Bardheblutë e Tiranës lënë Pogradecin, nisin ditët e… analizave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2020 | 16:51

Bardheblutë e Tiranës lënë Pogradecin, nisin ditët e… analizave

Tirana kreu dje seancën e fundit të stërvitjes në qytetin e Pogradecit ku kishin vendosur për të zhvilluar këtë minifazë përgatitore përpara udhëtimit për në Gjeorgji, pasi do të ndeshen për kualifikueset e Champions League me skuadrën e Dinamos së Tbilisit.

Tirana stervitje

Dukej se pas miqësores së djeshme me Pogradecin lojtarët ndiheshin të lodhur, kështu që edhe trajneri kishte caktuar vetëm një seancë stërvitore për këtë ditë. Trajneri Egbo e kishte marrë tepër seriozisht ditën e fundit të minifazës, pasi ai u duk në stadium rreth 45 minuta para mbërritjes së ekipit.

Egbo madje u pa tek vendoste i vetëm piketat dhe disa objekte të tjera në stadium, objekte këto që mundësojnë kryerjen e disa ushtrimeve. Pak momente përpara fillimit të stërvitjes, Vangjeli, Batha dhe Hoxhallari dukeshin shumë të rehatuar dhe të qeshur në barin e fushës ku po shfrytëzonin freskinë dhe kohën e mbërritjes së lojtarëve të tjerë. Fillimisht zëvendëstrajneri Xhafa e ndau ekipin në dy grupe.

Pjesa e lojtarëve të formacionit dhe me eksperiencë qëndruan veçmas lojtarëve të rinj në moshë dhe atyre që janë afruar së fundi. Pjesa dërrmuese e fillimit të seancës kishte të bënte me ushtrime të cilat shërbenin për përgatitjen e anës muskulore. Trajneri i portierëve Osmani po stërviste të dy portierët e skuadrës. Mendohej se Egbo do të vinte rëndësinë te lojtarët kryesorë, por gjatë gjithë seancës ai u kujdes për përgatitjen e lojtarëve të rinj në moshë dhe afrimeve të fundit, duke i kushtuar pothuajse të gjithë kohën që kishte në dispozicion anës teknike dhe fizike.

Pas vetëm një ore stërvitje, Egbo mendoi të mbyllë seancën, kjo si pasojë edhe e lodhjes së lojtarëve, duke marrë parasysh se dje luajtën dhe një ndeshje miqësore. Manaxheri i klubit Mario Nikolli deklaroi për gazetën se do të bëhet nisja drejt kryeqytetit dhe dita e shtunë do të jetë pushim, pasi e gjithë skuadra do t’i nënshtrohet kryerjes së analizave mjekësore. Më pas do të bëhet edhe kryerja e analizës së tamponit kundër virusit, pasi kjo gjë kërkohet nga UEFA për çështje sigurie dhe në mënyrë që ekipi të udhëtojë i sigurt dhe pa probleme drejt Gjeorgjisë. Nisja për në Gjeorgji bëhet të martën.

REDI DANDALLAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"