BASKETBOLL MESHKUJ/ “Play-Off”, Teuta dhe Vllaznia fitojnë gjysmëfinalet e para (REZULTATET DHE KALENDARI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2022 | 10:47

BASKETBOLL MESHKUJ/ “Play-Off”, Teuta dhe Vllaznia fitojnë gjysmëfinalet e para (REZULTATET DHE KALENDARI)

Superliga e basketbollit të meshkujve ka ngritur siparin e fazës më të nxehtë të sezonit, teksa dje janë zhvilluar dy takimet e para gjysmëfinale të “play off”-it.

BASKET

Teuta ka kaluar pa shumë problem raundin e parë në shtëpi ndaj Kamzës, ndërsa Vllaznia ka bërë goditjen në kryeqytetet, teksa ka mposhtur Tiranën.

Të shtunën do të jetë radha për takimet e dyta, ku tashmë durrsakëve dhe shkodranëve u duhet edhe nga një fitore për të kaluar në finale.

TIRANA-VLLAZNIA – Shkodranët morën një sukses me shumë vlerë në “Farie Hoti”, duke i mposhtur bardheblutë në shtëpinë e tyre me rezultatin 71-74.

Një sfidë që vendoste përballë Tiranën, skuadër me 100% lojtarë vendës dhe Vllazninë me 4 amerikanë në përbërje. Kryeqytetasit e nisën më mirë takimin, duke krijuar një avantazh prej 10 pikësh (18- 10) pas 6 minutash lojë.

Por më pas skuadra shkodrane ngushton, me periodën e parë që mbyllet 22-20 për Tiranën. Perioda e dytë është më e mirë për Vllazninë, që fiton 14-19 dhe kryeson 36- 39 pas gjysmës së ndeshjes.

Kuqeblutë e Damian Bekteshit luajnë më mirë edhe në çerekun e tretë, të cilin e fitojnë 16-23, për të kryesuar 52-62 pas 30 minutash lojë.

Në fraksionin e fundit, bardheblutë e Erkand Karajit provojnë të nxjerrin në pah karakterin dhe egon e zakonshme dhe ia dalin që të barazojnë në 69-69, kur kishin mbetur edhe 3 minuta lojë.

Megjithatë, në momentet finale, Vllaznia tregohet më e saktë dhe arrin që të dalë si triumfuese nga kryeqyteti. Toomer me 22 pikë, 7 kërcime e 4 asiste, Dobbs me 23 pikë dhe Shestani me 18 pikë e 7 asiste ishin lojtarët më të spikatur në radhët e Vllaznisë.

Për Tiranën më të mirët në këtë takim ishin Hysenagolli me 21 pikë e 10 kërcime, si dhe kapiteni Red Vogli, autor i 23 pikëve.

SKE 3

TEUTA-KAMZA – Kampionët në fuqi e kanë nisur me këmbë të mbarë “play off”-in, teksa fituan pa shumë problem ndaj Kamzës në gjysmëfinalen e parë me rezultatin 98-78. Në “Ramazan Njala” u panë përballë dy ekipe me diferenca të ndjeshme.

Në njërën anë Kamza, me shumë pak lojtarë me eksperiencë dhe në anën tjetër Teuta me cilësi dhe organikë lojtarësh më të lartë. Sidoqoftë, fillimi i lojës ishte i barabartë. Asnjëra skuadër nuk mundi të shkëputej ndjeshëm. Kështu, 10- minutëshi i parë fitohet minimalisht 22-21 nga durrsakët.

Por në çerekun e dytë skuadra e Melzin Lazimit i “ndez motorët”. Durrsakët shpërthejnë në shifrat 30-12, duke shkuar në pushim me avantazhin 52- 33. E njëjta tablo loje vijon edhe në periodën e tretë, me vendësit që janë dominues në parket, ndërsa rezultati në tabelë pas 30 minutash shënon 85-55 në favor të bregdetarëve. Avantazhi i madh u jep durrsakëve luksin e administrimit të lojës në çerekun e fundit.

Kamza e zbut disi disavantazhin, duke e fituar periodën e katërt 13-23, por në shifra të përgjithshme suksesi i Teutës është i blinduar me 20 pikë diferencë. Beisch me 21 pikë ishte shënuesi më i mirë për Teutën, ndërsa te Kamza shifrën më të lartë të pikëve e preku kapiteni Niko Thano, me 23, i cili ishte shënuesi më i mirë i takimit.

Të shtunën do të jetë radha e gjysmëfinaleve të dyta.

SKE 2

SKE 4

A.LLESHAJ/ R.GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"