Batuta dhe ironi për situatën e jashtëzakonshme, Gjyla: Miqësore për të qetësuar trurin, ndikoi edhe toleranca e kundërshtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2020 | 17:09

Batuta dhe ironi për situatën e jashtëzakonshme, Gjyla: Miqësore për të qetësuar trurin, ndikoi edhe toleranca e kundërshtarit

Pas 45 ditësh Lushnja iu rikthye një ndeshjeje miqësore me skuadrat e Superiores. E fundit më 19 gusht, Bylis-Lushnja 4-1.

gjyla

Në “Roza Haxhiu”, ndaj Partizanit, Lushnja zhvilloi një ndeshje të mirë dhe në konferencën për shtyp, në pistën e stadiumit, trajneri Gjyla tha se këto miqësore janë më shumë për të qetësuar trurin, sesa për të përgatitur ekipin, pasi akoma nuk është hedhur shorti apo të jetë përcaktuar data e fillimit të sezonit.

Profesor, si po e kaloni këtë periudhë pa aktivitet?

Këto ndeshje, më shumë sesa përgatitore, i kemi për të qetësuar pak trurin. Fundja fare, stërvitja bëhet për të luajtur në kampionat. Megjithatë, mendoj që kështu do të vazhdojmë deri kur të vendoset. Janë disa gjëra që nuk janë në dorën tonë, të trajnerëve, të stafeve profesionale.

Luajtët me një sulmues, Hysën, dhe e zëvendësuat me Xekën, ndërkohë që gjithnjë keni luajtur me dy sulmues…

Shiko! “Fshat e zanat, shtëpi e tabiat”. Çfarë futbollistësh kemi brenda do të mundohemi t’i përshtatim. Nuk është përfundimtare. Xeka vjen nga dëmtimi. Ka vetëm një javë që ka filluar stërvitjen dhe nuk është 100%, sulmues i dytë. Po mundohemi të provojmë, por kjo nuk do të thotë që ka një sulmues të rreshtuar dhe nuk e patë që shkonte edhe braziliani Luis, Blakçorri dhe Qoshku nga krahu i majtë. Vendosja në fushë nuk është asgjë, përpos asaj çfarë nxjerr në lojë.

Gjithsesi, Lushnja ka bërë një ndeshje shumë të mirë, krahasuar me miqësoret e tjera…

Ndoshta edhe toleranca e kundërshtarit, plus dhe dëshira jonë, siç luajti Përmeti me Lushnjën. Është ajo dëshira që po luajmë me Partizanin. Toleranca e Partizanit, pa u mohuar edhe vlerat futbollistëve të mi, edhe puna që kanë bërë.

Nuk e kam thënë në TV, por në “Panorama Sport” e kam thënë që ne kemi një skuadër shumë cilësore, për të mos thënë më cilësore se vitin e kaluar. Duhet theksuar që Lushnja u pa me shumë dëshirë dhe shumë grintoze. Futbollistë të rinj, me dëshirë, që vrapojnë në fushë. Futbolli kështu është, jo futbolli, por sporti fizik. Kush vrapon më shumë në fushë, është më racional, patjetër. Është e vërtetë që futbollistët kanë shumë dëshirë për të luajtur, të gjithë pa përjashtim.

Si e shikoni vazhdimësinë e Lushnjës?

Unë i mbahem asaj që thashë që në fillim. Unë nuk e di shortin, që të ndërtoja një lojë për ta bërë që t’i përshtatesha ndeshjes së parë. Bëmë një ndeshje kontrolli, një ndeshje miqësore, thjesht për të thyer monotoninë e të bërit stërvitje.

Nuk mund të them se unë po i vendos futbollistët taktikisht, sepse ndeshjen e parë e kam në Peshkopi apo me Besën në Kavajë. Thjesht, po luajmë futboll të hapur siç u pa edhe sot (dje), pa pasur ndërmend të mbrohemi për të mos pësuar apo të sulmojmë për të shënuar. Por, thjesht për të luajtur futboll.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"