“Asa” për titullin, 3 klube i luajnë të gjitha. Ja avantazhet dhe disavantazhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 21:31

“Asa” për titullin, 3 klube i luajnë të gjitha. Ja avantazhet dhe disavantazhet

Tetë javë kampionat nuk janë shumë, por as pak për të kuptuar trendin në garën për titull të Kategorisë Superiore. Pa përjashtuar këtu elementin surprizë gjatë garës, pasi bëhet fjalë për një kampionat me 36 javë, dukshëm janë tre klube që kanë treguar diçka më tepër se të tjerët dhe që mund të quhen për titull: Partizani, Skënderbeu dhe Kukësi.

shehi-gega-cungu

Natyrisht, nuk mund të paragjykosh Laçin, Flamurtarin apo edhe Tiranën, por për përbërjet që kanë, potencialin ekonomik dhe stabilitetin në rezultate, të kuqtë, korçarët dhe Kukësi dukshëm duken një treshe që mund të rezistojë në luftën për titull deri në fund të sezonit.

Handikapi i madh është se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun pas vendimit që pritet nga KAS, por gjithsesi në këto 8 javë korçarët kanë bërë ndoshta edhe më mirë nga sa vetë kanë pritur drejtuesit e klubit. Niveli i këtij kampionati ndryshon shumë nga sezoni i kaluar, kur Skënderbeu kampion bëri diferencën dhe rivalët u pajtuan shpejt se nuk e konkurronin dot. Në këtë moment nuk mund të dallosh nëse favoriti do të jetë Partizani, Skënderbeu apo Kukësi, pasi ndeshjet kanë treguar që diferencat janë shumë të vogla.

skenderbeu partizani

Megjithatë, këto tri skuadra kanë tashmë “asat” e tyre për tentuar titullin. Janë ata që në këto tetë javë kampionat kanë shpërthyer. Jasir Asani, Dejvi Bregu dhe Arturo Rexhinaldo shihen si bonuset e mëdha të ekipeve që duan të shpallen kampion. Tre lojtarë që kanë zgjidhur ndeshjet me mënyrën e tyre, dikush duke qenë efektiv me gola të shënuar, por edhe me shumë asiste.

PARTIZANI

partizani

PIKAT E FORTA – Një skuadër kompakte në fazën mbrojtëse. Shifrat flasin qartë, pasi në tetë ndeshje të vetmin gol e ka pësuar me penallti, duke vendosur një rekord në kampionatin shqiptar sa i përket startit të sezonit. Ka një ndërthurje mes elementit të ri dhe disa lojtarëve me shumë eksperiencë që luajnë bashkë prej pesë vitesh te Partizani. Mbi të gjitha ka tashmë një fizionomi loje, që e bazon te një treshe lojtarësh që janë bërë më efektivë se kurrë që prej afrimit të trajnerit Skënder Gega.

jasir asani

Jasir Asani, Jurgen Bardhi dhe Esat Mala plotësojnë njëri-tjetrin dhe këtë kampionat po marrin për dore Partizanin. Mala është zbulimi i madh, madje është kthyer në lojtarin që vendos ndeshje delikate si derbi ndaj Tiranës apo fitorja me Kukësin. Të kesh në portë Alban Hoxhën, por edhe lojtarë që bëjnë diferencën në rolet e tyre si Trashi, Telushi apo Mensaj, garancia është e madhe për një sezon ku titulli mund të jetë më afër se kurrë.

PIKAT E DOBËTA – Nuk ka një sulmues me karakteristikat e Kaleb Ekuban si dy sezone më parë, por gjithashtu i mungon edhe lojtari tipik numër 10. Edhe pse rolin e fantazistit tashmë po e bën shpesh edhe Bardhi, përsëri mospasja në skuadër e një lojtari që jep pasin final, e limiton jo pak këtë Partizan.

partizani-7-770x470

Tetë ndeshjet kanë treguar se nuk është një skuadër që shënon shumë. Vërtet loja ka qenë bindëse, por shpesh rezultatet janë marrë të sforcuara, pikërisht sepse mungon qendërsulmuesi që të zgjidhë ndeshjet. Kanë marrë Rubin Hebajn për të bërë këtë rol, por ende nuk ka shënuar golin e parë në Superiore. Një pikë e dobët në skuadrën e kuqe është edhe fakti se ka pak lojtarë që kanë fituar titullin. A do ta mbajnë dot presionin deri në fund?

SKËNDERBEU

Skenderbeu

PIKAT E FORTA – Ka ndryshuar 70 për qind të formacionit, por është sërish ekip me mentalitet fituesi dhe me po të njëjtën fizionomi loje, të krijuar sezone më parë. Një Skënderbe që është imponuar edhe këtë kampionat, me një përbërje ku përveç lojtarëve të rinj të talentuar si Bregu, Gripshi, Krasniqi, Oto Xhon, Demte etj., ka edhe mjeshtra në mbrojtje e mesfushë, që dinë si përballohet sezoni dhe mbi të gjitha si fitohet titulli.

djevi bregu

Radas, Vangjeli dhe Muzaka janë tashmë një vit më të mëdhenj, por në një kampionati si ky i yni, ku cilësia nuk është e madhe, ata sërish po bëjnë diferencën. Bregu i blerë nga Luftëtari është përshtatur aq shpejt, duke krijuar përshtypjen se kishte vite në Korçë. Që në fazën e parë ka treguar se mund të jetë ai ylli i kësaj skuadre, që edhe pse nuk ka më Shehin në portë, Lilajn në mesfushë dhe Souenë në sulm, sërish është aty në luftën për titullin.

PIKAT E DOBËTA – Halli më i madh i kësaj skuadre që po ecën me një ritëm të kënaqshëm është se çfarë do të ndodhë në rast se KAS i Lozanës lë në fuqi vendimin e UEFA-s. Për çfarë do të luajë më pas Skënderbeu, kur dihet që nuk merr dot pjesë në Europë?!

Skenderbeu

Por, mbi të gjitha është besimi që mund të ketë ky grup lojtarësh për një garanci financiare në vazhdimësi. Sinjalet nuk janë të mira dhe të mendosh që pas tetë vitesh të suksesshme erdhi për herë të parë bojkoti i një seance stërvitore për shkak të rrogave të padhëna. Skuadra aktuale vuan disi mungesën e alternativave bindëse nga stoli, që vetë trajneri Orges Shehi e ka pranuar. Nuk ka më një mesfushë të fortë si vjet, por as një sulmues që të garanton gola siç ishte Ali Soue.

KUKËSI

Kukesi555

PIKAT E FORTA – Ka gjetur bomberin e Kategorisë Superiore, Arturo Rexhinaldo. Është pa dyshim “asi” i ekipit, me pesë gola dhe të gjithë vendimtarë. Në fakt, Kukësi ka goditur gjithnjë në shenjë me sulmuesit, të mendosh që ka pasur emra si Pero Pejiç, Sindrit Guri apo Elis Bakaj në sezonet e shkuara. Nga skuadra që u shpall kampione dy sezone më parë kanë mbetur Ylli Shameti dhe Besar Musolli, që bashkë me Rexhinaldon në sulm përbëjnë boshtin e Kukësit.

rexhinaldo

Merkatoja e verës ka qenë shumë e bollshme, por ende lojtarët e afruar, nga të cilët pritet shumë si Çyrbja apo Shafik, nuk kanë shpërthyer. Një garanci është braziliani Melo, i cili shumë shpejt u bë një “xhol” për trajnerin Armando Cungu. Kukësi nuk ka treguar deri më tani supremaci ndaj Partizanit dhe Skënderbeut, por me grupin e lojtarëve që ka dhe potencialin ekonomik si klub, mbetet pa diskutim rival për titull.

PIKAT E DOBËTA – Së pari është fakti që nuk luan në fushën e vet. Të zhvillosh ndeshjet gjithë sezonin në transfertë është pa diskutim një heroizëm nëse në fund ia del të fitosh edhe titullin. Kjo është pika më e dobët që e ka penalizuar Kukësin edhe në fazën e parë në krahasim me rivalë si Partizani dhe Skënderbeu. Cungu nuk po gjen ende një zgjidhje në qendër të mesfushës, pasi dëmtimi i Musollit ka prishur jo pak ekuilibrat, teksa herë luan Dzaria dhe herë Limaj në vend të tij.

kukesi

Një pikë tjetër e pastabilizuar janë krahët e mesfushës, që janë ndryshuar thuajse çdo ndeshje. Largimi i Elton Kale ka prishur jo pak planet e Kukësit, me Cungun që ka “shpikur” Melon si mesfushor të majtë, ndërsa në krahun e djathtë ka një duel të vazhdueshëm Ethemi-Çyrbja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"