BASKET FEMRA/ Flamurtari marshon në krye, Tirana Barleti “tremb” rivalet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2021 | 21:36

BASKET FEMRA/ Flamurtari marshon në krye, Tirana Barleti “tremb” rivalet

Basketbolli i femrave ka mbyllur takimet e javës së tetë, të vlefshme për kampionatin kombëtar. Flamurtari vazhdon serinë e fitoreve, duke e ruajtur kreun në tabelën e renditjes. Vlonjatet triumfuan në takimin hapës të zhvilluar të premten, teksa mposhtën në shtëpi Studentin me rezultatin e thellë 83-47 (23-9, 19-16, 27-5, 14-17).

fshb

Kampionet në fuqi morën “hak” për atë disfatë të çuditshme dhe krejtësisht të papritur në ndeshjen hapëse të sezonit, teksa mundeshin pikërisht nga skuadra studentore. Flamurtari ishte superior në parket gjatë gjithë kohës dhe nuk e diskutoi për asnjë moment suksesin. Shkatërrimtare për kryeqytetaset ishte perioda e tretë, të cilën vendaset e fituan me 22 pikë diferencë. Samra Omerbasiç me 26 pikë, 11 kërcime dhe 7 asiste ishte lojtarja më e mirë e ndeshjes.

flamurtari

Asnjë problem për Partizanin që mori 2 pikët në transfertë, duke mundur Vllazninë në shifrat e thella 60-88 (21- 24, 12-19, 10-21, 17-24). Të kuqet e Ledina Koçit e kishin ndeshjen nën kontroll gjatë gjithë kohës, ndërsa shkodranet bënë disi rezistencë vetëm në periodën e parë. Falë këtij suksesi Partizani tashmë renditet i vetëm në vendin e dytë. Protagoniste absolute në triumfin e kryeqytetaseve ishte Aida Palko, e cila regjistroi plot 36 pikë në këtë përballje.

Tirana Barleti “zbërthen” në derbi Tiranën me rezultatin treshifror 72-100 (7-26, 22-33, 24-17, 19-24) dhe u fut frikën rivaleve për një biletë për në zonën “play off”. Me dy afrime të goditura në merkato, si serbja Stojiç dhe amerikania Barnes, Tirana Barleti duket se i ka lënë pas ditët e vështira dhe tashmë është më e karikuar se kurrë në realizimin e objektivave sezonalë. Në ndeshjen e zhvilluar në “Asllan Rusi”, Tirana Barleti ishte në kryesim gjatë gjithë kohës, ndërsa i gjithë formacioni preku kuotë dyshifrore pikësh, ku më rezultativja ishte Anamarija Stojiçic me 27 pikë dhe 10 kërcime. Ndeshje e shkëlqyer edhe për Gera Bujarin, autore e 17 pikëve dhe 15 kërcimeve. Për Tiranën nuk mjaftuan Enisa Qosja me 25 pikë dhe Klea Verri me 24.

barleti

Ndërkohë, në ndeshjen mes skuadrave që mbyllin tabelën, Elbasani mposhti Apoloninë me rezultatin 71- 56. Ky ishte suksesi i dytë sezonal për vendaset, që vjen sërish përballë fierakeve. Apolonia vijon të regjistrojë humbje të njëpasnjëshme, duke e dërguar në 8 numrin e disfatave.

elbasan

rendit

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"