Arrihet akordi për duelin madhështor Xhoshua-Furi, ja çfarë kanë vendosur kampionët e boksit botëror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2021 | 9:29

Arrihet akordi për duelin madhështor Xhoshua-Furi, ja çfarë kanë vendosur kampionët e boksit botëror

Më në fund pas shumë muajsh negociata është arritur marrëveshja për duelin e madh të boksit ndërmjet Entoni Xhoshuas dhe Tajson Furit, teksa promotorët e dy kampionëve të peshave të rënda kanë firmosur akordin për një përballje të dyfishtë brenda vitit 2021.

skysports-anthony-joshua-tyson-fury_4931563

Duele madhështore që do të unifikojnë titujt kampionë bote që zotërojnë dy britanikët. Rrjeti ESPN raporton se kontrata parashikon që në ndeshjen e parë të ardhurat të ndahen 50-50, ndërsa në duelin e dytë të revanshit ndarja të jetë 60-40 në favor të fituesit të sfidës së parë.

Ndërkohë ende nuk është zyrtarizuar data dhe vendi i ndeshjeve, të cilat mendohet të zhvillohen fillimisht në qershor apo korrik, ndërsa më pas revanshi në nëntor ose dhjetor të 2021-it. Edi Hërn, promotori i Entoni Xhoshuas do të shprehej kështu për sfidat:

“Ky është dueli më i madh i boksit dhe një prej eventeve më madhështore sportive në botë. Do të jetë një fitore e madhe dhe një reklamë e shkëlqyer për vendin ku do të zhvillohen sfida. Ne tashmë kemi pasur oferta të shumta të cilat kanë ardhur nga vende të ndryshme si Lindja e Mesme, Azia, Europa Lindore dhe Amerika”, është shprehur Hërn.

31-vjeçari, Xhoshua aktualisht zotëron katër titujt kampionë bote në federatat: “WBA, IBF, WBO dhe IBO”, ndërsa bilanci i tij në karrierë është 24 fitore (22 me KO) dhe vetëm 1 humbje, atë ndaj Andi Ruiz Xhuniorit. Në krahun tjetër Tajson Furi mban titullin kampion bote në federatën “WBC”. 32- vjeçari vijon të jetë i pamposhtur në ring, teksa numëron 30 fitore (21 me KO) dhe 1 barazim në 31 duele të zhvilluara gjatë karrierës.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"