Reali “hap krahun” në Champions, Bajerni shkon në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2012 | 21:50

Reali “hap krahun” në Champions, Bajerni shkon në finale

Stadiumi është i imi, në finale shkoj vetë”. Ky sllogan i Bajernit të Mynihut është bërë realitet pas 120 minutash lojë dhe gjuajtjes së penalltive. Një superndeshje mes madrilenëve të Hoze Mourinjos dhe bavarezëve të Jup Hejnkes në “Santiago Bernabeu”, që ka prodhuar tre gola, dy me autor Kristiano Ronaldon dhe një të “firmosur” nga Arien Roben. Eshtë fotokopjuar rezultati i gjysmëfnales së parë, por tashmë në favor të Realit, cka do të thotë se ndeshja ka shkuar në kohën shtesë. Dy herë nga 15 minuta nuk kanë ndryshuar asgjë, kështu që futbollistët e të dyja skuadrave, të përzgjedhur nga trajnerët e tyre, i janë drejtuar pikës së penalltive. Prej nga humbasin edhe Kristiano Ronaldo me Kakanë, për vendësit, të frenuar nga pritjet e Manuel Nojerit, ndërkohë që dy penallti i ka pritur edhe Kasijas, por e treta e humbur për “Los Blancos”, nga Serxhio Ramos, ka bërë që bavarezët të shkojnë në finale. Të jenë ata përballë Celsit në stadiumin e vet, “Allianz Arena”, në finalen e Ligës së Kampioneve. Do të jenë ata finalist në stadiumin e tyre, ku do të përballen me Celsin, për ta bërë të vetin trofeun më të rëndësishëm europian për klube. Reali është jashtë finales së madhe, duke ndjekur kësisoji Barcelonën, ndërsa Mourinjo dështon në objektivin më madhor të Realit. Tashmë beteja për titullin e Championsit është gjermano-angleze, Bajerni kundër Celsit, dy skuadra që nuk vlerësoheshin favorite, por tashmë janë realitet. Njëra prej tyre do të marrë kurorën e kampiones së Europës për klube.

REAL MADRID – BAJERN MYNIH   2-1  (3-3)
(3-4 penallti) – (1-2, gjysmëfinalja e parë)
Golat: Kristiano Ronaldo 6′, 14′ / Robben 27 (pen)
Penalltitë
Real Madrid:
 Ronaldo (jo), Kakà (jo), Xabi Alonso (gol), Sergio Ramos (jo) 

Bajern: Alaba (gol), Gomez (gol), Kros (jo), Lahm (jo), Shweinsteiger (gol)
REAL MADRID (4-2-3-1): Casillas; Arbeloa, Pepe, Sergio Ramos, Marcelo; Xabi Alonso, Khedira; Cristiano Ronaldo, Oezil (Granero 111′), Di Maria (Kakà 75′); Benzema (Higuain 106′). Trajner: Mourinho.
BAJERN MYNIH (4-2-3-1): Neuer; Lahm, Boateng, Badstuber, Alaba; Luiz Gustavo, Schweinsteiger; Robben, Kroos, Ribery (Mueller 95′); Gomez. Trajner: Heynckes
Gjyqtar: Viktor Kasai (Hungari)
Kartonëtëverdhë: Pepe, Arbeloa, Granero (R), Alaba, Robben, Luiz Gustavo, Badstuber (B)

Spektatolare! Në Madrid u zhvillua një nga ndeshjet më emocionuese të viteve të fundit. Frymëmarrje të thella për tifozët e secilës skuadrës, drithërima deri në sekondën e fundit, të cilat përfunduan me festë të Bajern Mynihut. Gjermanët triumfuan nga pika e bardhë e penalltisë dhe tashmë shijojnë biletën e finales së Champions-it. Një biletë që nuk i dërgon larg, por pikërisht në qytetin e tyre. Djemtë e Jup Hejnkesit fituan të drejtën të hyjnë në stadiumin “Allianz Arena” si futbollistë dhe jo si spektatorë, në finalen e shumëpritur përballë anglezëve të Çelsit. Reali fitoi po ashtu siç kishte humbur, 2-1, por kjo thjesht e dërgoi ndeshjen në kohë shtesë dhe më pas te gjuajtjet e penalltive. Zhoze Murinjo përjetoi sërish zhgënjim: dikur eliminohej në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve nga pika e bardhë, kur drejtonte Çelsin, ndërsa tani largohet me të njëjtën ndjesi, por me madrilenët.
Taktikat E njëjta skemë (4-2-3-1) për ekipet, të njëjtat karakteristika futbollistësh; një sulmues potent, një fantazist pas tij dhe dy lojtarë teknikë e të shpejtë nga krahët. Gjithçka ishte e përgatitur deri në imtësi.
Pjesa e parë Zhoze kishte paralajmëruar një ditë para ndeshjes: “E di se si do të luajë Bajerni në minutat e para dhe kam gati një plan që t’i ndëshkoj”. Plani i portugezit funksionoi. Ndërsa gjermanët po mundoheshin të fitonin minuta dhe të ambientoheshin me ulërimat e 70 mijë tifozëve vendës, madrilenët u hodhën të gjithë në sulm dhe ushtruan presing të vazhdueshëm. Mbrojtja bavareze u shpërqendrua disi dhe lojtarët miq nuk po arrinin të kryenin pasime të njëpasnjëshme. Minuta e gjashtë; krosim në zonë, Di Maria gjuan fluturimthi drejt portës, por Alaba në rënie e sipër prek topin me dorë. Arbitri hungarez Viktor Kasai nuk pati dyshime dhe akordoi penallti. Kristiano Ronaldo mori përsipër ta ekzekutojë dhe nuk gaboi, Nojer në krahun e majtë dhe topi në krahun e djathtë. Stadiumi “Santiago Bernabeu” mori “flakë” dhe kjo e rriti më shumë presionin te bavarezët. Roben pati shansin të rikthejë qetësinë, kur pas një pasimi brenda zonës bëri më të vështirën pak metra larg portës, duke e dërguar topin mbi tra. Mbrojtja e Bajernit dukej sikur ishte ajo që po e vuante më shumë presionin dhe në minutën e 14-të u ndëshkua sërish. Mesut Ozil jep një asist për Ronaldon, i cili i pamarkuar dhe në pozicion të dyshimtë jashtë loje, nuk e pati të vështirë që të shënojë përballë Nojerit. 2-0 dhe Reali u duk se e prenotoi biletën për në finale. Madrilenët u kthyen qetësisht në mbrojtje për të ruajtur avantazhin e krijuar dhe për të shpresuar te një gol sigurie nëpërmjet kundërsulmit. Por, ishte goli i dytë ai që “shkundi” Bajernin e Mynihut. Grinta, eksperienca dhe dëshira për të mos dalë si humbës u bashkuan dhe e rikthyen të frikshme skuadrën e Hejnkesit. Në fytyrat e lojtarëve dallohej qartë një uri për sukses, dhe ajo çka ishte më mahnitëse: qetësia e tyre në veprime. Gomez shpërdoron një rast të mirë para portës, por pikërisht ai bëhet protagonist për të fituar një penallti. Krosim i Krosit në zonë, Pepe pengon me duar bomberin gjerman dhe Kasai sërish nuk ka dyshime për të akorduar penallti. Arjen Roben merr përsipër ta ekzekutojë dhe të gjithë kanë dyshime. Holandezi ka shansin të shpaguajë gjithçka, penalltinë e humbur ndaj Dortmundit, rastin e shpërdoruar pak minuta më parë, por edhe hakmarrje ndaj klubit që e largoi. Gjuajtja e tij prek gishtat e Kasijasit, por më pas përfundon në rrjetë. 2-1 dhe Bajerni shpreson më shumë. Në fushë dallohen vetëm fanellat e klubit gjerman që rrethojnë “murin e bardhë” të Realit. Tentativa të shumta për të shënuar golin që do u dhuronte kualifikimin, por po kaq pritje të Kasijasit dhe shpërdorime të futbollistëve.
Pjesa e dytë Gjermanët zgjodhën rrugën e guximit, duke u hedhur në sulm për të shënuar. Ndërkohë, Murinjo zgjodhi taktikën e tij të preferuar: mbrojtjen. Kjo u dhuroi mundësinë miqve që të dominojnë totalisht. Lahm markoi në perfeksion Ronaldon, Gustavo u bë makth i madrilenëve, duke shkatërruar aksionet e tyre. Roben dhe Gomez ishin të gjithë një lëvizje dhe të vështirë për t’u markuar. Një dominim total i gjermanëve, kësisoj edhe mjaft raste për shënim. Gjithsesi, asnjë nga lojtarët nuk arriti të finalizojë si duhet dhe gjuajtjet e tyre finale lanë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, kundërsulmet e vendësve ishin pothuajse inekzistente, ndërkohë që të vetmet mundësi që patën ishin disa goditje dënimi në afërsi të zonës, të cilat nuk u shfrytëzuan si duhet nga specialisti Ronaldo. Rasti më i shkëlqyer i pjesës së dytë u takon pikërisht miqve. Në minutën e 86-të, Roben jep një asist për Gomezin, i cili heziton të gjuajë menjëherë, stopon topin një metër larg Kasijasit, por kaq mjafton që mbrojtësit kundërshtarë të evitojnë rrezikun. Koha e rregullt përfundon 2-1, me një dominim të qartë të miqve, me një Real thuajse gjatë gjithë kohës në mbrojtje, por në një ndeshje të mbushur me emocione.
Koha shtesë Në dy pjesët nga 15 minuta, tabloja e takimit do ndryshojë. Këtë herë Reali, i cili i ruajti energjitë, zgjodhi sulmin. Vendësit tentuan më shumë që të shënojnë golin e kualifikimit. Kristiano Ronaldo ka një rast të shkëlqyer në të 108-ën, por gjuajtja e tij pritet nga Nojer. Futja e Kakasë i dha freski lojës, por jo efikasitetit që i mungonte. 30 minutat shtesë thjesht konfirmuan atë që pritej: gjuajtjet e penalltive.
Penalltitë I pari gjuan Alaba dhe shënon qetësisht. Ronaldo godet i pari për madrilenët dhe pritej që të shënonte, për t’u dhuruar qetësi shokëve pasardhës. Këtë herë Nojer hakmerret dhe ia pret gjuajtjen në krahun e majtë. Gomez gjuan për Bajernin dhe sërish nuk gabon. Radha e Kakasë, i cili sërish surprizon. Një tjetër specialist që dorëzohet para Nojerit, pasi pret në të njëjtin pozicion si me Ronaldon. Kros pati shansin që të zyrtarizojë festën para kohe, por “ishte e shkruar” që emocionet të vazhdonin më tej. Mesfushori gabon, pret Kasijasi. Ksabi Alonso shënon, më pas e ka radhën Lahmi, i cili gabon gjithashtu. Rezultati i 11-metërshave barazohet në 2-2. Por, vendos Serxho Ramos për çekuilibruar gjithçka. Gjuajtja e tij shkon një metër mbi traun e portës dhe Shvajnshtaiger vulos suksesin. Goditja e tij tund rrjetës e Kasijasit dhe festa e Bajernit fillon. Gjermanët në finale, pas një ndeshjeje të lodhshme, të bukur dhe një triumfi të merituar. Për herë të nëntë, bavarezët do tentojnë trofeun prestigjioz të Champions-it, këtë herë në shtëpinë e tyre, përballë Çelsit. 19 maji po vjen…

Murinjo: Nuk na eliminoi Ronaldo
“Ky është futbolli. Lojtarët ishin fan tastikë dhe treguan një mentalitet fituesi të jashtëzakonshëm. Përballë kishim një rival që kundrejt nesh kishte rreth dy javë që kishte marrë pushimet në kampionatin e vet dhe në fushë ishte më energjik. Pavarësisht kësaj, na mungoi vetëm pak për të arritur maksimumin nga kjo ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ishte një sfidë madhështore, më e luftuar se kurrë taktikisht, me një intensitet emocional vërtet të madh. Mbase, paracaktimi i shpejtë i rezultatit 2-1 ishte ai që na prishi më tepër punë, sepse fillimisht Bajerni dhe më pas ne u frikësuam që të mos bënim ndonjë gabim që mund të na kushtonte shtrenjtë”. Ishte kjo analiza e parë e Zhoze Murinjos pas eliminimit nga gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve. Trajneri i Realit të Madridit mbron ekipin e tij dhe si gjithmonë nuk kishte sesi të harronte të thumbonte edhe Barcelonën. “Jemi shumë të trishtuar dhe nuk mund ta mohoj këtë fakt, por mbase dikush tjetër është i lumtur për fatin tonë. Unë fitoja dy vite më parë kundrejt këtij Bajerni, por këtë herë fati ishte me ta dhe jo më me mua, me skuadrën time, e cila e ritheksoj që ishte fantastike. Kjo humbje më pikëllon më shumë për mërzinë që ka pushtuar skuadrën time, ndërsa unë duhet të qëndroj i fortë dhe nuk dua të qaj. Ky është momenti kur një ekip tregon se është i fortë, dhe unë e di që të tillë janë të gjithë lojtarët e mi. Tani kemi rastin të fitojmë kampionatin, atë titull që Ronaldo na e dhuroi me golin e tij kundër Barcelonës. Penalltia e humbur e Ronaldos? Edhe atij duhet t’i vinte koha të gabonte. Të martën i qëlloi Mesit, ndërsa Ronaldo gaboi kundër Bajernit. Këto janë gjëra që u ndodhin edhe dy futbollistëve më të mirë në botë, ndonëse për mendimin tim sivjet Ronaldo ishte superior kundrejt Mesit, ashtu sikurse Reali kundrejt Barcelonës. Momenti i dyshimtë i Graneros? Fola me të pas ndeshjes dhe ai më tha se kishte kontakt, ndaj nuk dua të them më asgjë për këtë episod, por ia lë Madridit ta vlerësojë atë. E ardhmja ime? Do vazhdoj ende të drejtoj Realin e Madridit”, – përfundoi Zhoze Murinjo.

“Bajerni u ngjall me eksperiencë”
Drejtori i përgjithshëm i Realit të Madridit, Emilio Butragenjo, është i dëshpëruar për eliminimin nga gjysmëfinalet, por nga ana tjetër përgëzon Bajernin. “Ndeshja pati një fillim të magjishëm për ne, por një fund shumë të hidhur, i cili është vështirë të kapërdihet. Por pikërisht këtu qëndron forca e skuadrave të mëdha si Bajerni, e cila falë eksperiencës që ka u ringjall menjëherë pas dy golave tanë të shpejtë. Pavarësisht kësaj, Reali bëri gjithashtu një ndeshje të madhe, mirëpo u ndal nga fati i penalltive”.

“Është tragjike ta humbësh kështu një sfidë”
Iker Kasijas ishte heroi i Realit të Madridit, ai që u përpoq deri në fund të mbante hapur shpresat për finale, deri kur Bastian Shvajnshtaiger e mundi përfundimisht. Kapiteni i klubit spanjoll e quan tragjike një humbje të tillë. “Së pari duhet të falënderojmë tifozët që na mbështetën maksimalisht dhe u kërkojmë falje nëse i zhgënjyem. Është e vështirë të kapërdish një humbje të tillë, diçka tragjike, por tani të gjithë e dimë që penalltitë janë një lotari dhe duhet më shumë fat sesa cilësi për të fituar ato. Tani na mbetet vetëm ta harrojmë këtë mbrëmje të trishtueshme, e cila na mohon finalen e Ligës së Kampioneve. Ndeshja jonë? Bëmë një paraqitje të mirë dhe përdorëm të gjitha shanset tona për t’u kualifikuar, por në fund nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përgëzojmë Bajernin dhe të mendojmë për kampionatin. 2-0 i shpejtë? Bajerni u tregua më i shpejtë se ne që gjeti golin e shkurtimit të diferencës”, tha Kasijas.

“S’ditëm ta thellojmë rezultatin, ndaj humbëm”
Ksabi Alonso ishte i vetmi nga madrilenët që arriti ta dërgojë topin në rrjetë, por që në fund nuk vlejti asgjë. Sipas mesfushorit, Reali e humbi ndeshjen në pjesën e parë, pasi nuk arriti të thellojë avantazhin: “Nuk ditëm ta ruajmë euforinë në atë fillim aq pozitiv për ne, por mbase e kërkuam në mënyrë të shpejtuar golin e tretë. Ndoshta duke luajtur pak më të qetë mund ta kishim blinduar rezultatin, po ja që nuk ditëm ta bëjmë këtë dhe tani na duhet të kthehemi në shtëpi duarbosh. Bajerni e meritoi. Tregoi edhe njëherë se është një rival i jashtëzakonshëm, një ekip që di të luajë futboll dhe që meriton finalen në shtëpinë e tyre”.

 

Pepe akuzon arbitrin: Mario Gomez simuloi
Pepe ka akuzuar Mario Gomezin se simuloi në momentin e penalltisë: “Bëmë gjithçka mundëm. Por ndeshja u vendos nga fati, edhe pse përpjekja jone ishte e madhe. Bëmë një ndeshje të mrekullueshme me Barcelonën të shtunën dhe kjo ndikoi shumë në gjendjen fizike. Jemi të zhgënjyer, sepse meritonim të shkonim në finale. Kemi një skuadër të re me shumë kualitete, por ja që fati nuk ishte në anën tonë. Penalltia e Gomezit? Sulmuesi simuloi, por gjyqtari ndjeu se duhet të vërshëllente për penallti. Duhet ta harrojmë këtë disfatë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës me Seviljen në kampionat. Në La Liga kemi disa llogari për të mbyllur”.

“Askush në botë nuk mund të luante si ne në Madrid”
Trajneri i Bajernit të Mynihut nuk nguron të shkelë gazin dhe të jetë ekzaltues me deklaratat e tij, të cilat mbase nuk mund t’i pëlqejnë shumë Zhoze Murinjos. Jup Hejnkes është i bindur se lojtarët e tij ishin superiorë jo vetëm në ndeshjen e parë të fituar në Mynih, por edhe në 120 minutat e “Santiago Bernabeut”: “Nëse e analizojmë ndeshjen në detaje, nga sekonda e parë e deri në minutën e 120-të, nuk kam as më të voglin dyshim kur them se Bajerni e meritonte finalen më shumë se Reali i Madridit. Ky ishte një takim i frikshëm për nga emocionet fantastike që dhuroi. Unë jam i mahnitur dhe e përgëzoj ekipin për reagimin që pati pas rezultatit 2-0. Pas golit të parë kishim mundësinë që të barazonim menjëherë, por pas 2-0 morëm lojën në dorë dhe luajtëm një futboll fantastik, të denjë për një finaliste të Ligës së Kampioneve. Edhe njëherë tjetër, kjo skuadër tregoi se ka maturinë e duhur për t’u bërë ballë sfidave dhe momenteve të vështira të sezonit. Vështirë se dikush tjetër do të kishte bërë një ndeshje më të madhe se ne në ‘Santiago Bernabeu’. Tani, pasi të festojmë një fitore të merituar, do të nisim të mendojmë për Çelsin. Finalja? Luajmë përpara publikut tonë, por kjo nuk do të thotë se jemi favoritë. Askush nuk vjen me fat në finale, por kemi kohë ta vlerësojmë këtë ndeshje”, tha pas kualifikimit trajneri i gjigandëve të Bundesligës.

Shvajni: Iker s’kishte shans që të më ndalte
Ishte një nga heronjtë e Bajernit. Edhe pse jo ende në 100% të formës së tij fizike, pas rikthimit nga dëmtimi në kavilje, “Tigri” u dhuroi finalen e shtëpisë 4 herë kampionëve të Evropës me ekzekutimin e saktë të 11- metërshit të fundit përballë Iker Kasijasit. Kapiteni i Realit hipnotizoi Toni Krosin dhe kapitenin Filip Lahm përpara pikës së bardhë, duke rikthyer 9 herë kampionët e Evropës në valle, por jo aq sa për të ndalur mesfushorin bavarez. Bastian Shvajnshtaiger është në qiellin e shtatë pas këtij suksesi. Zv/ kapiteni nuk e mohon se në “Santiago Bernabeu” përjetoi një mbrëmje të magjishme. “Jemi të sfilitur, por të lumtur. Të eliminosh Realin e Madridit dhe të shkosh në finale me penallti është e jashtëzakonshme. Emocione të papërballueshme. Jemi të dërrmuar fizikisht pas këtyre 120 minutave, por gëzimi mposht gjithçka, përfshirë edhe lodhjen”, – ishin fjalët e zv/kapitenit të Bajernit menjëherë pas triumfit. Lideri shtoi më tej: “Nuk e di se ku i gjetëm ende fuqitë për të vrapuar. Ishte një mrekulli”. Për 28-vjeçarin të luash në shtëpi ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për një klub evropian, mbetet një ëndërr më vete: “Ishte një dhuratë që ia kishim borxh presidentit Uli Hënes. Ai është njeriu që ka dhënë jetën për këtë klub dhe e meritonte diçka të tillë. Nuk ka emocion më të mrekullueshëm për gjithë tifozët që pritet të jenë në stadiumin e Mynihut”. Në fund Bastian flet dhe për penalltinë e fundit që vulosi triumfin: “Ishte një moment kur e humba disi përqendrimin, por fatmirësisht gjeta kohën përpara se ta shkelmoja topin për ta kontrolluar situatën. Në kokë e kisha vendosur. Atë top do ta dërgoja në rrjetë dhe askush nuk mund të më pengonte. Edhe pse Kasijas ishte në një mbrëmje të mrekullueshme arrita ta mposht. Luajtëm më mirë gjatë 90 minutave dhe merituam më shumë se spanjollët të shkonim në finale”.

Hënes: Penalltia e Lahmit, thashë se vdiqa
Uli Hënes ka menduar se do të vdiste në momentin që kapiteni Filip Lahm humbi penalltinë. Presidenti i Bajernit nuk i ka përmbajtur dot emocionet në 120 minuta ku gjithçka mund të ndodhte në “Bernabeu”. “Në momentin kur Lahm e humbi penalltinë mendova se do të pësoja një infarkt në ‘Bernabeu’. Thashë se vdiqa atje. Jam i lumtur. Ishte mbyllja më fantastike që mund të bëjmë në një sezon të madh. Të luajmë në shtëpi finalen e Champions-it është e paimagjinueshme. Nuk do të vëmë gjumë në sy sonte”, – ishin fjalët e numrit 1 të klubit. Triumfin e djeshëm Bastian Shvajnshtaigeri ia kushtoi pikërisht menaxherit.

Rumenige: Tani më dhuroni trofeun e 5-të
Edhe numri dy i klubit Karl-Hainc Rumenige ka qenë shumë i emocionuar pas ndeshjes. “Në finale janë dy skuadra që nuk konsideroheshin si favorite. Ishte emocionuese, madje mendoj se kjo ishte një ndeshje shumë emocionuese, sepse ritmi dhe intensiteti i lojës nuk të linin për asnjë moment të qetë. Mendoj se Bajerni e meritoi plotësisht fitoren edhe pse në fund fati i buzëqeshi më shumë skuadrës time të zemrës. Tani do të luajmë fort në finale dhe do të japim gjithçka, sepse duam ta fitojmë patjetër. Ky është një rast që nuk të jepet gjithnjë në Evropë dhe ne e dimë mirë”, – ka thënë menaxheri bavarez.

Nojer: Vendimtare pritja e Ronaldos
Manuel Nojer, një nga heronjtë e Bajernit në ndeshjen e djeshme ka pohuar se skuadra e tij ishte edhe me fat. “Më duket si ëndërr. Ne e nisëm shumë keq sezonin, madje e nisëm në mënyrë katastrofike, por arritëm që të ringriheshim. Madje pësuam një tronditje të madhe kur dolëm jashtë garës për titull, por gjithsesi ia dolëm. Penalltitë janë edhe me fat. Jam i lumtur që ia kuptova krahun Ronaldos, sepse mendoj se ajo ishte një goditje e rëndë psikologjike për të gjithë të tjerët. Tani do të shkojmë të luajmë një finale në Mynih, në shtëpinë tonë, dhe tifozët do të jenë arma jonë më e fortë. Disavantazhi 2- 0? Ishim të qetë, sepse e dinim se mjaftonte një gol për të rihapur gjithçka”, – ka thënë portieri.

7 lojtarë humbin finalen, 3 të Bajernit dhe 4 të Çelsit
Do të jetë një finale të gjymtuarish në “Alianc-Arena” muajin tjetër, sepse pritet të mungojnë jo pak por shtatë titullarë të Bajernit dhe Çelsit. Ashtu si Roberto Di Mateo, edhe Jup Hejnkes do të ketë dy mungesa në mbrojtje dhe një në mesfushë më 19 maj. Kështu 4 herë kampionëve të Evropës do t’u mungojë pas kartonit të verdhë në “Santiago Bernabeu”, mbrojtësi i majtë David Alaba, mesfushori shkatërrues Luiz Gustavo, i cili ka qenë një ndër më të mirët në fushë mbrëmë për gjermanët, dhe qendërmbrojtësi Holger Badshtuber. “Është për të ardhur keq, por nuk kemi se çfarë të bëjmë. Këto janë rregullat”, – tha trajneri i rekordmenëve pas kualifikimit. Ndërsa Çelsit pritet t’i mungojë kapiteni Xhon Terri, mesfushori Raul Meireles, Ramirez dhe mbrojtësi serb Branislav Ivanoviç, edhe këta për shkak të kartonëve që morën në “Kamp Nou” me Barcelonën.

NOTAT E SKUADRAVE
REAL MADRID
Kasijas 7.5 – Mbrëmje e shkëlqyer. Për pak priti penalltinë e Robenit, evitoi shkëlqyeshëm golin e dytë të gjermanëve dhe priti dy 11-metërsha në fund.
S.Ramos 4.5 – Pati jo pak probleme, si në koordinim, ashtu edhe në markimin e Gomezit. Në fund humbi penalltinë decizive.
Pepe 5.5 – Ndërhyrje të ashpra dhe në disa raste bëri gabime taktike. Gjithsesi, mendoi edhe që të rregullojë gabimet e Ramosit në jo pak momente
Marselo 6.5 – I palodhshëm. Për Robenin ishte mjaft i bezdisshëm, gjithsesi ndihmoi shumë shpesh edhe repartin sulmues me inkursionet e tij
K.Alonso 5.5 – Nuk arriti të qetësojë lojën e ekipit të tij me pasime dhe mbi të gjitha nuk bëri shumë rezistencë në qendër të mesfushës Khedira 6 – Shumë i fortë fizikisht dhe ndali jo pak aksione të kundërshtarit
Ozil 6.5 – Dha një asist për Ronaldon, tentoi disa pasime të zgjuara, megjithatë u markua shkëlqyeshëm
Di Maria 6 – Fitoi në 11-metërsh, rrezikoi mjaftueshëm në 20 minutat e para të lojës, por më pas qëndroi në hije.
Ronaldo 7 – Shënoi një dopietë mjaft të rëndësishme, por humbi një penallti që i kushtoi shumë Realit.
Benzema 6 – Provoi që të rrezikojë në të gjitha mënyrat, tentoi me disa goditje në diagonale, gjithsesi u markua mjaft mirë.
Murinjo 7 – E drejtoi ekipin te fitorja, pavarësisht se me vuajtje, por siç ka thënë vetë ai: “Penalltitë janë çështje fati…”

BAJERN MYNIH
Nojer 9 – Pa diskutim heroi i skuadrës. Priti dy 11-metërsha dhe ishte garanci gjatë gjithë lojës, duke mos bërë asnjë gabim
Lahm 8.5 – Ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të karrierës. E “mbyti” Ronaldon në markim dhe ndihmoi në perfeksion repartin sulmues. Edhe pse gaboi nga pika e bardhë, ishte më i miri në fushë.
Boateng.6.5 – Në minutat e para bëri gabime në koordinim, duke lënë hapësira në qendër. Gjithsesi, kreu jo pak ndërhyrje të sakta.
Badshtuber 6.5 – Zhvilloi një ndeshje me “dy fytyra”. Herë me ndërhyrje mbresëlënëse, herë me gabime që nuk i faleshin,
Roben 7.5 – Një rrezik konstant dhe pika e referimit për sulmin e Bajernit. U hakmor ndaj Realit me gol dhe duke i nxjerrë nga Champions-i. Gjithsesi, shpërdoroi edhe raste të pastra.
Shvajnshtaiger 8 – Pjesën e parë pati probleme në organizim, por në 45 minutat ka qenë perfekt. Shënoi golin që vulosi kualifikimin,
Riberi 6.5 – Nuk ishte në formën e vet më të mirë dhe u lodh para të tjerëve. Gjithsesi, prania e tij në fushë shpërqendroi mbrojtjen rivale.
Luis Gustavo 8.5 – Një “bishë”. U bë makthi i madrilenëve në fushë. I kudondodhur, ndërhyrje të sakta dhe i pamposhtshëm fizikisht. Çelësi i triumfit të Bajernit.
Kros 6.5 – Vrapoi shumë, por nuk u aktivizua mjaftueshëm në aksionet sulmues të skuadrës. Gjuajtjet e tij nga distanca lanë për të dëshiruar.
Alaba 7.5 – I palodhshëm në krahun e majtë. Jo vetëm që “çarmatosi” Di Marian, por krijoi disa raste për shënim me krosimet e tij.
Gomez 6.5 – Humbi disa mundësi të arta, atëherë kur nuk duhej. Për fat, arriti të jetë i saktë te penalltitë.
Hejnkes 8 – E kishte përgatitur ndeshjen shkëlqyeshëm. Bajerni i tij meritoi të kualifikohej në kohë të rregullt, duke dominuar totalisht ndaj Realit në 70 minuta. Reagimi që pati skuadra pjesën e dytë ishte mbresëlënës, por u dënuan vetëm prej finalizimit të dobët.
Përgatiti: FATION SHEHU, JETON STAMOLLA, ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"