“Barazimi me Vllazninë na rriti vetëbesimin”, trajneri Ramadani flet para Laçit: Duam avancimin në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 20:00

“Barazimi me Vllazninë na rriti vetëbesimin”, trajneri Ramadani flet para Laçit: Duam avancimin në Kupë

Egnatia ka arritur të marrë një barazim me plot meritë ndaj Vllaznisë në Shkodër duke treguar ndryshimin pozitiv që ka pësuar.

ZEKERIJA RAMADANI

Nëse Xhekson do të ishte treguar i saktë, ndoshta rrogozhinasit mund të kishin dalë me 3 pikë, por për trajnerin Ramadani, përtej barazimit, e kënaq mënyra sesi ekipi luajti. Ai shkon dhe më tej, kur këtë mënyrë loje duke u mbrojtur e kundërsulmuar, kërkon ta ketë modul për pjesën e mbetur të sezonit.

Ashtu si në të gjitha ndeshjet që kur Ramadani u ul në stolin e Egnatias, edhe në Shkodër Egnatia pati disa mungesa. Për të sqaruar të gjitha këto i morëm një prononcim trajnerit Zekirija Ramadanit.

Çfarë mesazhi morët nga barazimi me Vllazninë? – Barazimi ndaj një ekipi të fortë si Vllaznia na rrit besimin dhe na jep shenja se duhet të luajmë të mbyllur dhe të forcojmë mbrojtjen sa më shumë.

Mund të kishit marrë 3 pikët, apo barazimi ishte rezultati më i drejtë? – Para fillimit të ndeshjes do të ishim të kënaqur me barazimin, por duke parë rastin që humbi Xhekson kur udhëhiqnim 1-0, mund të themi se lamë dy pikë. Por duhet të jem koshient se edhe me pikën e marrë jam i kënaqur.

Vazhdoni të keni gjithmonë mungesa. Çfarë po ndodh me lojtarët tuaj? – Është e vërtetë që jemi ekipi më me pak fat për sa i përket dëmtimeve. Pothuaj që kur kam marrë drejtimin e Egnatias, asnjëherë nuk e kam pasur grupin të plotë. Telushi e ka mbyllur sezonin me ne pas dëmtimit dhe po ashtu më shqetëson gjendja e Eler, që ka një dëmtim të rëndë. Po presim të shohim dhe diagnozën përfundimtare të tij.

E radhës sfida me Laçin për Kupë. Me çfarë objektivi do të hyni në fushë? – Kam respekt për ekipin e Laçit, që po zhvillon lojëra mjaft të mira dhe po kalon një formë të jashtëzakonshme. Kjo nuk do ta pengojë dëshirën tonë për të vazhduar të ecim në Kupë. Do të synojmë të bëjmë më të mirën, të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.

Bëtë disa largime këtë muaj. Ju kënaq merkatoja që keni zhvilluar deri tani? – Ende nuk e kemi mbyllur merkaton dhe pres edhe dy përforcime, njërin në sulm dhe tjetrin në prapavijë. Shpresoj që brenda javës t’i kemi në ekip për të mos humbur kohë e pastaj të shohim. Kemi bërë afrime, që mendojmë se do të rrisin konkurrencën në ekip.

Si e shikoni luftën për mbijetesën? – Është një pyetje, që besoj përgjigjen e merrni në fushë. Ne po punojmë fort për këtë duke dhënë maksimumin e ju e shihni ndeshje pas ndeshjeje.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"