E kam thënë se synimi për ngjitjen në Superiore kërkon lojtarë me përvojë dhe trima. Lojtarë me shumë përvojë ne kemi vetëm 5 të tillë, pjesa tjetër janë të rinj. Në këtë kuptim, në janar unë pres përforcime në të tria repartet. Vërtet kryesojmë fazën e parë, por janë edhe dy faza dhe kryesorja, pikët përgjysmohen në fazën e tretë, që do të thotë se gara bëhet më e fortë. Objektivi ynë ka qenë dhe mbetet rikthimi në Superiore, aty ku Besa ka shtëpinë e saj natyrale dhe po bëjmë çdo gjë për ta arritur.

Skuadra që keni më shumë frikë?

Asnjë ekip nuk kemi frikë. Rezultatet e fazës së parë kanë treguar që jemi superiorë ndaj ekipeve të tjera. Me vetëm një humbje në transfertë dhe renditja aktuale, tregon se Besa është ekipi më i fortë. Kam shumë besim se në fund të këtij kampionati, skuadra do të presë biletën për t’u rikthyer në elitë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"