Barça shënon me pikatore, Valverde prenoton “fronin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2019 | 18:18

Barça shënon me pikatore, Valverde prenoton “fronin”

Barcelona ka shansin e artë sot në mbrëmje për të hedhur një hap të sigurt në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve. Por ka gjithashtu rrezikun për ta ndërlikuar jetën e saj në rast se nuk fiton. Një pikë reflektimi në lidhje me skuadrën katalanase është goli. 

barcelona

Skuadra e Valverdes e ka të vështirë që të shënojë. Lideri në grup është po aq real sa fiktiv. Mori një barazim në Dortmund në javën e parë, në një ndeshje ku gjermanët ishin superiorë dhe Barcelona iu fal pritjeve të Ter Shtegenit. Në javën e dytë, “leksioni” që i dha Interi në pjesën e parë ishte historik, por ia doli falë lojës individuale të kampionëve. Kundër Slavias ka bërë dy ndeshje jo të mira.

Problemi kryesor përballë të cilit gjendet Barcelona është kapaciteti për të shënuar gola si në sezonet e mëparshme. Ka arritur të shënojë vetëm 4 gola në 4 ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve. Që nga momenti kur u krijua Champions League, vetëm një herë katalanasit kanë shënuar më pak gola sesa në këtë edicion në javën e katërt. 22 nga 32 skuadrat që marrin pjesë në këtë kompeticion shënojnë më shumë sesa Barcelona. Është një shifër për t’u harruar. Futbollistët që kanë gjetur rrugën e rrjetës janë Luis Suarez me një dopietë dhe Mesi.

Golin tjetër e ka shënuar vetë Slavia e Pragës në portën e saj. Grizman nuk është duke funksionuar në Europë, ku bashkëveprimi me Mesin nukka qenë aspak i mirë. Golat e tij mungojnë dhe katalanasit presin patjetër reagimin. Mungojnë gjithashtu golat nga linja e dytë e mesfushorëve, aty ku në kampionat po bëjnë mirë. Vidal ka shënuar në La Liga, por jo në Champions. Trajneri Ernesto Valverde ka folur përpara ndeshjes kundër Dortmundit dhe thotë se pritshmëritë e tifozëve janë të shumta nga ekipi katalanas.

valverde

RËNDËSIA- “Është shumë e rëndësishme për ne, për ata, por edhe për klasifikimin. Vijmë nga një pozitë avantazhi dhe nëse do të fitojmë, do të sigurojmë vendin e parë në grup. Duam të përfitojmë nga kjo mundësi dhe jemi të fortë në shtëpinë tonë. Duhet të llogaritim faktin se janë një skuadër e fortë”.

ÇFARË MUNGON- “Kritika ka gjithmonë sepse ne jemi Barcelona. E dimë që do të jetë gjithmonë kështu dhe kjo ndodh për diçka apo për tjetrën. Vijmë nga fitorja e një ndeshjeje ku vuajtëm shumë dhe kështu që na duhet të fitojmë sërish. Ne na kërkohet që përveçse të fitojmë, të japim edhe leksione futbolli në fushën e lojës. E rëndësishme është se gjithmonë ka një ndeshje dhe ajo e nesërmja (sotmja) është me vlerë të madhe”.

bARCELONA

BUSKETS- “Fakti që e zëvendësoj gjithmonë do të thotë se ai është titullari. Në skuadër është një trajner që merr vendimet dhe të tjerët japin opinionet. Është e pamundur që të kënaqësh të gjithë botën me vendimet që marr në fushën e lojës”.

 Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"