Basket/ Shqipëria thyhet me 22 pikë në Qipro, kuqezinjtë rrëshqasin në vend të fundit në grup

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 18:16

Basket/ Shqipëria thyhet me 22 pikë në Qipro, kuqezinjtë rrëshqasin në vend të fundit në grup

Kombëtarja shqiptare e basket bollit për meshkuj është mundur pasditen e djeshme në transfertë nga Qiproja me rezultatin 88- 66, në paraeliminatoret e vlefshme për Botërorin 2023. Ndonëse ishte në avantazh thuajse gjatë gjithë kohës në pjesën e parë, pas pushimit loja e kuqezinjve të trajnerit Bilali pati një rënie të ndjeshme, teksa vendësit përfituan më së miri, duke kthyer gjithçka në favor të tyre.

shqi

Duhet thënë se Shqipëria vinte me një problem jo të vogël në këtë përballje, teksa shumica e lojtarëve tanë prej gati 1 viti nuk zhvillojnë ndeshje zyrtare, ndryshe nga qipriotët që prej muajsh u janë rikthyer normalitetit. Një tjetër goditje e fortë për ekipin tonë ishte edhe mungesa e kapitenit Gerti Shima, i cili rezultoi pozitiv me COVID disa orë para ndeshjes. Me këtë humbje Shqipëria zbret në vendin e fundit në Grupin A.

NDESHJA

Shqipëria e filloi ndeshjen me Taflajn, Shestanin, Lekndreajn, Pullazin dhe Hysenagollin në formacion, ndërkohë është Qiproja skuadra që i shënon dy pikët e para. Koshi i parë kuqezi mban firmën e Pullazit, ndërsa skuadra e Bilalit luan me entuziazëm në minutat e para, ku Lekndreaj i dërgon shifrat në 9-3 për Shqipërinë. Kombëtarja jonë e ruan epërsinë deri në fund të periodës së parë, duke kryesuar 22-18. Shqipëria luan mirë edhe në fillimin e 10-minutëshit të dytë, por më pas loja ekuilibrohet, ndërsa gjysma e parë e sfidës mbyllet me dy pikë avantazh për kuqezinjtë. Pas pushimit vendësit gradualisht marrin nën kontroll frenat e lojës, për ta fituar me 11 pikë periodën e tretë, duke kryesuar 58-49, kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë.

Perioda e katërt është edhe më e dobët për Shqipërinë, të cilën qipriotët e fitojnë 30-17 dhe kështu gjithçka mbyllet 88-66 për ta. Për sa i përket paraqitjes individuale në radhët e Kombëtares sonë, ishte Endrit Hysenagolli ai që kishte eficiencën më të lartë. Lojtari i Bashkimit të Prizrenit regjistroi 10 pikë dhe 9 topa të rikuperuar në tabelë. Kuqezinjtë do të zbresin sërish nesër në parket, teksa do të përballen me Bjellorusinë, kjo e fundit u mund dje nga Portugalia me rezultatin 75- 57, duke dorëzuar kreun e renditjes.

 

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"