Atalanta, “makthi” i Lacios. Strakosha dhe Gjimshiti gati të japin gjithçka në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 9:57

Atalanta, “makthi” i Lacios. Strakosha dhe Gjimshiti gati të japin gjithçka në fushë

Një shqiptar synon titullin. Një tjetër do që të ruajë zonën e Champions-it. Seria A diskuton verdiktet e rëndësishme mes futbollistëve kuqezinj. Thomas Strakosha dhe Berat Gjimshiti do të luajnë mes tyre në duelin e javës së 27-të, ku në fushë diskutohen arritje madhore të këtij sezoni.
pjimage (1)
TABUJA – Thomas Strakosha do të tentojë që në rrugëtimin për Serinë A, të kalojë edhe një pengesë të pamundur për të: Atalantën. Bergamaskët janë skuadra e vetme që ai nuk ka mposhtur në kampionat dhe triumfin përballë tyre e ka regjistruar më parë në Kupë. Sot, portieri kuqezi do të synojë që bashkë me kryeqytetasit të rikthehen me fitore pas pandemisë, por edhe që personalisht të regjistrojë fitore përballë kësaj skuadre, si e fundit ndaj së cilës nuk ka triumfuar në Serinë A.

DERBI – Shqiptarët po luajnë gjithnjë e më shumë për objektiva të rëndësishëm. Pasi Elseid Hysaj triumfoi në Kupën e Italisë me Napolin, duke mposhtur Juventusin nga pika e bardhë e penalltive, Strakosha do të synojë që të vijojë rrugëtimin për Serinë A. Këtë herë, pas 21 ndeshjeve pa humbje, Lacio e tij do të ketë përballë qendërmbrojtësin e Kombëtares, Berat Gjimshiti. Derbi shqiptaresh sonte në Bergamo me start nga ora 21:45.

SULM VS MBROJTJE – Atalanta ka skuadrën që sulmon më mirë në Serinë A. Këtë e demonstrojnë 74 golat e shënuar deri më tani. Bergamaskët janë sulmi më rezultativ dhe më i mirë në Itali deri në këtë fazë të kampionatit. Nga ana tjetër, përballë është Thomas Strakosha dhe mbrojtja më e mirë e Serisë A. Vetëm 23 gola të pësuar në 26 javë të zhvilluara. Kësisoj, kjo javë e 27-të e kampionatit italian do të vërë përballë mbrojtjes më të mirë, sulmin më fantastik.

PREMIO – Lacio nuk fshihet më dhe kërkon që të triumfojë në kampionat. Nëse në gjysmën e parë të sezonit ishte në garë vetëm për zonën Champions, tashmë bardhekaltrit do të synojnë që të thyejnë dominancën e Juventusit në Serinë A. Së fundmi, është konfirmuar edhe që për një rezultat fantastik në këtë kampionat, në rast se Lacio do të fitojë titullin, presidenti Lotito do të akordojë një fond prej 400 mijë eurosh premio shpërblyese.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"