Balotazh te Skënderbeu, katër sulmues luftojnë për dy vende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2022 | 23:17

Balotazh te Skënderbeu, katër sulmues luftojnë për dy vende

Ndeshjet e fundit miqësore po tregojnë se Skënderbeu po vjen drejt formës së kërkuar nga trajneri Memelli në këtë prag nisjeje të sezonit të ri, që zyrtarisht fillon më 3 shtator. Me dy afrimet e fundit, atë të qendërmbrojtësit Dritmir Beci dhe sulmuesit Temitiope, por edhe të dy ganezëve Frimpong dhe Ovusu, ekipi duket i plotë dhe i dubluar në të gjitha repartet.

Skenderbeu2

Por edhe një ekip i tillë duket se sjell probleme “të ëmbla” për kryepankinën bardhekuqe. Ashtu siç u vu re edhe në testin e fundit ndaj Besës së Kavajës, reparti i avancuar duket se është më i kompletuari te Skënderbeu. Në këto momente, trajneri Migen Memelli ka pesë alternativa kryesore për tre sulmues titullarë.

Në tredhëmbëshin e sulmit, vetëm Belajdi Pusi duket se e ka të sigurt rolin e titullarit. Katër sulmuesit e tjerë do të rivalizojnë fort për të fituar një fanellë loje nga minuta e parë. Bëhet fjalë për dy sulmuesit e djathtë, ku për momentin Griseld Lika duket më i avantazhuar se Uendi Vecaj, për shkak se ky i fundit nuk është ende në formën e tij më të mirë fizike.

Por me shkodranin që po punon fort dita-ditës duke e rritur pak e nga pak formën e tij, rivaliteti është i hapur. E njëjta situatë është edhe për dyshen e sulmit, aty ku Sumaila Abubakar është i kërcënuar nga nigeriani Temitiope. Nëse sulmuesi me pasaportë irlandeze rimerr shpejt formën fizike, atëherë vendi i titullarit ndryshon. Këto janë për momentin dilemat e vetme të trajnerit pogradecar të Skënderbeut, që duket se pjesën tjetër të ekipit e ka thuajse të ideuar.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"