Asiste për të tërë, Roshi është “miku” ideal për sulmuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 21:53

Asiste për të tërë, Roshi është “miku” ideal për sulmuesit

Në futbollin romantik ekziston një shprehje: Mjafton një top dhe një shok për të qenë i lumtur. Por nëse këtë shprehje do ta thoshin sulmuesit e Kombëtares shqiptare, do të ndryshonte: Mjafton një top dhe Odise Roshi për të qenë i lumtur. Në epokën moderne të rrjeteve sociale një meme perfekte për këtë situatë do të ishte:

rOSHI

“Unë nuk e di kush je, por do të gjej dhe do të jap një asist”. Autori, Odise Roshi. E thënë pak më thjeshtë, mesfushori fierak është shoku ideal i çdo sulmuesi në Kombëtaren shqiptare. Kjo nuk kuptohet nga marrëdhënia që ata kanë jashtë fushës së lojës, por nga statistikat në fushë.

Në karrierën e tij me fanellën kuqezi, mesfushori fierak ka dhënë 9 asiste dhe ka çuar përpara portës kundërshtare 5 sulmues që kanë gjetur rrugën e rrjetës: Hamdi Salihi, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Armando Sadiku dhe Rei Manaj. Si të mos mjaftojnë këto statistika, Odise Roshi ka treguar me performancat e tij vazhdimësi me fanellën kombëtare.

kOMBETARJA

Duke lënë mënjanë sfidën me Francën (për arsye të pozicionit në fushë), është e vështirë të gjesh një tjetër ndeshje ku Roshi të ketë qenë nën mesataren. Le t’i analizojmë me radhë asistet e tij për 5 sulmuesit e Kombëtares.

PENALLTI E SALIHIT

A e dinit që nëse një lojtar fiton penallti dhe atë e shndërron në gol dikush tjetër, konsiderohet asist. Nëse po, do ta kuptoni për cilën ndeshje bëhet fjalë.

Salihi-Kombetarja-470x283

Nëse jo, e mësuat. Odise Roshi ka fituar një penallti në sfidën mes Shqipërisë dhe Zvicrës në “Qemal Stafa”, e cila u shndërrua në gol nga bomberi shkodran. Ja ku ishte asisti i parë.

PERLA E BALAJT

Ai gol është ngulitur në memorien e shqiptarëve sepse i hapi rrugën kualifikimit të Kombëtares shqiptare në “Euro 2016”. Krosimi perfekt nga e djathta dhe goditja spektakolare e shkodranit thyen Portugalinë.

1309676-28186653-2560-1440

Duket se aty ishte pikënisja e një miqësie që do të vazhdonte edhe jashtë fushës së lojës mes Roshit dhe Balajt. Luajtën të dy me Rijekën dhe pastaj tek Akhmat Grozni. Si për çudi, ajo miqësi nuk u përkthye në asiste në fushë, por jo për fajin e Roshit. Balaj  nuk është aktivizuar shpesh.

FURNIZOHET SADIKU

Armando Sadiku është lojtari që ka shënuar më shumë gola nga asistet e Odise Roshit. Një nga arsyet pse ai ka 12 gola me Kombëtaren shqiptare janë pikërisht pasimet e fierakut. Asisti i parë për Armandon erdhi në ndeshjen kundër Armenisë, ku kuqezinjtë siguruan kualifikimin për në Europian.

Macedonia vs Albania, Skopje, Macedonia, The Former Yugoslav Republic Of - 05 Sep 2017

Ai e asistoi pastaj në ndeshjet pasardhëse kundër Ukrainës në miqësore dhe në sfidën ndaj Izraelit në transfertën e fituar 0-3 (ndeshja e fundit e De Biazit). Bashkëpunimi mes tyre vazhdoi dhe në miqësoren e Panuçit në Turqi, e cila u fitua 2-3 ku Roshi dha dy asiste për Armando Sadikun.

GOL CIKALLESHI

Odise Roshi ka një karakteristikë të veçantë, përshtatja me çdo sulmues të Kombëtares shqiptare. Nuk ka rëndësi kush luan aty përpara, ai ka gati pasimin për këdo në mënyrë që t’i mundësojë golin.

rOSHI CIKA

Sulmuesi i radhës ishte Sokol Cikalleshi, i cili falë pasimit të Roshit zhbllokoi ndeshjen në “Elbasan Arena” kundër Moldavisë. Dukej si një ndeshje që nuk do të shënonim kurrë, por pastaj erdhi pasimi ideal dhe fitorja…

ZHBLLOKOHET MANAJ

Po e kërkonte me ngulm një gol me fanellën kuqezi Rei Manaj (pas atij që shënoi në miqësoren me Kosovën). Porta në çdo ndeshje i dukej më e vogël, aq sa në Turqi humbi një rast flagrant përpara saj. Kush e pasoi? Odise Roshi. Sapo u fut në fushën e lojës “çau” krahun e majtë dhe i dhuroi një asist perfekt. Sulmuesi i Albasetes e gaboi, por pak ditë më vonë ndodhi e njëjta histori. Ndryshoi vetëm krahu dhe finalizimi.

manaj cikalleshi

Roshi ishte nga e djathta dhe Manaj shënoi kundër Moldavisë me finte. Pastaj një përqafim për Roshin si një shenjë falënderimi që i mundësoi golin. Ashtu siç e kanë përqafuar të gjithë pas një goli. Nëntë asiste në total, që e bëjnë lojtarin më “furnizues” të sulmit kuqezi për të shënuar gola.

Ta mendosh që disa sfida i ka nisur si zëvendësues, por kjo është një tjetër histori që i takon Edi Rejas për ta zgjidhur, sepse një lojtar kaq vendimtar nuk mund ta fillojë gjithmonë ndeshjen nga stoli.

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"