Basti i çmendur, ish-futbollisti i ofrohet Vllaznisë: Nuk dua lekë nëse nuk ngjitemi me 20 pikë diferencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2018 | 23:28

Basti i çmendur, ish-futbollisti i ofrohet Vllaznisë: Nuk dua lekë nëse nuk ngjitemi me 20 pikë diferencë

Asim Gjokoviç, ish-futbollist shqiptar i Malit të Zi i Vllaznisë në sezonin 2000-2001, i shpallur kampion me këtë skuadër, është një tjetër emër që shpreh dëshirën për të marrë drejtimin e ekipit shkodran. Rënia e Vllaznisë nga Kategoria Superiore u mendua se do të shoqërohej nga një braktisje e saj, por nuk po rezulton kështu.

Gjokovic

Nga ideja se do ishte e vështirë të gjendej një trajner për të, tashmë ka nisur një garë se kush do të ulet në stol. Interesant është fakti se ka edhe shumë ish-futbollistë dhe ish-trajnerë të saj që duan të kthehen sërish në Shkodër. Gjokoviç, në një prononcim të tij për mediat, ka bërë madje një premtim shumë interesant. “Më ka ardhur jashtëzakonisht keq për rënien e Vllaznisë nga Kategoria Superiore.

Nuk e meriton kjo skuadër dhe ai qytet si Shkodra një gjë të tillë. Megjithatë, unë besoj se ajo mund të rikthehet shpejt në elitë. Madje, do të kisha dëshirë që kjo gjë të më besohej mua nga drejtuesit e klubit. Do ta bëja me shumë dëshirë dhe jam i bindur se në fund të sezonit, Vllaznia do të jetë sërish në Superiore, madje e shkëputur me 20 pikë nga ekipet kundërshtare”, është shprehur ai.

BASTI

Në pamje të parë kemi të bëjmë me një entuziazëm të shfrenuar të Gjokoviç, por kur ia përsërit nëse vërtet mendon ashtu, ai madje ka dëshirë të “vërë një bast” me drejtuesit, prandaj shton: “Po, po, 20 pikë përpara e mbyllim kampionatin. Unë e di cila është Shkodra dhe çfarë lojtarësh ka. Nëse nuk arrij ta mbyll kampionatin me këtë diferencë, unë nuk dua asnjë lekë të kontratës nga klubi. Ky është basti im që mund të vë me ta. Jam kaq i bindur sepse Vllaznia ka shumë lojtarë të rinj të talentuar, me të cilët duke punuar fort në stërvitje, mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Vllaznia

Unë do të bazohesha kryesisht te të rinjtë dhe atyre do t’u bashkoja edhe 3-4 lojtarë me përvojë që t’i udhëheqin dhe ia dalim. Madje, po ju them edhe diçka tjetër: Nëse drejtuesit e klubit i besojnë projektit tim, u garantoj se sezonin pasardhës Vllaznia do të ishte pretendente për titullin kampion në Superiore.

Unë mund ta bëj këtë gjë. Ashtu siç arrita të shpallem kampion me këtë ekip në vitin 2001 si lojtar, ashtu mund t’ia dal të shpallem edhe si trajner kampion”, ka mbyllur Gjokoviç. Ndërkaq, tre trajnerë të tjerë kanë shprehur dëshirën që të jenë në krye të Vllaznisë sezonin e ardhshëm.

kraja vllaznia

Pas Rainerit e Shulzës që e kanë drejtuar më parë, edhe Klodian Duro ka bërë një gjë të tillë. Drejtuesit e skuadrës janë ende në fazën që po shqyrtojnë të gjitha kandidaturat dhe pritet që pas disa ditësh të vendoset përfundimisht se kush do të drejtojë skuadrën shkodrane në kampionatin e ardhshëm.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"