BASKET U-18/ “Po digjen brezat”, trajneri Dervishaj flet për triumfin e Shqipërisë në Europian: Të gjithë bënin tifo për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2022 | 13:06

BASKET U-18/ “Po digjen brezat”, trajneri Dervishaj flet për triumfin e Shqipërisë në Europian: Të gjithë bënin tifo për ne

Shqipëria U-18 në bas ketbollin e djemve shënoi rezultatin më të lartë të skuadrave kuqezi në Europianet e moshave, teksa u shpall kampione në Divizionin C. Përveç lojtarëve në parket, meritë në këtë sukses ka sigurisht edhe trajneri Besim Dervishaj, i cili arriti të harmonizojë më së miri në parket një grup lojtarësh të talentuar. Disa ditë pas titullit në Kampionatin Europian, në një intervistë për “Panorama Sport”, Dervishaj rrëfen eksperiencën në turneun që u mbajt në San Marino. Trajneri zbulon edhe disa detaje, duke nisur nga telefonata me Enzo Zotajn, për ta bindur që t’i bashkohej Kombëtares. Dervishaj ndalet gjithashtu edhe të vështirësitë e sportit në Shqipëri, ku shumë talente që vendosin të tërhiqen nga basketbolli në momentin që duhet të bëjnë hapin e madh për t’iu bashkuar ekipeve të të rriturve.

besim dervishaj

Dervishaj, si do ta përshkruani eksperiencën në Kampionatin Europian?

Ishte një eksperiencë e mrekullueshme për të gjithë, sepse arritëm një rezultat historik, pasi ishte hera e parë që ekipi kombëtar arriti këto nivele.

E prisnit që do të shpalleshit kampionë?

Kishim punuar për të arritur më të mirën, ndoshta në fillim nuk mendonim se do të dilnim kampionë, megjithatë ishim përgatitur për të shkuar deri në finale. Ekipi i kishte forcat dhe kishim punuar deri në detaje me të gjithë lojtarët.

Arritët të ndërtonit një grup të bukur, ndonëse bëhet fjalë për një moshë delikate. Cili ka qenë çelësi i suksesit në Europian?

Kam kërkuar gjithnjë nga djemtë që të jenë bashkëpunues me njëri-tjetrin dhe me mua normalisht. Kam kërkuar që të bëjnë gjëra sa më të sakta për të arritur një rezultat të mirë në këtë kampionat. Djemtë i transmetuan shumë mirë në fushë, u rritën ndeshje pas ndeshjeje dhe treguan në finale ndaj Monakos, me të cilët, edhe pse ishim mundur me 26 pikë diferencë në ndeshjen e grupit, arritëm që t’i mposhtnim duke zbatuar të gjitha detyrat që duheshin bërë.

Cila ishte ndeshje më e bukur apo ajo që ju ka emocionuar më shumë gjatë turneut?

Çdo ndeshje ka emocionet dhe historinë e saj, por do të veçoja tri takime: me Andorrën që kemi fituar me një pikë, ndeshje ku ishim deri në 14 pikë disavantazh, më pas gjysmëfinalja ndaj Azerbajxhanit, ku fituam pas një loje shumë të bukur me 20 pikë diferencë dhe normalisht finalja ku morëm një revansh nga humbja me 26 pikë dhe arritëm që të fitonim me 15 pikë. Një finale ku shënuam plot 93 pikë. Një shifër e lartë për një ekip të rinjsh.

basket u18

Ndërkohë, përveç rezultateve, Shqipëria U-18 tërhoqi vëmendje edhe për lojën e bukur…

Të gjitha ekipet që morën pjesë në Europian, gjithashtu edhe vetë organizatorët e San Marinos, në finale bënë tifo për skuadrën tonë, sepse e panë që po rriteshim ditaditës. Të gjithë drejtuesit në fund erdhën dhe na përgëzuan për lojën e bukur që zhvilluam në finale dhe në çdo takim.

Shqipëria prej shumë kohësh ka vuajtur ndërthurjen e brezave, duke krijuar një boshllëk të madh për shkak të mungesës së lojtarëve. Por vitet e fundit po shohim një brez të ri të talentuar dhe me parametra fizikë shumë të mirë. Ju si e shikoni të ardhmen e basketbollit shqiptar?

Për këtë pjesë dua ta nis nga infrastruktura, e cila në Shqipëri është e dobët. Këta djem kanë mundësi nëse punohet, që të luajnë edhe më lart. Po të shohim finalen, dua që të përmend tre emra, duke nisur nga Enzo Zotaj nga Elbasani, i cili ka shënuar 41 pikë në finale. Aleksis Nika me 22 pikë dhe një numër të lartë topash në tabelë, një lojtar gjithashtu shumë mirë, si dhe Kelt Qilimi, i cili preku një shifër të frikshme në finale, duke dhënë 18 asiste. Një numër shumë i lartë për një ndeshje normale, e jo më për një finale ku luanim përballë Monakos, ku i gjithë ekipi kundërshtar merr pjesë në kampionatin francez.

Të ndalemi pak te Zotaj, i cili bëri një ndeshje të jashtëzakonshme në finale…

Ky lojtar pak para se të grumbullohej ekipi kombëtar, nuk dëshironte që të vinte dhe e kam telefonuar për ta bindur që t’i bashkohej skuadrës, duke i thënë se ishte mundësia e tij e fundit për të luajtur me ekipin U-18. Pas një bisede që patëm, ai vendosi që të kthehet, dhe menjëherë sapo u mbyll ndeshja finale, ai erdhi dhe më tha “faleminderit që më tërhoqe, sepse unë nuk do të vija”.

basket u18

Pse nuk dëshironit që të vinte me skuadrën?

Nga kushtet që ka sporti në Shqipëri ai kishte vendosur që të linte basketbollin dhe të vazhdonte vetëm me shkollën. Pra, nëse nuk do ta kisha bërë atë bisedë me Enzon për ta bindur, ai nuk do të ishte pjesë e skuadrës.

Sipas jush, a kemi aktualisht lojtarë nga sektori i moshave që janë gati për ekipin e parë dhe cilët janë ata?

Patjetër që ka lojtarë, Zotaj, Nika apo Qilimi mendoj se janë të gatshëm. Gjithashtu ka edhe basketbollistë të tjerë që duhen parë te moshat. Mendoj që do të ishte me shumë rëndësi edhe krijimi i kampionateve U-20 në Shqipëri, pasi do t’u jepte hapësira lojtarëve që nuk luajnë, meqenëse skuadrat e të rriturve janë të mbushura me amerikanë.

Mendoni që duhet rishikuar rregullorja për kufizimin e lojtarëve të huaj në Shqipëri?

Sigurisht që po. Unë them që fillimisht duhet të kenë prioritet lojtarët vendës.

Ky ishte viti i dytë radhazi që kombëtaret përfaqësohen me të gjitha moshat në eventet europiane. Sa të rëndësishme janë sipas jush këto pjesëmarrje për zhvillimin e basketbollit?

Pjesëmarrja është shumë e rëndësishme, por normalisht duhen edhe disa kushte, siç janë stërvitjet apo grumbullimet më të hershme. Kundërshtarët tanë janë gjatë të gjithë vitit bashkë dhe lojtarët kanë mundësi që të njihen me njëritjetrin duke luajtur gjithashtu edhe në kampionate shumë të forta, ndërsa ne mblidhemi vetëm një muaj para aktivitetit. Skuadra U-18 u paraqit në Europian pa bërë asnjë ndeshje miqësore dhe na duhej që të rriteshim ndeshje pas ndeshjeje gjatë turnet që të jepnim edhe rezultatet.

Në sezonin 2020-2021 ju u shpallët kampion i Shqipërisë me Teutën U-18. Çfarë ka ndodhur me atë brez lojtarësh?

Ishim një skuadër me shumë talente, një ekip kampion i padiskutueshëm, por fatkeqësisht prej tyre nuk ka asnjë lojtar aktiv për momentin. Njëri nga talentet e kësaj moshe ishte Panajot Proj, i cili nuk luan më basketboll. Pra, bëhet fjalë për lojtarë që sot fare mirë mund të ishin pjesë e skuadrës së parë, por vështirësitë e sportit në vendin tonë, bënë që të ndjekin rrugë të tjera dhe të largohen nga basketbolli.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"