Artan Terihati: Partizani pa sponsor, do të paraqitemi me ekip më të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2020 | 14:02

Artan Terihati: Partizani pa sponsor, do të paraqitemi me ekip më të ri

Në pritje të lejes nga qeveria për zhvillimin e aktiviteteve sportive në salla të mbyllura, basketbolli shqiptar po bëhet gati për edicionin e ri sportiv 2020-2021. Skuadrat kanë nisur përgatitjet dhe madje kanë bërë edhe goditjet e para në merkato. Por në radhët e Partizanit të meshkujve, ky sezon paraqet jo pak vështirësi.

hqdefault

“Demat” të cilët një vit më parë kishin ndërtuar një ekip konkurrues me lojtarë vendas, deri tani ende nuk kanë një sponsor dhe nga ekipi ka pasur edhe largime të rëndësishme. Këtë situatë e konfirmon edhe Artan Terihati, sekretari i klubit kryeqytetas. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-basketbollisti i Partizanit tregon gjendjen aktuale të skuadrës: “Për momentin Partizani, ashtu sikurse skuadrat e tjera që nuk kanë sponsor zyrtarë, ka probleme në aspektin financiar. Për shkak të kësaj situate, nga skuadra janë larguar edhe dy lojtarë shumë të rëndësishëm si Strazimiri dhe Gjyzeli. Në kampionat do të paraqitemi me një skuadër më te re në moshë dhe me më pak eksperiencë, por gjithsesi objektiv ynë mbetet arritja e zonës ‘play off’”, thotë Terihati.

Më tej ai komenton edhe Ligën Unike, kampionatin e përbashkët me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova: “Unë e shikoj me shumë optimizëm këtë aktivitet. Përplasja e skuadrave të forta rrit cilësinë e basketbollit. Uroj që kjo ligë të ketë rrugë të gjatë dhe në të ardhmen të zgjerohet edhe më tepër. Për sa i përket pjesëmarrjes së Partizanit, ende nuk mund t’iu them, sepse presim të shikojmë draft rregulloren, ku të kemi më të qartë se si do të veprohet, cilat do të jenë skuadrat që do të marrin pjesë dhe çfarë tarifash duhen paguar. Pasi të njihemi me draftin do të bëjmë edhe bilancin nëse kemi apo jo mundësinë për ta përballuar Ligën Unike”, përfundon Terihati.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"